
Fushata e fundit antishqiptare në Britaninë e Madhe i ka shtyrë politikanët dhe intelektualët shqiptarë të mbajnë qëndrim në mbrojtje të bashkëkombësve të tyre. Fakti që disa shqiptarë mund ta trajtojnë problemin në mediat ndërkombëtare tregon se një pjesë e shoqërisë shqiptare është më e fuqizuar se në të kaluarën. Nga ana tjetër, sulmet e fundit ndaj shqiptarëve, lënë të kuptohet për forma të qëndrueshme margjinalizimi që nuk janë trajtuar kurrë seriozisht. Duke u mbështetur në materialet arkivore të deklasifikuara së fundmi dhe në përvojën time, do të hetoj fushatën antishqiptare të vitit 1997 në Itali.
Stereotipet negative dhe pozitive për shqiptarët janë trashëgimi e ideologjisë koloniale. Megjithatë, fenomeni i fundit i margjinalizimit u përhap në fillim të viteve 1990, kur shqiptarët emigruan jashtë vendit. Shqiptarët ndiheshin të padëshiruar në vendet e Evropës Perëndimore dhe disa prej tyre u përpoqën të fshiheshin për të mos u ngacmuar. Në Italinë e viteve nëntëdhjetë, shqiptarët mohuan origjinën e tyre dhe refuzuan të flisnin shqip. Në Greqi, shqiptarët myslimanë deklaruan se ishin ortodoksë dhe ndryshuan emrat e tyre. Në Londër të viteve 2000, një shqiptar që nuk kishte letra i mbante perdet të mbyllura dhe flinte me derën e kyçur, sepse kishte frikë se mos e kapte policia britanike. Në Brukselin e sotëm, shumë të rinj shqiptarë janë ngurrues ndaj personave që nuk i njohin, sepse kanë frikë se dëbohen.
Racizmi ekzistonte shumë kohë përpara se të vinin emigrantët
Stigmatizimi me të cilin përballen shqiptarët sot në Mbretërinë e Bashkuar nuk është i krahasueshëm me atë që përjetuan shumë shqiptarë në Italinë e viteve nëntëdhjetë. Vitet 1990 ishte koha e Striscia la Berisha, një program i përditshëm i ndjekur nga miliona njerëz që portretizonte burrat shqiptarë si të pistë dhe të vrazhdë dhe gratë shqiptare si prostituta.
Striscia la Berisha tregoi shkallën e ksenofobisë që përshkonte shoqërinë italiane. Ky qëndrim ishte i rrënjosur në kulturën pop dhe gjeneroi sjellje agresive ndaj të huajve. Në vitet 1990, ndryshe nga sot, pak njerëz skandalizoheshin nga të rinjtë që vishnin rroba me kryqe kelt dhe svastika. Ndryshe nga sa pretendojnë shumë sociologë dhe politikanë, shfaqja e nënkulturave të ekstremit të djathtë nuk u shkaktua nga emigrimi. Fashizmi dhe racizmi ishin aty përpara ardhjes së “emigrantëve”. Grupet e krahut të djathtë tradicionalisht e drejtonin urrejtjen dhe zemërimin e tyre ndaj hebrenjve italianë dhe grupeve të krahut të majtë. Ardhja e “të huajve” apo “ekstrakomunitarëve”, u dha atyre një objektiv të ri, i cili shpeshherë nuk mbrohej nga institucionet. Të ishe adoleshent shqiptar në Italinë e viteve 1990 do të thoshte të luftoje, të duroje, të bashkëjetoje dhe të përziheshe me rininë fashiste dhe naziste.
Theksimi i lidhjeve kriminale
Ndërmjet marsit dhe nëntorit 1997, mbi 16,000 shqiptarë u shpërngulën në Itali, duke ikur nga situata e rrezikshme që karakterizonte Shqipërinë gjatë krizës politike. Pas dhënies së lejeve të përkohshme të qëndrimit, nën presionin e opinionit publik, qeveria filloi të stimulojë riatdhesimin e tyre në verë.
Në gusht 1997, përfaqësuesit shqiptarë në Romë vunë re se “fytyra e fshehur e shoqërisë italiane ka filluar të shfaqet”. Në analogji me shtetet e tjera të Evropës Perëndimore, italianët po bëheshin më racistë dhe ksenofobikë. U theksuan informacionet për përfshirjen e pretenduar të shqiptarëve në aktivitete kriminale, ndërsa lajmi për rrahjen për vdekje të një shqiptari në Olbia nga një turmë vendasish thuajse u shpërfill. Raporti arriti në përfundimin se fushata mediatike dukej e ngjashme me atë të kryer nga shtypi grek që i parapriu një “fshese” masive të shqiptarëve nga Greqia.
Vetëm pak ditë pas këtij raportimi, më 30 gusht, kryeministri italian Romano Prodi nxori një dekret që parashikonte riatdhesimin e të gjithë shqiptarëve që kishin mbërritur në Itali që nga marsi 1997 dhe nuk kishin leje qëndrimi. Këto masa kishin të bënin me 4,800 persona, shumica e të cilëve jetonin në kampe. Qeveria italiane siguroi që nuk do të përdorte forcë për të riatdhesuar shqiptarët dhe në vend të kësaj mori masa për të inkurajuar kthimin e tyre vullnetar. Për shembull, një kanal i privilegjuar për aplikimin për viza italiane iu premtua atyre që pranonin të riatdhesoheshin. Qeveria italiane premtoi gjithashtu se do të ndihmonte riintegrimin e tyre social në Shqipëri.
Shumica e shqiptarëve refuzuan të ktheheshin, duke thënë se kishin humbur shtëpitë, punën dhe paratë në krizën financiare dhe politike të vitit 1997. Emigrantët organizuan protesta duke kërkuar një mundësi për të gjetur një punë në Itali. Në disa kampe, si në Cassano Murge, shqiptarët hynë në grevë urie. Vështirësitë e përbashkëta dhe tragjeditë në Mesdhe bënë që komunitetet e emigrantëve të solidarizoheshin me njëri-tjetrin. Shoqata Shqiptare “Illiria” dhe Shoqata e Punëtorëve Pakistanezë, bashkëorganizuan një demonstratë më 28 maj, në Romë, duke kërkuar një politikë të re që lejonte njerëzit të emigronin ligjërisht pa rrezikuar jetën. Në atë kohë qarkulluan zëra se vizat shiteshin në ambasadën italiane dhe se çmimi i kërkuar nga gomonet e paligjshme ishte më i përshtatshëm se shuma e parave që kërkohej për të marrë një vizë “të ligjshme”.
Shtohet presioni për riatdhesim
Dekreti i Prodit e shtoi klimën e mosbesimit ndaj shqiptarëve. Kryebashkiaku i Acqui Terme propozoi të shpërbleheshin ata që raportonin “ekstra komunitarë”. Sindikatat e policisë kërkuan riatdhesimin me forcë të të gjithë shqiptarëve që, sipas tyre, ishin të përfshirë në krimin e organizuar dhe përdornin fëmijët si mburoja. Një 25-vjeçar shqiptar u vra nga policia pasi ai dhe tre të tjerë me të cilët udhëtonte me makinën e vjedhur nuk ndaluan në një kontroll. Ai u qëllua në shpinë. Sipas policisë, e shtëna me armë ishte qëlluar aksidentalisht kur policët po ndiqnin të arratisurit në këmbë. Polici as nuk u pezullua dhe as nuk u hetua.
Më 29 nëntor qeveria italiane nxori një tjetër dekret për riatdhesimin e shqiptarëve. Italia ofroi 600,000 lireta për të rriturit dhe 300,000 lira për të miturit që vendosnin të ktheheshin vullnetarisht në Shqipëri. Më 3 dhjetor, policia dhe karabinierët sulmuan kampet dhe 650 persona u kthyen me forcë në Shqipëri. Ambasada shqiptare u ankua për karakterin e dhunshëm të operacionit. Ambasadori pohoi se ligji i ri u publikua në Gazzetta Ufficiale më 2 dhjetor. Shqiptarëve nuk iu la kohë të informoheshin për dekretin dhe të vlerësonin stimujt që ai ofronte. Shumica e emigrantëve nuk përfituan nga stimujt sepse nuk konsideroheshin si “riatdhesime vullnetare”.
Pjesa më e madhe e opinionit publik italian ishte dakord me masat ekstreme të miratuara nga qeveria. Presidenti i Caritas, një organizatë humanitare katolike, tha se ishte më mirë që shqiptarët të ktheheshin sepse mund të përfundonin në duart e organizatave kriminale. Gjenetisti Luigi Luca Cavalli-Sforza tha se emigrantët duhet të përzgjidheshin dhe se vetëm ata me një shkallë të caktuar kulture mund të vinin dhe jo vetëm hajdutët dhe prostitutat. Gazeta e majtë La Repubblica ra dakord me Ministrinë e Brendshme se forca ishte e nevojshme për t’i dhënë fund një situate që ishte bërë e turpshme dhe e rrezikshme për autoritetet italiane.
Një komunitet u veçua
Mendimet e sipërpërmendura tregojnë se italianët me prejardhje të ndryshme shoqërore kishin paragjykime të ngjashme për shqiptarët. Policia, liderët fetarë, akademikët, madje edhe gazetarët e majtë, i identifikonin shqiptarët me kriminelët. Narrativat antishqiptare të viteve nëntëdhjetë kanë kapërcyer Italinë dhe shekullin e 20-të dhe janë bërë mënyra më e zakonshme për të veçuar komunitetin shqiptar si agjent krimi dhe dhune. Për ta ndalur këtë prirje, është e nevojshme të rritet ndërgjegjësimi në lidhje me stigmatizimin historik të komunitetit shqiptar në Evropën Perëndimore dhe përfundimisht të ndërmerren veprime ligjore kundër racistëve, qofshin ata grupe të fshehta të ekstremit të djathtë, apo politikanë të rrymës kryesore.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.