Jani Kola ishte 18 vjeç kur nisi punën për mbushjen me gurë të një burimi me ujë të kristaltë në fshatin Geghysen të Tropojës, për t'i hapur rrugë një guroreje që do të shërbente për ndërtimin e digës së liqenit të Fierzës – hidrocentrali kryesor i prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri.
Punimet nisën në vitin 1969 dhe burimi i varrosur nën gurë njihej nga banorët e zonës me emrin “pusterr”.
“I themi pusterr, sepse ishte shumë i thellë, si pus. Po të shikojë poshtë kishte vetëm terr, nuk kishte asnjë rreze drite,” kujton me nostalgji Kola, sot rreth të 70-ave.
Gurorja funksionoi për më shumë se një dekadë derisa u braktis pas përfundimit të hidrocentralit të Fiezës në fillim të viteve '80. Por në janar të këtij viti, një karvan makinerish të rënda u shfaq papritur në guroren e vjetër, duke alarmuar banorët e zonës.
“Ditën që erdhën makinat më morën në telefon banorët. Nuk dinim asgjë. Askush nuk na kishte vënë në dijeni se aty kishte një plan zhvillimi,” kujton Kola, njëherazi kryeplak i fshatit.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Bashkia e Tropojës i hapi rrugë ngritjes së një impianti të prodhimit të katranit dhe asfaltit në fshatin Geghysen, përmes dhënies me qira të një fondi pyjor në favor të kompanisë “Byberi” sh.p.k.
Projekti kundërshtohet me forcë nga komuniteti për shkak të ndotjeve që mund të shkaktojë në mjedis dhe dëmtimit potencial të perspektivës turistike të zonës.
Përveç shqetësimeve për ndikimin mjedisor, projekti ngre dyshime edhe për konflikt të mundshëm interesi, pasi kompania “Byberi” është në pronësinë e të afërmit të kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi.
Avni Byberi, administrator i kompanisë “Byberi”, mohoi që të jetë favorizuar për shkak të lidhjeve familjare me kryebashkiakun e Tropojës dhe pretendoi se ishte detyruar që ta zhvendoste biznesin në Geghysen për shkak të një urdhri të mëparshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
“Unë një impiant kam e nuk po punoj dot, të tjerët kanë një me leje e dhjetë pa leje,” tha Byberi.
Kryebashkiaku Rexhë Byberi nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për konfliktin e mundshëm të interesit.
Dhënia dhe pezullimi i lejes mjedisore
Kompania “Byberi” është themeluar në vitin 2013 dhe ka si aktivitet kryesor prodhimin dhe shitjen e materialeve për shtrimin e rrugëve. Kompania e ka ushtruar më parë aktivitetin në fshatin Shoshan në pellgun e Valbonës, por sipas administratorit Avni Byberi, e dëbuan që aty me urdhër të IKMT-së me pretendimin se ndodhej në park kombëtar.
“Me urdhër të atij “të gjatit” më sollën fadromat e IKMT. Nuk më sollën as njoftim, as vendim, por më thanë ose hiqe ose do të fusim në burg, se është brenda parkut kombëtar,” u ankua Byberi, ndërsa këmbëngul se impianti i mëparshëm nuk ndodhej brenda parkut.
Në kërkim të një destinacioni të ri për biznesin e tij, Byberit nuk iu desh të shikonte larg.
Më 14 janar 2022, kompania “Byberi” i kërkoi Bashkisë së Tropojës marrjen në përdorim të një ngastre prej 4700 m2 fond pyjor në fshatin Geghysen për të instaluar një impiant të lëvizshëm të prodhimit të inerteve, betonit dhe asfaltit në gjurmët e gurores së vjetër që kishte shërbyer për ndërtimin e Fierzës.
Dy javë më vonë, më 28 janar, Këshilli Bashkiak i Tropojës dha pëlqimin për dhënien me qira të kësaj sipërfaqeje toke në favor të kompanisë “Byberi”, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.
Vendimi i Këshillit Bashkiak i mundësoi kompanisë “Byberi” që të siguronte një leje mjedisore të tipit B më 24 qershor nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Por leja mjedisore u pezullua në fillim të korrikut, pasi një peticion i firmosur nga kryepleqtë e fshatrave Geghysen, Dushaj, Raje dhe T'pla mbërriti në ministri.
Vendimi i pezullimit që BIRN e siguroi përmes një kërkese për të drejtë informimi tregon se dy institucionet që kishin dhënë lejen mjedisore iu rikthyen verifikimit dhe zbuluan se kompania “Byberi” nuk kishte zbatur detyrimin ligjor për të kërkuar heqjen e sipërfaqes së marrë me qira nga fondi pyjor dhe kullosor.
Për më tepër, një inspektim në terren zbuloi se kompania kishte filluar aktivitetin për përgatitjen e sheshit dhe instalimin e pajisjeve, ndonëse nuk i lejohej.
Kryeplaku Kola i tha BIRN se i gjithë procesi ishte miratuar në fshehtësi dhe protesta e mbi 300 banorëve përpara Këshillit Bashkiak të Tropojës kishte rënë në vesh të shurdhër. Ai pretendoi gjithashtu se dëgjesat publike me banorët e zonës ishin manipuluar.
“Unë si kryeplak kam të drejtë të jem në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, por atë ditë [më 28 janar] na urdhëruan të dalnim jashtë. Sigurisht që ne nuk pranuam,” kujton Kola, i cili ishte dëshmitar i miratimit të vendimit.
“Jemi 300 shtëpi që na rrënohet jeta po të vihet ajo fabrikë në punë,” shtoi ai.
Byberi i tha BIRN se po ndëshkohet padrejtësisht dhe se ka paditur Ministrinë e Mjedisit në gjykatë për urdhrin e pezullimit. Ai shtoi gjithashtu se i ka përmbushur detyrimet e tij ligjore dhe se detyrimi për heqjen e sipërfaqes nga fondi pyjor i takon bashkisë dhe jo kompanisë së tij.
“M'u ka shkel e drejta me të dy këmbët.. Kam çuar kërkesa pranë ministrisë së Mjedisit, Avokatit të Popullit, do ta ndjek deri në Strasburg,” tha Byberi, ndërsa pretendoi se kjo situatë i kishte shkaktuar qindramijë euro dëme.
Beteja e banorëve
Fshati i thellë Geghysen në luginën e Fierzës ndahet më dysh mes myslimanëve dhe katolikëve, por të dy komunitetet i kanë varur shpresat te turizmi, që sapo ka filluar t'i japë frymë kësaj zone.
Zona konsiderohet tashmë si “Porta e Alpeve” për shkak të trageteve që shkojnë nga Komani në Fierzë dhe qindra turistë që kalojnë aty në rrugëtimin e tyre drejt maleve.
Hapja e bujtinës “Adora” ka ndikuar gjithashtu në gjallërimin e zonës edhe përmes blerjes së produkteve nga banorët. Një hap larg nga gurorja, pronari Paulo Gjoka thotë se ngritja e impiantit e dënon biznesin e tij me vdekje.
“Është jashtë çdo logjike që pranë meje që jam licencuar për agroturizëm, t'i jepet leja edhe një guroreje dhe një impianti të tillë. A kanë ekspertë këto institucione? Imagjinoni gjithë atë re tymi që do të prodhojë dhe unë jam 400 metra larg,” tha Gjoka, ndërsa shtoi se bujtina e tij frekuentohet për ajrin e pastër.
Gjoka shtoi gjithashtu se banorët janë të vendosur t'i shkojnë deri në fund betejës për ndalimin e impiantit, qoftë edhe me koston e konfliktit fizik.
“Do të ketë përplasje fizike, është e palejueshme të ndodhë kjo. Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë,” shtoi ai.
Bashkim Dushaj merret prej 30 vitesh me bletari, por vetëm vitet e fundit ka filluar t'i ecë mbarë puna. Zona është e njohur për pyjet e gështenjës, që sipas Dushajt prodhojnë mjaltin më të kërkuar në vend. Burri shprehet i vendosur për të mos e lejuar guroren që “t'ua nxijë sërish jetën”.
“Bleta ime vdes menjëherë,” tha Dushaj, duke parashikuar se bleta nuk mund të bashkëjetojë me ndotjen që shkakton fabrika e asfaltit. “Ne jemi luginë e ndotja qëndron pezull, nuk largohet. E kemi provuar edhe kur ka qenë gurorja hapur dhe na ka ngordhur gjithë bleta,” shtoi ai.
Sipas ekspertit mjedisor, Arion Sauku, projekti i impiantit mbart edhe rreziqe të tjera, për shkak të distancës së vogël nga ujësjellësi i zonës, shkolla e fshatit dhe shtëpitë e banorëve.
“Ka impakt të drejtëpërdrejtë, sepse të gjitha shpërthimet, gjithë llumrat apo pluhurat përfundojnë në trupat ujorë, duke e kontaminuar atë dhe të gjithë zonën përreth,” tha Sauku.
Jani Kola i ka ende të freskëta kujtimet kur gurorja ishte ende në punë; ai thotë se jetuan për vite me radhë mes pushtetit të minave dhe reve të pluhurit, që zhdukën çdo gjë të pastër në zonë.
“Ka vuajt boll ky komunitet nga Fierza,” thotë Kola, ndërsa shton se “është vend që ka hangër jetë dhe nuk na ka lanë me jetu për shkak të pluhurit të madh”.
Ndërsa Arben Kola, një guidë që prej vitesh shoqëron turistë nga e gjithë bota, nuk e fsheh zhgënjimin nga projekte të tilla, që sipas tij kanë zaptuar të gjithë Alpet.
“Ndoshta do të vazhdojë edhe pak të vijnë turistë… por ata vijnë në Shqipëri pikërisht për natyrën e paprekur dhe një stil ndërtimi shumë minimalist,” tha Kola.
“Fierza sapo kishte filluar të zbulohej si destinacion i ri, por nëse ndodh që të instalohet kjo fabrikë, atëherë edhe kjo zonë do të vdesë,” përfundoi ai.