Ekipi kombëtar i futbollit i Ekuadorit më 20 nëntor do të nisë Kupën e Botës 2022, duke luajtur me vendin pritës të kupës, Katarin, në stadiumin e tij Al Bayt.
Kualifikimi i Ekuadorit për turneun më të madh sportiv në botë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për njerëzit e këtij vendi të vogël të Amerikës Latine, të cilët ndihen shumë krenarë për aftësitë e tyre në futboll.
Kjo është gjithashtu sepse rruga e ekipit të tyre drejt njohjes globale ka qenë e vështirë dhe e gjatë. Ekuadori ishte ekip një i dobët në skenën konkurruese të futbollit të Amerikës Latine për dekada me radhë.
Por një progres erdhi 20 vjet më parë, në vitin 2002, kur Ekuadori u kualifikua për herë të parë në një Kupë Bote. Dhe ajo që të gjithë në vend pajtohen është se pas këtij suksesi qëndronte puna e palodhur dhe vizioni i një malazezi të quajtur Dusan Draskoviç.
Draskoviç, tani 83 vjeç, për herë të parë shkeli në Ekuador më 5 mars 1988. Ai mbërriti nga Jugosllavia e atëhershme duke ditur shumë pak spanjisht dhe shuë pak njohuri për vendin që tani e quan shtëpi.
“Në avion, i kërkova një gruaje që u ul rastësisht pranë meje, që të më ndihmonte të bëja një fjalim të shkurtër për gazetarët që mund të hasja në aeroport. Por kur zbrita dhe pashë turmën e madhe të tyre dhe tifozët e futbollit, u shqetësova dhe nuk gjeta letrën që shkrova në aeroplan”, kujton ai.
Ai kishte ardhur në Amerikën Latine me një mision për të mbledhur dhe menaxhuar një ekip të ri kombëtar ekuadorian të futbollit. Në një kontinent plot me ekipe kombëtare joshëse futbolli, si Brazili, Argjentina dhe Uruguai, ekipi i Ekuadorit ishte i dobët dhe nuk kishte paraqije të mirë në garat e Copa America.
Zgjedhja e tij nuk ishte e rastësishme. Federata Ekuadoriane e Futbollit ishte e bindur se duhej të provonte një trajner jugosllav për të rritur shanset e ekipit të tyre kombëtar.
“Jugosllavia kishte futboll cilësor në atë kohë dhe po krijonte një brez të mirë teknikësh futbolli, të kërkuar në të gjithë botën”, tha Draskoviç për BIRN.
Ai e filloi sfidën e Ekuadorit në moshën 49-vjeçare, duke lënë pas një karrierë si menaxher për disa klube në Jugosllavi dhe pas një qëndrimi të shkurtër e të pasuksesshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe.
I lindur në Banja Luka, në Bosnjën veriperëndimore, në një familje malazeze, ai filloi të luante futboll për skuadrat lokale si Njegos i Lovcenacit, Spartaku i Suboticës, Radnicki i Nishit dhe klube si Vojvodina dhe Vrbas në Vojvodinë.
Ai e la lojën në moshë të re për shkak të një dëmtimi, por nuk e la futbollin. Në moshën 22-vjeçare, ai u regjistrua dhe përfundoi një kurs 35-ditor tekniku në Subotica, një kualifikim që hapi një derë të re karriere.
Karriera e tij drejtuese në futboll filloi në Hajduk Veljko, një klub në qytetin e vogël të Negotinit, më pas në Spartak në Subotica dhe Borac të Banja Lukës.
Draskoviç tani jeton në Guayaquil, qyteti më i madh dhe porti kryesor i Ekuadorit. Ai drejtoi ekipin kombëtar të futbollit nga 1988 deri në 1993, dhe më pas u transferua në klube të mëdha ekuadoriane si Barcelona SB, Emelek dhe Deportivo Quito.
Prania e tij në një kafene në qendër të qytetit nuk kalon pa u vënë re. Njerëzit ndalojnë vazhdimisht për ta përshëndetur dhe komplimentuar dhe për t’i kërkuar fotografi apo edhe mesazhe video që mund t’i ndajnë me miqtë dhe të dashurit.
Kur erdhi për të marrë përsipër kombëtaren e Ekuadorit, sfidat ishin më të larta se Andet. Skena e futbollit ishte e çorganizuar dhe e pakoordinuar, talenti mungonte, infrastruktura bazë dhe gjendja shpirtërore ishte e ulët.
“Më ndihmoi shumë fakti që po vija nga Ballkani. Nuk mendoj se një menaxher gjerman, për shembull, do të kishte gjetur guximin për të trajtuar ato vështirësi dhe për të parë shpresë”, tha ai.
Draskoviçi bëri menjëherë një turne në vend. Ai shkoi të shihte të rinjtë që luanin futboll kudo që ishin, në klube apo lagje lokale. Së shpejti ai bëri përzgjedhjet e para, kryesisht djem me prejardhje të varfër që kishin talent për futbollin, por nuk kishin përgatitje.
“Fillova të punoj me ata me talent, duke ndryshuar tërësisht metodologjinë e stërvitjes. Nuk theksova vetëm përgatitjen e tyre fizike, por atë psikologjike. Kam punuar me temperamentin, inteligjencën, karakterin dhe personalitetin e tyre”, kujton ai.
Ndryshimi i mentalitetit të lojtarëve dhe ndërtimi i vetëbesimit të tyre u bënë prioritetet e tij.
“Lojtarët ekuadorianë nuk kishin asgjë më pak se bashkëmoshatarët e tyre më të suksesshëm të Amerikës Latine. Ata kishin nevojë vetëm për kujdes dhe udhëzime dhe të mësonin se si të ishin të sigurt në vetvete”, tha ai.
Maria Belen Arroyo, një gazetare e shquar në Ekuador, beson se gjatë pesë viteve të drejtimit të ekipit kombëtar ai filloi një revolucion në futboll.
“Ekziston konsensus i plotë në Ekuador se Dusani është një revolucionar. Ai krijoi një ekip kombëtar futbolli që frymëzoi shumë të rinj të donin futbollin dhe të bëheshin lojtarë profesionistë, veçanërisht ata nga vendet me nivele të larta varfërie, pa arsim apo mundësi pune. Para tij, askush nuk besonte në një karrierë në futboll”, tha ajo për BIRN.
Nën drejtimin e tij, Kombëtarja e Ekuadorit filloi të tregojë profesionalizëm, të fitojë njohje dhe respekt nga konkurrentët dhe të formojë një brez solid lojtarësh të talentuar.
Në vitin 1993, Copa America u mbajt në Ekuador për herë të parë dhe skuadra doli e katërta, përpara atyre më të rëndësishme, si Brazili dhe Uruguai. Përparimi i madh erdhi nëntë vjet më vonë, kur Ekuadori u kualifikua për herë të parë në Kupën e Botës.
“Ekuadorianët besojnë se vizioni dhe puna e palodhur e Dusanit i mbollën ato fara”, thotë Maria Belen Arroyo.
Përveçse e konsiderojnë si revolucionar, mediat e quajnë arkitektin e futbollit modern ekuadorian ose thjesht “profesori”. Për tifozët e futbollit, ai është thjesht një hero.
Draskoviçi i përulur preferon të flasë më shumë për teknikat dhe nevojën për konsistencë në stërvitje si aspektet kryesore pas suksesit të tij në futboll. Ndërsa flet, ai shkarravit taktikat e futbollit në peceta kafeneje, duke folur me pasion në spanjisht – me një theks të veçantë sllav.
Në moshën 83-vjeçare, ai ende punon me lojtarë të rinj, si drejtor futbolli i ekipit të Universitetit Katolik të Santiago de Guayaquil, UCSG. Ai është gjithashtu një komentator futbolli në televizionin ekuadorian dhe autor i një libri mbi teknikat e futbollit. Ai u ka mësuar trajnerëve të rinj të futbollit ekuadorian këshillat dhe truket e profesionit.
Për fat të keq, gjendja e tij shëndetësore nuk do ta lejojë të marrë pjesë në ndeshjen e Ekuadorit në Katar. Por ai do ta shikojë atë nga shtëpia e tij në Guayaquil – krenar për suksesin e tyre – dhe për kontributin e tij në të.