“Ju lutem më ndihmoni ta heq këtë nga trupi im”, kjo është ajo që një grua ukrainase e përdhunuar nga ushtarët rusë, e cila ishte arratisur në Poloni, i tha bashkëbisedueses së saj në linjën e ndihmës që ajo kontaktoi, sipas Krystyna Kacpura, drejtuese e OJQ-së polake Federa, Fondacioni për Gratë dhe Planifikimin Familjar.
Federa, e cila ka një histori të gjatë në asistimin e grave polake për të ushtruar të drejtat e tyre riprodhuese, ka krijuar një linjë të veçantë ndihme për refugjatët ukrainas që kur lufta në vendin e tyre filloi pothuajse pesë muaj më parë, e drejtuar nga një gjinekologe ukrainase.
Gruaja tha në telefon se ishte përdhunuar, por nuk donte që ky informacion të dilte në dritë dhe t’ia shtonte barrën burrit të saj, i cili ishte ende duke luftuar në Ukrainë.
“Nuk arrita as t’ia shihja tamam fytyrat”, tha gruaja për përdhunuesit të saj. “Humba ndjenjat pasi më përdhunoi i treti. Dua ta harroj këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk dua të konsiderohem si viktimë e përdhunimit.”
Ashtu si viktima të tjera ukrainase të përdhunimit që arritën në Poloni dhe kontaktuan grupet e të drejtave të grave për ndihmë në ndërprerjen e shtatzënive të tyre të padëshiruara, kjo grua përfundoi duke bërë një abort farmakologjik në shtëpi, në fshehtësi, duke përdorur ilaçe të dërguara nga aktivistet e të drejtave të grave që jetojnë jashtë vendit, tha Kacpura.
Që kur qeveria e krahut të djathtë e Polonisë projektoi kufizime të mëtejshme për abortin në vitin 2020, vendi tani ka një nga regjimet më të ashpra në botë përsa i përket kësaj praktike. Sot, është e mundur të ndërpritet shtatzënia vetëm në rastet kur jeta e nënës është në rrezik ose nëse shtatzënia është pasojë e përdhunimit ose incestit.
Ndërsa gratë ukrainase të përdhunuara nga ushtarët rusë normalisht do të kualifikoheshin për një abort të ligjshëm në Poloni, procedura e përdorur për të përcaktuar nëse shtatzënia mund të ndërpritet ligjërisht është aq e pavolitshme saqë e bën atë të padobishme, thonë mbrojtësit e të drejtave të grave.
Nuk janë bërë përjashtime as për refugjatet ukrainase, që do të thotë se shumica e tyre përfundojnë duke i ndërprerë shtatzënitë e padëshiruara duke marrë ilaçe në shtëpi dhe duke humbur kujdesin kompleks mjekësor pas përdhunimit që zakonisht ofrohet në raste të tilla.
Jo abort, zyrtarisht
Për të bërë një abort ligjërisht nëse shtatzënia është rezultat i përdhunimit në Poloni, procedura duhet të miratohet nga një prokuror që heton rrethanat e krimit të supozuar, në një proces që mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.
Anita Kucharska-Dziedzic, një parlamentare polake e krahut të majtë, e cila dy herë inicioi ndryshime legjislative për të reduktuar këtë periudhë kohore për refugjatet ukrainase (të dyja të refuzuara nga parlamenti polak), thotë për BIRN se “është praktikisht e pamundur të përfitohet nga ky opsion në Poloni”.
“De fakto, e drejta për abort kur shtatzënia është pasojë e përdhunimit është legjislacion i vdekur”, thotë ajo.
Politikani thekson se vetëm rreth 1 për qind e rreth 1,000 aborteve të ligjshme që ndodhin në Poloni çdo vit janë për shkak të një shtatzënie që vjen nga përdhunimi – ky është një numër shumë i vogël kur merret parasysh se në një vit në këtë vend me rreth 38 milionë banorë vlerësohet të ndodhin rreth 30,000 përdhunime.
Qeveria polake, e udhëhequr nga partia e djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS), ka qenë shumë mikpritëse për mbi 3 milionë refugjatët ukrainas që kanë kaluar në vend që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit. Në të njëjtën kohë, ndonëse nuk e hodhi poshtë kurrë idenë që refugjatet ukrainase të kryenin aborte në Poloni, qeveria nuk mund ta përqafonte asnjëherë haptazi atë, sepse ajo është pozicionuar si një mbrojtëse e vendosur e vlerave “tradicionale” familjare dhe po vëzhgohet nga afër nga grupe ultra-konservatore që luftuan me sukses për legjislacionin më të rreptë të abortit.
Si rezultat, fakti që refugjatet ukrainase të përdhunuar nga ushtarët rusë po kryejnë abort në Poloni, ka mbetur një lloj “sekret i hapur” derisa mediat në Poloni filluan ta nxirrnin në pah këtë çështje kohët e fundit. Disa raportuan se një institucion mjekësor në Varshavë, për shembull, po kryente edhe aborte kirurgjikale te gratë ukrainase, pa e zbuluar kurrë emrin e vendit. BIRN nuk ishte në gjendje ta verifikonte këtë informacion.
Shifra konkrete për gratë ukrainase të përdhunuara nga ushtarët rusë është e vështirë të përcaktohet. Në fillim të qershorit, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se kishte marrë raporte për 124 akte të dyshuara dhune seksuale të lidhura me konfliktin në të gjithë Ukrainën. Muajin e kaluar gjithashtu, në Ukrainë nisi gjyqi i një ushtari rus të akuzuar për përdhunim, me të gjykuarin në mungesë. Në atë kohë, një prokuror që punonte në rastet e dhunës seksuale tha për Reuters se po hetoheshin deri në 50 krime që përfshinin sulme seksuale dhe përdhunime.
Abortion Dream Team, një nga grupet kryesore që ofron mbështetje për gratë që kanë nevojë për abort në Poloni, njoftoi në fillim të korrikut se kishte ndihmuar 550 refugjate ukrainase në Poloni të abortonin që nga 1 marsi (nuk specifikoi se sa, nëse ka, ishin viktima të përdhunimit). Pesë nga ato gra, tha grupi, u ndihmuan të shkonin në një klinikë jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër morën mjekim për të provokuar një abort.
Anita Kucharska-Dziedzic, parlamentarja, i tha BIRN në mes të qershorit se ajo ishte në dijeni të 80 aborteve të tilla kirurgjikale të kryera ndaj refugjateve ukrainase në Poloni, por ajo nuk do të zbulonte identitetin e askujt, në mënyrë që ata të mos vuanin pasojat e kësaj (mjekët dhe të tjerë që ndihmojnë me aborte përballen me burg në Poloni). As BIRN nuk ishte në gjendje ta verifikonte këtë informacion.
Ordo Iuris, grupi kryesor ultra-konservator katolik që qëndron pas fushatës për të shtrënguar edhe më tej të drejtën e abortit në vend, me sa duket, po merrte vetë raporte se në Poloni po kryheshin aborte kirurgjikale, sepse në maj dërgoi kërkesa në spitalet në të gjithë vendin për të mësuar nëse ata kishin kryer aborte për gratë ukrainase viktima të përdhunimit dhe nëse ishin respektuar procedurat e duhura.
Më 5 korrik, grupi publikoi një deklaratë për shtyp në të cilën tha se asnjë nga 370 spitalet që kontaktoi nuk konfirmoi kryerjen e aborteve të shtatzënive si rezultat i përdhunimit, megjithëse grupi thekson se “shumë spitale” nuk iu përgjigjën pyetësorit të tij.
“Ne jemi të vetëdijshëm se kërkesat e krahut të majtë për t’u dhënë grave ukrainase ‘të drejta të veçanta’ në qasjen në abort nuk janë një manifestim i kujdesit për fatin e grave”, shkroi Ordo Iuris, “por një përpjekje për ta futur abortin nga ‘dera e pasme në vendin tonë’.”
Pas një pyetjeje parlamentare të bërë nga deputetja Kucharska-Dziedzic, një përfaqësues i Ministrisë polake të Drejtësisë tha në fund të prillit në parlament se prokurorët polakë kishin marrë në pyetje 1,300 dëshmitarë në lidhje me hetimet e krimeve të luftës të kryera në Ukrainë. Kucharska-Dziedzic sugjeroi kur foli për BIRN se ky numër mund të përfshijë viktima të përdhunimit.
Megjithatë, autoritetet polake e mohojnë këtë. Në një përgjigje për BIRN, Zyra e Prokurorit Kombëtar tha se asnjë nga 1,200 dëshmitarët e marrë në pyetje nga prokurorët polakë (numri i dhënë nga Prokuroria ndryshon nga ai i paraqitur nga përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë) nuk ishin viktima ukrainase të përdhunimeve të kryera nga trupat ruse.
“Sipas informacioneve që kemi, viktimat e krimeve seksuale raportojnë në prokurorinë e Ukrainës”, shkruante Prokuroria Kombëtare në përgjigje. “Megjithatë, nuk ka asnjë pengesë formale që prokurorët polakë – nëse shfaqen raporte të tilla – të mbledhin prova të përdhunimeve të kryer nga rusët.”
Gratë ia dalin mbanë, disi
Sipas aktivisteve polake për të drejtat e grave, viktimat ukrainase të përdhunimeve jo vetëm që mund të kthehen në Ukrainë për të paraqitur prova për rastet e përdhunimeve, por edhe për të kryer abort.
Kacpura nga Federa tha se, veçanërisht në pjesën lindore të Polonisë, ajo ka dëgjuar për raste të refugjateve ukrainase që kthehen përsëri në Ukrainë për disa ditë për të marrë kujdesin e duhur mjekësor pasi janë përdhunuar.
Sipas Kacpura, një problem i rëndësishëm me gratë që kryejnë abort në shtëpi pas përdhunimit është se ndërprerja e shtatzënisë nuk është e mjaftueshme.
“Abortet mjekësore në shtëpi janë krejtësisht të sigurta në shtatzënitë e hershme, por në rastin e përdhunimeve ekziston një procedurë e tërë mjekësore që duhet të kryhet nga profesionistë, e cila përfshin teste për HIV dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme ose administrimin e terapisë antiretrovirale nëse është e nevojshme”, shpjegon Kacpura.
Megjithatë, nëse gratë shkojnë në spital në Poloni për të marrë këtë kujdes kompleks pas përdhunimit, mjekët janë të detyruar të lajmërojnë policinë dhe mund të fillojë një hetim, duke ngadalësuar procesin. Kjo i pengon gratë të shkojnë në spital në Poloni, thotë Kacpura.
Kujdesi psikologjik i përkushtuar pas përdhunimit gjithashtu, në këto rrethana, u lihet kryesisht aktivistëve në Poloni, të cilët kanë mbledhur psikologë që flasin gjuhën ukrainase, të gatshëm për të ndihmuar, nëse është e nevojshme.
Pavarësisht nga trauma e madhe që kanë pësuar, duket se viktimat ukrainase të përdhunimit janë lënë kryesisht vetëm në Poloni – duke përjashtuar rrjetet e aktivistëve në dispozicion të tyre.
“Mbështetja për refugjatet ukrainase u ofrua kryesisht nga shoqëria polake, me qeverinë që bën çmos për të siguruar që refugjatët të jenë sa më pak barrë që është e mundur”, komenton Kucharska-Dziedzic. “Qeveria polake po ndihmon për të siguruar që refugjatët të mund të punojnë dhe të mbajnë veten sa më shpejt të jetë e mundur dhe po fokusohet gjithashtu në ndihmën ushtarake, në mënyrë që burrat në Ukrainë të kenë se me çfarë të luftojnë.”
“Por gratë dhe fëmijët, duket se janë më pak të rëndësishëm për qeverinë tonë”, ankohet deputetja e opozitës.