Kreu i kontestuar i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, po lufton për betejën e tij politike për mbijetesë, pasi partia e tij pësoi një tjetër rezultat katastrofik në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie që u mbajtën të dielën.
Zyrtarët e partisë filluan të largoheshin nga postet e tyre menjëherë pas daljes së rezultateve, të cilat panë që një grup i sapokrijuar i shkëputur nën drejtimin e ish-udhëheqësit Sali Berisha ia kalonte partisë zyrtare.
Basha po qëndron i palëkundur, tani për tani.
“Jam përballur me masakra zgjedhore, por kurrë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time”, tha ai të hënën, duke fajësuar për humbjen e tij të pestë radhazi manipulimin e zgjedhjeve.
I pyetur sërish të enjten nëse do të jepte dorëheqjen, pasi disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt ia kërkuan një gjë të tillë, ai tha se partia tani po fokusohet në “një reflektim të thellë për humbjen e 6 marsit” dhe pas kësaj ai do të marrë përgjegjësinë për rezultatet.
Partia Demokratike hyri në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit e ndarë në dy fraksione: njëra e udhëhequr nga ish-lideri Berisha, e quajtur koalicioni “Shtëpia e Lirisë” dhe tjetra përfaqëson partinë zyrtare, të drejtuar nga Basha.
Socialistët qeverisës të kryeministrit Edi Rama fituan pesë nga bashkitë e kontestuara, por e gjashta, qyteti i rëndësishëm verior i Shkodrës, u mor nga kandidati i Berishës, Bardh Spahia.
Për herë të parë në 30 vitet e pluralizmit të Shqipërisë, demokratët dolën në vendin e tretë atje.
Basha e drejton partinë që nga viti 2013, por që atëherë partia ka kaluar nga një humbje zgjedhore në tjetrën.
Menjëherë pas zgjedhjeve të së dielës, i pyetur për të komentuar rezultatet, Basha këmbënguli se “ishte mësuar me masakra elektorale” dhe e konsideroi të gjithë procesin zgjedhor “një anomali”.
Ai nuk ka bërë asnjë deklaratë të mëtejshme për të ardhmen e lidershipit të tij, por thirrjet për dorëheqjen e tij po shtohen brenda partisë.
Eva Londo, eksperte e komunikimit dhe profesoreshë në Universitetin e Tiranës tha se zgjedhjet e pjesshme nuk i shihte si një garë për të drejtuar pushtetin vendor, por si një rikonfirmim të imazheve të liderëve rivalë brenda Partisë Demokratike.
“Për Berishën, bëhej fjalë për të rimarrë trashëgiminë e partisë, ndërsa për Bashën ishte një konfirmim i statusit të tij brenda grupit”, tha Londo për BIRN.
“Rezultati i zgjedhjeve dëshmoi se trashëgimia e Partisë Demokratike është e lidhur fort me Berishën dhe me imazhin e tij brenda partisë”, shtoi ajo.
“Si e tillë, nuk ishte një ide e mirë që Berisha të fshihej tërësisht nga partia dhe… as nuk ishte ide e mirë të shpërfilleshin statistikat e këtyre muajve të fundit, të cilat tregonin një rënie të imazhit të Bashës”, tha Londo.
Londo tha se rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme konfirmuan “vetëvrasjen politike” të Bashës.
“Por Partia Demokratike nuk mund të jetë aq demokratike për aq kohë sa Berisha është një aktor aktiv brenda saj, sepse ai do të lërë në hije të gjithë kandidatët e tjerë. Ai duhet të dalë në pension dhe të ripozicionohet si personalitet nderi i partisë”, tha ajo.
Erlis Çela, profesor në Universitetin Bedër, tha se kriza në parti i paraprin zgjedhjeve të fundit apo momentit kur Berisha u shpall persona non-grata nga SHBA.
Ai thotë se humbjet e vazhdueshme në zgjedhje e pamundësuan mbështetjen e Bashës. Edhe “lëvizjet e tij radikale”, si bojkotimi i parlamentit për dy vjet, nuk patën asnjë efekt.
“Përkundrazi, këto lëvizje, si djegia e mandateve të deputetëve, bojkoti i zgjedhjeve vendore 2019 dhe bojkoti i reformës territoriale, sollën pasoja të rënda për Partinë Demokratike dhe opozitën”, tha Çela për BIRN.
Basha duhet të tërhiqet për interesin më të mirë të partisë. “Ky është momenti që Basha të marrë përgjegjësinë me akte konkrete dhe jo vetëm me deklarata. Ai duhet të tërhiqet dhe të hapë rrugën për rimëkëmbjen e partisë. Ky është një moment që Basha duhet ta shfrytëzojë për të bërë të mundur përfundimin e krizës së thellë në opozitë”, shtoi ai.
Nga i preferuar, në armik
I konsideruar si i mbrojturi i Berishës, 48-vjeçari Basha u trajnua si jurist në Universitetin e Utrecht-it në Holandë.
Pas përfundimit të studimeve në vitin 1998, ai punoi si anëtar i ekipit të gjykatës së Hagës të OKB-së për hetimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë konfliktit midis luftëtarëve shqiptarë etnikë dhe forcave besnike të ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç.
Pas luftës, ai punoi si këshilltar i Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, dhe në vitin 2001 u bë zëvendës shef kabineti i drejtorit juridik të UNMIK-ut.
Ndërsa punonte për UNMIK-un, Basha pati një marrëdhënie të ngushtë me Argita Malltezin, vajzën e Berishës, e cila punonte në të njëjtin departament.
Basha u kthye në Shqipëri përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005 si kreu i komitetit të orientimit të politikave të Partisë Demokratike.
Ai ishte gjithashtu një zëdhënës i fushatës elektorale të partisë, e cila riktheu demokratët në pushtet me një platformë kundër korrupsionit, pas tetë vitesh në opozitë.
Edhe pse i panjohur më parë në skenën politike lokale, me mbështetjen e Berishës, Basha u zgjodh shpejt në postet kryesore të partisë dhe siguroi një vend në parlament.
Pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2005, Berisha e bëri Bashën ministër të transportit dhe telekomunikacionit, ku ai mbikëqyri negociatat për ndërtimin e autostradës Shqipëri-Kosovë, projekti më i madh i punëve publike në vend në dekada.
Pasi mbajti disa role në kabinetin e Berishës, në vitin 2011 Basha kandidoi kundër liderit të atëhershëm të opozitës socialiste Rama për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, të cilin ai e fitoi ngushtë në një proces shumë të kontestuar numërimi.
Dy vjet më vonë, kur Berisha humbi zgjedhjet parlamentare përballë Ramës, Basha ishte kandidati i tij i preferuar për të qenë në krye të partisë.
Berisha dhe Basha gëzuan tetë vite marrëdhënie të mira deri në shtator të vitit të kaluar, kur Basha e pezulloi Berishën nga grupi parlamentar i partisë.
Basha veproi kundër ish-mentorit të tij pasi Shtetet e Bashkuara në maj e shpallën Berishën “persona non-grata”, duke përmendur përfshirjen e tij në “korrupsion madhor”, “shpërdorim të fondeve publike” dhe ndërhyrje në “proceset publike”.
Humbja “tejkaloi parashikimet më të këqija”
Nuk është traditë në politikën shqiptare që liderët e partive të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe të japin dorëheqjen pasi i kanë humbur ato. Përkundrazi, rezultatet zakonisht kontestohen dhe nuk pranohen.
Rezultatet e zgjedhjeve të 6 marsit ishin të rëndësishme veçanërisht për të zbuluar se kush kishte më shumë mbështetje brenda Partisë Demokratike, Basha apo Berisha, pas muajsh luftimesh për lidershipin e partisë.
Menjëherë pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve të së dielës, anëtarë të shquar të partisë dhanë dorëheqjen dhe u ankuan për rezultatet si “një humbje tronditëse” dhe i bënë thirrje Bashës të merrte përgjegjësinë.
Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i partisë ishte një nga të parët që dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit më 7 mars. Ai kërkoi zgjedhje të brendshme partiake për një lider të ri.
“Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshem!”, shkroi ai në Facebook.
“Ne po rrezikojmë të shuhemi, unë e ndiej dhe marr përgjegjësi”, shtoi Gjekmarkaj, duke kërkuar që si Basha ashtu e Berisha të ndërmarrin një hap.
Ervin Salianji, një deputet i Partisë Demokratike i kërkoi gjithashtu Bashës të marrë përgjegjësinë për rezultatet e zgjedhjeve dhe e quajti atë si “një barrë të rëndë për partinë” që “ka humbur mbështetjen”.
“Të gjithë kanë përgjegjësi për këtë situatë, por përgjegjësinë kryesore e ka kryetari i partisë”, shkroi ai në Facebook më 8 mars.
“Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë! Lulzim Basha duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje!” shtoi ai.
Një tjetër nënkryetare e partisë, deputetja Grida Duma, e njohur dikur si një aleate e fortë, ka dalë kundër tij të martën në Facebook.
Ajo tha se Basha kishte abuzuar me zyrën e PR të partisë dhe institucioneve të saj dhe se nuk ishte konsultuar me të për kandidaten e Durrësit, kur ajo është kryetare e qarkut të PD-së në Durrës.
“Lulzim, keqpërdorimi që i bën zyrës së shtypit të PD-së ku jam Nën/Kryetare Partie dhe keqpërdorimi që po i bën institucioneve të partisë duke futur njerëz si ish-kandidati i “Librës” që e emërove në Durrës pa më pyetur mua si Drejtuese Politike… janë vetëm një pjesëz e keqpërdorimit të Partisë Demokratike”, shkroi ajo në Facebook.
Duma dha dorëheqjen të mërkurën si nënkryetare, duke thënë se shumica e liderëve të partisë kërkonin që Basha të jepte dorëheqjen dhe fakti që ai nuk jep dorëheqjen do të thotë se lidershipi duhet të praktikojë “vendimmarrjen për të shpëtuar demokratët”.
Flutura Açka, anëtare e kryesisë së partisë dhe kryetarja e Komisionit të Apelit dhe Integritetit, gjithashtu dha dorëheqjen më 8 mars, duke thënë se si Basha ashtu edhe Berisha duhet të tërhiqen dhe “të hapet rruga në Partinë Demokratike për zgjedhje të vërteta dhe rikthimin e saj si një forcë opozitare e bashkuar”.
Partia krahasohet me një “anije që po fundoset”
Lufta për pushtet që vendos Berishën kundër Bashës daton në shtatorin e vitit të kaluar, kur, me këshillën e SHBA-së, Basha e pezulloi Berishën nga grupi parlamentar i partisë.
Situata u nxeh në dhjetor kur mbështetësit e Berishës u përpoqën të shkarkonin Bashën në një kongres të improvizuar partie të mbajtur në një stadium. Javë më vonë, ata u përpoqën më kot të merrnin selinë e partisë.
Pas zgjedhjeve të parakohshme, Berisha ftoi mbështetësit e Bashës që t’i bashkohen, gjatë një interviste për mediat vendase, duke thënë se ai kishte vetëm një qëllim: “një votë të lirë” për lidershipin.
Është e paqartë nëse anëtarët e partisë që kanë lënë postet e tyre për shkak të Bashës do t’i bashkohen Berishës apo jo.
Analisti nga Tirana, Alfred Lela e krahasoi situatën brenda Partisë Demokratike me një anije që po fundoset.
“Basha duket i ngecur në një varkë që po fundoset dhe gjithnjë e më shumë njerëz po hidhen prej saj për të shpëtuar jetën e tyre, lëkurën, fytyrat dhe karrierën e tyre politike”, tha Lela për Euronews Albania.
“Basha po reziston, por është një lloj rezistence që bie ndesh me sensin e zhvillimeve”, shtoi ai.
Në një analogji sportive, Lela tha se fusha e futbollit të Bashës nuk ka vija apo rregulla. “Basha preferon të luajë në një fushë që nuk ka vija, pa goditje nga këndi, pa penallti… Loja e tij nuk ka as pikë fillimi dhe as mbarimi”, përfundoi ai.