AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Reportazhe

‘Brenda një kornize’: Lufta e njerëzve që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor

Në qendrën komunitare “Frederik Prenga” në Tiranë, personat që vuajnë nga aftësitë e kufizuara të shëndetit mendor ndajnë historitë dhe frikërat e tyre si dhe betejën e përditshme për t’u pranuar dhe për t’u integruar në shoqëri.

Nensi BogdaningaNensi Bogdani
13:51 | 28/02/2022
në Artikull kryesor, Reportazhe
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Punime të personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, të ekspozuara në qendrën “Frederik Prenga”. Foto: Nensi Bogdani.

Të ndarë në dy tavolina në oborrin ku po servirej kafja e mëngjesit, banorët e qendrës “Frederik Prenga” në Tiranë e presin në mënyra të ndryshme nisjen e aktiviteteve ditore: disa janë të qeshur, ndërsa të tjerët struken pas cigareve që mbajnë në duar.

Nela*, një grua e imët 45-vjeçare është veshur me një triko gri, disa masa më të madhe, dhe mban në kokë një kapuç prej leshi. Në gishtat e zverdhur prej duhanit dallojnë dy unaza të mëdha serme, njëra prej të cilave me kokë luani.

“Më pëlqen shumë luani…është kafshë shumë e bukur dhe krenare,” tha Nela duke buzëqeshur, ndërsa sytë i shkëlqejnë përmes syzeve që i mbulojnë gjysmën e fytyrës.

“A e njef mikun tim Pëllumbin,” vijoi ajo, pa lidhje me diskutimin që po zhvillohej në grup.

Nela është e diagnostikuar me çrregullime humori me terren parapambetjen mendore të lehtë në të moderuar. Ajo jeton me prindërit dhe ndjek prej gati një viti programet rehabilituese të qendrës “Frederik Prenga” në Tiranë.

Nelës i pëlqejnë poezitë, fotografia dhe piktura. Ajo i tha BIRN se përjetonte shpesh ankth, një gjendje që e ka ndjekur që në lindje dhe nuk e lë të qetë prej vitesh. Por kohët e fundit thotë se ndjehet më mirë.

“Ndihem më mirë këto kohë. Dikur doja të bëhesha murgeshë. Nënë Tereza më ka bërë kryqin këtu tek koka,” tha ajo, ndërsa heq kapuçin dhe tregon kokën e qethur.

Qendra “Frederik Prenga”, pjesë e “Komuniteti Papa Xhovani XXIII”, është një qendër ditore komunitare në Tiranë, që punon prej janarit 2020 për rehabilitimin e personave si Nela, që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor.

Stafi i qendrës përbëhet nga specialistë të fushës psikoterapeutike dhe operon në kuadër të projektit “Mund të Bëhet”, i financuar prej “Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim”.

Ata ofrojnë jo vetëm mbështetje psikologjike, por edhe terapi okupacionale të përfituesve me çrregullime psikologjike, për t’i trajnuar ata me aftësi praktike që mund t’u shërbejnë për një integrim gradual në shoqëri.

Drejtori i qendrës, Marcello Requirez i tha BIRN personat me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor në Shqipëri përballen me probleme nga më të ndryshmet dhe diskriminohen nga shoqëria. Ai theksoi se ata paraqiten fillimisht pranë qendrës për një pjatë të ngrohtë, por me kalimin e kohës u pa se ata kishin nevojë për shumë më tepër sesa trajtimi psikologjik.

“Na është dashur të bëjmë një punë kolosale me këta persona, duke filluar që tek higjena personale, e më pas tek mënyra e sjelljes,” tha Requirez.

“Diçka tjetër që përpiqemi t’u mësojmë gjatë aktiviteteve është që ata të trajtohen si njerëz, sepse shumë prej tyre e ndjejnë diskriminimin në shpatulla,” shtoi ai.

Një zinxhir problematikash

Në grupe të strukturuara prej 15-20 vetash, përfituesit e qendrës “Frederik Prenga” nisin ditën me aktivitete të ndryshme si teatri, arti pamor, gatimi i bukës, dhe palestra, aktivitete të cilat i ndihmojnë ata të shprehin botën e brendshme, të aftësohen, apo dhe thjesht të ndajnë ditën me dikë.

Frekuentuesit e qendrës vijnë prej problematikave dhe historive të ndryshme.

Disa prej tyre janë të arsimuar, ndërsa të tjerët e kanë të vështirë të shkruajnë dhe lexojnë. Një pjesë kanë shtëpi dhe familje, ndërsa të tjerët janë të pastrehë ose të vetmuar.

Bledi, një burrë rreth të 40-ave, i veshur me xhinse dhe një xhup sportiv me shkëlqim, është diagnostikuar me çrregullim skizoafektiv. Episodet e tij filluan në vitin 2000, kur ai ishte vetëm 14 vjeç dhe nëna e tij kreu vetëvrasje.

Bledi e frekuenton pothuajse përditë qendrën dhe bën ironi me sëmundjen e tij.

“Po bëhem një vit këtu. Pothuajse vij përditë, por ka dhe ditë që nuk vij….Në ato ditë që më këndojnë 100 kumuri në kokë….nuk vij,” tha ai.

Bledi thotë se e ka të vështirë të gjejë paqe, por shpreson të gjejë një punë dhe siguri ekonomike për të ndihmuar familjen.

“Unë e di që supozohet të vij këtu për të hequr kumuritë”, ironizoi Bledi. “Por ja që e kam të vështirë. Çdo gjë është bërë e vështirë, të çohesh që në mëngjes, të dalësh në mes të ftohtit dhe të shtypesh në autobus si sardele, të shkosh në punë për një pagë qesharake,” shtoi ai me trishtim.

Ndryshe nga Bledi, një tjetër frekuentues i qendrës afrohet me çantat e tij në krah, të mbushura me rroba të papastra.

“Po vij si ushtari në luftë,” bën humor Beni, ndërsa ul çantat në tokë dhe i bën gati rrobat për në lavanderi.

Ai nxiton më pas që të kapë aktivitetin e parë të mëngjesit.

Irene Scinto, koordinatore e projektit “Mund të bëhet” pranë qendrës “Frederik Prenga” tha se rastet referohen kryesisht nga organizatat partnere apo nga qendra komunitare e shëndetit mendor nr.3.

Përvec ushqimit, aty përfituesit gjejnë shoqëri, një grup që nuk i paragjykon si dhe një sërë aktivitetesh që ndihmojnë në aftësimin e tyre.

Laureta Selimi, terapiste okupacionale i tha BIRN se përfituesit e qendrës kanë bërë hapa progresi të ngadaltë, por shumë efikas.

Një shembull suksesi është edhe Lulja*, një grua 52-vjeçare e cila ishte braktisur nga bashkëshorti dhe fëmijët dhe jetonte në kushte të vështira ekonomike.

“Dilja e hyja tek 5-sa [spitali psikiatrik]. Jetoja në bodrum me minj dhe hardhuca. Nuk lahesha dot, lahesha në karrige,” tregon ajo.

Falë dëshirës së Lules dhe bashkëpunimit me stafin psikosocial të qendrës, ajo aktualisht bën një jetë  pothuajse të qetë, ku pjesën më të madhe e kalon me miqtë te “Frederik Prenga”, ndërsa në shtëpinë që stafi arriti t’i rregullojë, ajo i kushton kohë luleve të saj.

Stigmë në shoqëri dhe familje

Terapisti Naum Xoxi gjatë procesit të trajnimit për përgatitjen e bukës. Foto: Nensi Bogdani.

Për personat me aftësi të kufizuara mendore, pavarësia financiare është një stimul i rëndësishëm për integrimin e tyre në shoqëri. Psikologia Xhesika Mone thotë se kjo i aftëson ata për të bërë një jetë të pavarur si dhe për të kapërcyer stigmën në shoqëri.

Megjithatë, stigma ndaj personave që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor vazhdon të jetë e madhe si në familje, ashtu edhe në shoqëri.

Drejtori i qendrës, Marcello Requirez tregon se edhe ata janë përballur me probleme, kur janë përpjekur që të organizojnë ekskursione 2-3 ditore me përfituesit e qendrës për të kaluar një fundjavë jashtë Tiranës.

“Kemi prenotuar hotelin, por kur kemi shkuar nga afër dhe pronari ka parë çfarë problemesh kanë përfituesit tanë, kanë refuzuar të na shërbejnë,” tha ai.

Naum Xoxi, terapist okupacional që merret me trajnimin për përgatitjen e bukës tha se rezidentët e kësaj qendre përballen me vështirësi për të siguruar një vend pune në furrat e bukës.

“Pronarët e furrave kanë frikë t’i marrin në punë,” tha Naumi. “Sigurisht dihet që shumë prej këtyre individëve nuk do të bëhen asnjëherë 100% të pavarur, por ata mund të mësojnë gjërat bazë, si për shembull pastrimi i ambjentit, punimi i brumit, pjekja e bukës dhe paketimi,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, edhe ata të cilët arrijnë të gjejnë një punë, jetojnë me frikën e humbjes së KEMP-it – ndihma sociale për personat me aftësi të kufizuar.

“Personat që punësohen e humbasin KEMP-in, dhe ata jetojnë me frikën se nëse humbasin punën, do të mbeten në mes të 4 rrugëve,” shtoi Naumi.  Në këtë rast, do u duhet të riaplikojnë për statusin e paaftësisë.

Përtej shoqërisë dhe tregut të punës, shpeshherë stigma fshihet edhe brenda familjeve të personave me aftësi të kufizuar të shëndetit mendor.

Terapisti i qendrës “Frederik Prenga” tregon se prej takimeve javore që stafi kryen me familjarët e përfituesve, vërehet se vetë të afërmit e tyre e kanë humbur shpresën për një integrim të këtyre personave në jetën sociale.

“Pak kohë më parë patëm një djalë të ri, i cili vinte nga një familje me mirëqenie. Pasi ëndrra e tij për t’u bërë futbollist ishte thyer, ai pësoi një kolaps emocional, as prej krevatit nuk ngrihej dot,” tregon Naumi.

Sipas tij, djali kishte bërë përmirësime gjatë muajve që frekuentoi qendrën, por ishin familjarët e tij që e ndaluan këtë proces.

“Familjarët u bënë shkas që ai ta ndërpriste procesin e tij të rikuperimit.  Ata thanë se pjestarët e tjerë të qendrës nuk ishin në nivelin e djalit të tyre, pra e dekurajuan të vijë dhe të jetë nën shoqërinë e tyre,” shtoi terapisti.

Bledi, i cili jeton vetëm me KEMP-in prej 9 mijë lekësh në muaj është në pritje të nisjes së një kursi profesional. Megjithatë, ai është i ndërgjegjshëm për vështirësitë.

“E kam shumë të vështirë ta thyej guackën kësaj rradhe,” pohoi Bledi, duke përmendur pagesat qesharake që i japin.

Ai shtoi se këshillimi me psikologët e ka ndihmuar që ta shohë jetën me një rreze pozitiviteti, ndonëse herë pas here kalon episode që i sjellin në mendje vetëvrasjen.

“Kjo të kthehet në një kornizë, ku bota përreth teje është normale dhe ti je jashtë saj,” përfundoi ai.

*Emrat e personave që frekuentojnë qendrën “Frederik Prenga” janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë e tyre.

 

Etiketa: BanorëBashkëshortiBIRNFamiljeKursilavanderiLuftaMasambështetjeNensi BogdanipaqePersonat me aftësi të kufizuarapsikologPunëQendra "Frederik Prenga"Qendra komunitareSemundjet e shendetit mendorSHShpresONshqipShqipëriTiranëUnazavrasjezhvillim
I mëparshmi

KPK shkarkon nga detyra prokuroren Violeta Shkurta

Tjetri

KPK ndëpret vetingun e prokurorit të akuzuar për shpërdorim detyre

Tjetri
KPK ndëpret vetingun e prokurorit të akuzuar për shpërdorim detyre

KPK ndëpret vetingun e prokurorit të akuzuar për shpërdorim detyre

Si u ndanë ‘fatet’ e Elbana Llurit dhe ish-bashkëshortit Gerd Hoxha në KPA

Argumentet e KPA për konfirmimin në detyrë të prokurorit Genci Qana

15:01 | 24/06/2026
bg 2022 1

Kriza në Bibliotekën “Vaclav Havel” vë në pikëpyetje trashëgiminë e një ikone çeke

14:04 | 24/06/2026
protesta 20 qershor

Retorika e Ramës kundër shqiptarëve të rajonit kritikohet si përçarëse

08:35 | 24/06/2026
gjykata

Strasburgu i jep të drejtë prokurorit Ferdinand Elezi

17:24 | 23/06/2026
revolucioni i flamingove slogani dhe simboli i protestave masive ne tirane. foto nensi bogdani

Mosbesimi dhe teoritë e komplotit janë litari që na la jashtë komunizmi

17:19 | 23/06/2026
gentjan osmani duke dale nga kpk

Strasburgu i hap rrugën prokurorit Gentjan Osmani të kthehet në detyrë

14:08 | 23/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.