Enri Canaj është ulur në Pagrati, një lagje e Athinës e njohur për qiratë dhe apartamentet e shtrenjta Airbnb. Ai është kthyer së fundmi nga Ukraina dhe do të kthehet përsëri së shpejti atje.
I lindur në Shqipëri, ai jeton prej 30 vitesh në Greqi, duke punuar si fotograf për mediat e huaja dhe ato greke. Enri ka fituar çmime për punën e tij dhe disa vite më parë realizoi ëndrrën e çdo fotografi – duke iu bashkuar agjencisë më prestigjioze në botë, Magnum. Libri i tij i parë, “Say Goodbye before you leave”, është botuar së fundmi.
Teksa sheh fotografitë e tij, vë re se aty mbizotëron e bardha dhe e zeza, ndërsa subjektet janë kryesisht gra dhe fëmijë, emigrantë dhe refugjatë. Përdorimi i ngjyrave bardhë e zi është më shumë një domosdoshmëri, shpjegon ai, dhe ka qenë në të njëjtën kohë pjesë e kujtimeve të tij të fëmijërisë.
“Drita në Greqi është ‘e fortë', ndaj kontrasti në fotot me ngjyra nuk është intensiv; ngjyrat ‘digjen' shpesh. Por, teksa i kthehem të kaluarës time, mund t'ju them se deri në moshën 11-vjeçare, të gjitha fotot që kisha parë dhe që morëm me vete kur erdhëm në Greqi ishin bardh e zi”, thotë ai.
Fotografitë grua-fëmijë janë ato që mbizotërojnë, rrëfen ai. Imazhet e tyre teksa përpiqen të bëjnë udhëtimin e tyre të gjatë dhe të vështirë drejt perëndimit gjithmonë e prekin atë. “Gjithmonë i kam parë më të brishta sesa meshkujt. Veç kësaj, më kanë mbetur në mendje imazhet e fëmijëve”, shton ai.
Ndarja e të njëjtit hotel me punonjëset e seksit

Canaj ishte njëmbëdhjetë vjeç kur erdhi në Greqi me familjen e tij. Ata nuk e dinin se çfarë do të thoshte emigrim. Plani i tyre fillestar ishte të vinin për disa muaj dhe të largoheshin, por ata nuk u larguan më kurrë.
Fillimisht ata qëndruan në një hotel në sheshin Omonia të Athinës. Në katin e parë, vajzat aty punonin si punonjëse seksi. Në atë kohë, këtë e bënin vetëm gra greke. Më vonë atyre do t'u bashkoheshin gra nga Afrika, Ballkani dhe vendet ish-sovjetike.
Ai dhe motra e tij nuk e kuptonin se çfarë lloj pune po bënin këto gra: “Mbaj mend që ato ishin të grimuara. I shikonim dhe ato na jepnin ca nga paratë e tyre.”
Pas hotelit, familja e tij u zhvendos në një dhomë. Brenda një viti, ata kishin gjetur shtëpinë e tyre. “Prindërit e mi bënin të gjitha punët që grekët nuk donin t'i bënin. Nëna ime punonte në një hotel, kurse babai në ndërtim. Fillova punë edhe unë. Fillimisht shisja simite, pastaj në një zdrukthtari. Kuptova se jeta jonë kishte ndryshuar. Askush nuk më kërkoi të punoja, por ndjeva se duhej të mbaja familjen time”, kujton ai.
Për shkak natyrës së tij të shoqërueshme, ai mësoi greqisht para se të shkonte në shkollë. Në shkollë ai ishte i vetmi nxënës shqiptar.
“Në një farë mënyre, isha i detyruar të bëja vetë çdo gjë, pasi mësuesi nuk më kushtonte kohë. Edhe tani, nuk shkruaj mirë. Të dyja gjuhët nuk i kam mësuar si duhet, sepse në Shqipëri kam shkuar në shkollë deri në klasën e tretë, ndërsa në Greqi për shkak të situatës sonë, kam humbur një vit shkollë. Do të doja të kisha mësuar të shkruaja mirë”, thotë ai.
Edhe grek edhe shqiptar

Canaj ka ruajtur emrin e tij shqiptar, ndryshe nga shumë bashkatdhetarë të tij që kanë ndryshuar emrat në grekë, për t'u integruar më lehtë në shoqëri. Një nga punëdhënësit e tij një herë i tha që të pagëzohej. “Nuk është keq të pagëzohesh, por kjo nuk duhet bërë nën presion, dhe atëherë kishte shumë presion, sidomos në shkollë”, thotë ai.
Në fillim, grekët ishin të hapur ndaj tyre. Në shtëpinë e tyre vinin njerëz, u sillnin rroba dhe lodra. “Ne ishim një lloj atraksioni turistik”, thotë Canaj.
Por nga viti 1993 e në vazhdim, gjërat ndryshuan, me valën e madhe të migrimit të shqiptarëve në Greqi. “Policia u bë më e dhunshme. Mbaj mend kur isha 14 vjeç dhe filluan të na kontrollonin për të verifikuar dokumentet tona”, shton ai.
Canaj shmang përmendjen e incidenteve raciste që ka përjetuar, por pranon se ato kanë lënë shenjë tek ai. Për t'u përballur me situata të tilla të pakëndshme, ai përdori një metodë të tijën. “Vendosja në peshore gjithçka. Në njërën anë ishin njerëzit që më jepnin dashuri dhe mbështetje dhe më pas të gjithë të tjerët. Ajo që peshonte më shumë, dhe që shëronte plagët e mia, ishte dashuria që kisha marrë.”
“Të tjerët do të ekzistojnë gjithmonë. Përtej kësaj, të gjithë duhet të gjejnë një mënyrë për t'u mbrojtur nga situata të tilla dhe për mua, ajo që më dha më shumë fuqi ishte gjuha, në mënyrë që të përballesha me të gjithë me argumente.”
Një koleg gazetar, i cili është gjysmë grek dhe gjysmë ukrainas, i tha njëherë BIRN se ndihej si i huaj si në Greqi ashtu edhe në Ukrainë. Për Canajn Greqia është vendi i tij, edhe nëse disa e konsiderojnë si të huaj.
“Je gjithmonë i huaj këtu dhe atje. Nuk mund të them se ndihem i lidhur me Shqipërinë. Fillimisht, mendoj në greqisht e pastaj në shqip. Kam 30 vjet që jetoj këtu tashmë. A ka mundësi që ky atdhe të mos jetë i imi? Jam njëkohësisht edhe grek edhe shqiptar. Dhe kjo është e vërteta. Emigrantëve duhet t'u jepe mundësia që të integrohen më shumë në shoqërinë greke”, thekson ai.
Emigrantët në Greqi nuk duhet të fshihen
Fotografia hyri krejt papritur në jetën e tij. Një herë, ai kaloi para një ekspozite fotografike dhe i tha vetes se kjo ishte ajo që donte të bënte. “Disa gjëra në jetë nuk ndodhin rastësisht”, thotë Canaj.
Ai u regjistrua në një shkollë dhe filloi punë si asistent fotograf në vitin 2003, duke bërë fotografi mode. Ai nuk kishte para për të blerë libra fotografie, ndaj e kalonte kohën në një librari të vogël duke kërkuar librat e fotografëve të njohur. Midis tyre ishte edhe libri i Nikos Economopoulos për Ballkanin. “Kur pashë këtë, thashë me vete se kjo është ajo që dua të bëj”, nënvizon ai.
Mediat e para ku ai punoi ishin Ta Nea, Vima dhe Tachydromos. Ai iu bashkua Kathimerinit në vitin 2013. Thotë se ishte i vetmi shqiptar atje.
“Pas 30 vjetësh nuk e di nëse ka ndonjë punëtor të huaj në shtypin grek. Kjo është diçka që më shqetëson shumë”, thotë ai.
“Në median greke nuk ka diversitet. Ajo që dua të shoh në Greqi është më shumë emigrantë që punojnë në punë të tjera që janë në përditshmërinë tonë, jo të fshehur pas perdeve, duke bërë punë nga më të pistat, por t'u jepet mundësia të jenë të pranishëm.”
Luftën nuk mund ta tregosh në një mënyrë të vrazhdë
Canaj ka pasur përvojë në mbulimin e krizave të refugjatëve, por mbulimi i luftës në Ukrainë ishte i pari dhe ai nuk e di nëse dëshiron ta bëjë përsëri. Në Nikolaev, një qytet në jug të Ukrainës, ai u trondit nga pamjet e dhimbshme: “Përveç kufomave, të cilat ishin shumë, nuk kishte kohë për të respektuar të vdekurit, për të bërë ceremonitë e varrimit.”
“Në valën e punës, nuk ndalon të kuptosh atë që ke parë dhe pastaj shkon në misionin e radhës. Megjithatë, ato janë në nënndërgjegjen tënde dhe më pas dalin në pah”, thotë Canaj.
Ai përjetoi sindromën e stresit post-traumatik, PTSDS. Këtë e kishte ndjerë edhe më parë, në vitin 2016, kur mbulonte krizën e refugjatëve. “Të gjithë gjejnë mjetet e veta për ta përballuar këtë”, thotë ai dhe shton: “Mua më ndihmon shumë stërvitja, leximi dhe pushimi.”
Ndërkohë lexuesit po familjarizohen gjithnjë e më shumë me imazhet “e shëmtuara” – pa u tronditur më nga dhimbja e njerëzve, ndërtesat e rrënuara apo edhe kufomat.
Gazetarët dhe fotografët që mbulojnë konflikte të tilla kanë një përgjegjësi të madhe, thotë ai.
“Luftën nuk mund ta tregosh në një mënyrë të vrazhdë. Si fotografi ashtu edhe gazetari duhet ta bëjnë atë në një mënyrë që imazhi dhe teksti të përcjellin ndjenjë. Nuk mund të mbajmë aparatet në dorë dhe të mos ndiejmë asgjë”, përfundon ai.