
“Ne jemi si fshati i Asterix dhe Obelix që i rezistojnë Perandorisë Romake”, thotë Jakub Rok, një ekonomist ekologjik në Universitetin e Varshavës, i cili merr pjesë rregullisht në protestën në pyllin e maleve Karpate, në cepin juglindor të Polonisë, ku aktivistët duan të krijohet i ashtuquajturi “Parku Kombëtar i Turnickit”.
“Jemi mësuar me faktin se mund të mos arrijmë sukses material”, psherëtin Rok. “Por vlera e asaj që ne po bëjmë është kryesisht simbolike: ne po rrisim ndërgjegjësimin për shkallën e prerjeve në pyjet e lashtë dhe po i tregojmë gjithashtu kompanisë kombëtare të pyjeve se nuk mund të bëjë biznes si zakonisht pa hasur rezistencë.”
Në juglindje të Polonisë, aktivistët po përqendrohen në mbrojtjen nga prerja e pemëve në malet Bieszczady, shtëpia e popullatave më të mëdha të Polonisë të arinjve, rrëqebullit, ujqërve, maceve të egra dhe shqiponjave, si dhe e popullsisë së dytë më të madhe të bizonëve evropianë në të gjithë botën. Në këto pyje, për shembull, arinjtë femra përdorin pemët e lashta – ato që mund të jenë qindra vjeçare – për të ndërtuar strehat ku ato lindin këlyshët e tyre.
Gjatë muajve të fundit, aktivistët kanë dokumentuar se si prerësit e druve presin pemë deri në 200-vjeçare – ndonjëherë të njëjtat që përdoren nga kafshët për të përmbushur funksionet themelore jetësore. Prerësit kanë zgjeruar gjithashtu rrjetin e rrugëve pyjore, duke prerë gjithnjë e më thellë në zona që nuk janë shfrytëzuar kurrë më parë industrialisht.
Për të kufizuar këtë lloj dëmtimi, aktivistët kanë bërë në mënyrë eksplicite fushatë për të zgjeruar Parkun Kombëtar Bieszczady, i krijuar në 1973, dhe për të krijuar nga e para një zonë të re të mbrojtur, të cilën ata duan ta quajnë Parku Kombëtar Turnicki.
Lënia e një hapësire më të madhe pylli të paprekur jo vetëm që do të mbronte numrin e madh të kafshëve shtëpia e të cilave janë këto pyje, duke lejuar që speciet e rrezikuara të mbijetojnë dhe të lulëzojnë, por gjithashtu do të mbronte komunitetet lokale nga ndikimet e drejtpërdrejta të një klime në ndryshim, të tilla si përmbytjet ose thatësira, si dhe do ta ndihmonte Poloninë në tërësi për të plotësuar nevojat e saj për ujë (Karpatet janë një burim i rëndësishëm uji për të gjithë vendin).
“Ne jetojmë në kohë krize klimatike dhe biodiversiteti. Ka ardhur koha ta kuptojmë këtë dhe të kufizojmë seriozisht ndikimin tonë në natyrë”, thotë Rok.
“Dy dekadat e fundit kanë qenë një periudhë ku ka pasur një rritje të shpejtë të sasisë së lëndës drusore të nxjerrë, si në përgjithësi në Poloni ashtu edhe kur bëhet fjalë për prerjet në zonat e mbrojtura”, vazhdon ai. “Por ne kemi shkuar shumë larg. Është koha jo vetëm të ndalojmë zgjerimin e prerjeve, por të ecim në drejtim të reduktimit të saj. Funksioni ekonomik po mbizotëron atë mjedisor dhe social në rastin e pothuajse të gjitha pyjeve në Poloni dhe kjo s’është diçka e mirë.
Grupi i pathyeshëm

Lëvizja më e gjerë për të mbrojtur Karpatet nga prerja e drurëve e ka origjinën e saj në vitin 2017, kur aktivistët polakë ishin të suksesshëm në një fushatë për të mbrojtur një pyll tjetër primar, Bialowieza në Poloninë lindore.
Të inkurajuar nga ajo fitore, këta aktivistë vazhduan të identifikonin pyje të tjerë të rrezikuar dhe u vendosën në zonën e Bieszczady-t. Në fillim, ata bashkëpunuan me OJQ-të që kishin bërë fushatë për krijimin e Parkut Kombëtar Turnicki, me sukses të kufizuar.
Pikërisht në këtë kontekst atyre u lindi ideja e “bllokadës me shtretër të varur”. Këtu aktivistët lidhin shtretër të varur nëpër pemë ose flenë në platforma të ndërtuara lart, duke mbajtur një prani gjatë gjithë orarit që e bën të pamundur që prerësit të presin ato pemë të veçanta.
Diçka e tillë u organizua për herë të parë nga grupi bazë Wilczyce, i përbërë kryesisht nga të rinj, të cilët u bënë të njohur nga videot e tyre të postuara në internet në të cilat mbanin maska të ndryshme kafshësh. Pushtimi i Wilczyce u thye me dhunë nga policia verën e vitit 2022, por hektarët e pyjeve që ata kishin mbrojtur janë ende në këmbë.
Protesta në të cilën merr pjesë Rok filloi në prill 2021 nga një grup tjetër i quajtur Nisma Karpatet e Egra dhe zona ekziston ende edhe sot.
Të qenit i pranishëm 24/7 në pyll nuk ka nënkuptuar vetëm mbrojtjen e atyre pemëve specifike, por gjithashtu ka bërë që të nisë një dialog i vazhdueshëm me prerësit.
“Është me të vërtetë e rëndësishme të theksojmë se prerësit nuk janë armiqtë tanë dhe ne nuk jemi armiqtë e tyre”, thotë Rok. “Ashtu si në lëvizjen e klimës, aktivistët nuk janë armiqtë e minatorëve. Por, në rastin tonë, ndryshimi është se ne nuk kërkojmë që prerja e pyjeve të ndalet tërësisht, ne kërkojmë vetëm ndalimin e saj në vende të veçanta.”
PiS në pemë

Prerësit që aktivistët takojnë në pyll janë shpesh vendas që kanë krijuar kompanitë e tyre familjare (p.sh. një baba me djemtë dhe një mik i familjes) dhe janë nënkontraktuar nga State Forests, një ent gjysmë publik që ka të drejtën për të menaxhuar rreth një të pestën e territorit të Polonisë, sipas të dhënave nga Greenpeace Poloni.
Ndërsa zonat pyjore në Karpatet që aktivistët po mbrojnë janë zyrtarisht tokë publike, pasi State Forests vendos të presë pemë atje, ajo zonë ricaktohet pronë private.
“Kompania shtetërore e pyjeve tani kontrollohet nga krahu i djathtë ekstrem i qeverisë konservatore polake, Solidarna Polska, drejtuesi i së cilës është ministri aktual i drejtësisë, Zbigniew Ziobro”, shkruan Greenpeace Poloni në një shënim informues për mediat.
“Raporti i publikuar i kompanisë nga viti 2021 tregon se State Forests ka zgjeruar prerjet me 6 për qind nga viti në vit dhe fitimet janë rritur me 43 për qind”, vijon ai.
Siç tregojnë bisedat e Rok me prerës të punësuar nga State Forests, ato fitime të majme nuk po shkojnë te njerëzit që bëjnë prerjen e druve, prandaj është gjithnjë e më e vështirë të gjesh punëtorë për këtë lloj pune të ashpër dhe ndonjëherë të rrezikshme.
“Problemi ynë është me State Forests, jo me prerësit e nënkontraktuar nga kompania”, thotë Rok. “Për mendimin tim, është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të fillojmë të mendojmë për drejtësinë sociale kur luftojmë për mbrojtjen e mjedisit – e ardhmja e komuniteteve lokale është çelësi për këtë.”
“Shumica e parave të fituara nga prerja e drurëve nuk shkojnë për komunitetet lokale, por për kompaninë shtetërore të pyjeve, e cila i shpenzon ato për seli luksoze dhe gjëra të tjera që nuk kanë të bëjnë fare me mirëqenien e komuniteteve lokale”, pohon Krzysztof Cibor, një përfaqësues i Greenpeace Poloni.
“Ajo që ne kërkojmë është që State Forests të ndalojë prerjet industriale në pyjet e lashta të Karpateve, jo t’i japë fund shfrytëzimit të lëndës drusore për të mirën e komuniteteve lokale”, thotë Cibor, duke shtuar se janë pikërisht këto komunitete që janë në vijën e parë të vuajtjes nga ndikimet negative të prerjeve masive në mjedis, si përmbytjet apo thatësirat.
Duke pasur parasysh lidhjen e fortë midis State Forests dhe qeverisë aktuale të Ligj dhe Drejtësi (PiS), aktivistët kanë arritur vetëm sukses të kufizuar pavarësisht viteve që advokuan për mbrojtjen e pyjeve të lashta.
Një nga pasojat kryesore pozitive të lëvizjes, megjithatë, ka qenë rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me rëndësinë e ruajtjes së zonave të tilla pyjore, gjë që ka çuar në shumë mobilizime të ngjashme në të gjithë Poloninë gjatë viteve të fundit.
Në shumë raste, shpjegon Rok, ata që mbrojnë pyjet nuk janë radikalë që vendosin shtretër të varur në pemë, por familje të klasës së mesme që duan të mbrojnë pyjet ku dalin për vrap ose nxjerrin fëmijët ose qentë për shëtitje në fundjavë.
Politikanët kryesorë gjithashtu kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje dhe partitë më të mëdha politike në opozitën liberale kanë premtuar se do të mbrojnë pyjet, nëse fitojnë pushtetin në zgjedhjet e vjeshtës të vitit 2023.
Ndërkohë, Greenpeace dhe të tjerë po i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të ndërhyjë.
“Kjo është një nga zonat e fundit të mbetura të kafshëve të egra në një shkallë të gjerë në Evropë”, thotë Cibor i Greenpeace. “Karpatet nuk janë vetëm në Poloni, por shtrihen në territorin e tetë vendeve, pesë prej tyre në BE. Komisioni Evropian duhet të propozojë dhe të ndihmojë në zbatimin e një masterplani për mbrojtjen e pyjeve në të gjithë Karpatet.