
Me 123 vota pro Kuvendi miratoi të hënën projektrezolutën “Për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë europiane”.
“Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar”- thuhet në këtë dokument. Parlamenti i jep mbështetje diplomacisë shqiptare dhe masave të ndërmarra nga qeveria në bashkërendim me aleatët SHBA dhe BE, si dhe “mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmara nga partnerët ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj”.
Rezoluta bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë duke vlerësuar se “aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
Gjatë seancës, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, z. Volodymyr Shkurov, deputetët e dy krahëve ishin në të njëjtën linjë për dënimin e agresionit rus dhe dhënien e mbështetjes për Ukrainën në këtë konflikt, por u ndanë për qëndrimin që po mban qeveria shqiptare në raport me Serbinë, një vend që konsiderohet si mbështetës i Rusisë në Rajon.
Miratimi i rezolutës së përbashkët u parapri nga debate mes tyre për hartimin e saj në Komisionin e Politikës së Jashtme, pasi deputetët e opozitës kërkuan që qeveria shqiptare të mbante një pozicion të qartë në marrëdhëniet diplomatike me Serbinë, që sipas tyre mund të jetë burim konflikti në rajon dhe kërcënim për Kosovën.
Një amendament i deputetit Petrit Vasili ku i kërkohej qeverisë shqiptare të dilte nga nisma ”Ballkani i Hapur” u rrëzua me shumicë votash në komision dhe më pas në seancë plenare. “Duke pasur një shtet si Serbia me orientime shumë të qarta shoviniste, rreziku kryesor bie në rradhë të parë mbi Kosovën dhe mbi situatën me të cilën ata mbajnë, dhe ndaj së cilës ne nuk mbajmë asnjë pozicion”- argumentoi Vasili.
Një rezolutë tjetër e prezantuar më datë 2 mars nga deputetë demokratë, që njihen si franksioni i ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila nuk u fut në rend dite, po ashtu kishte parashtruar kërkesa për qeverinë në raport me qëndrimin në nismën e “Ballkanit të hapur”.