Në vitin 2018, profesoresha amerikane e marketingut digjital Rebecca Lieb bleu një pronë me burrin e saj në rajonin malor grek të Pelionit, me pamje nga deti. Dhe duke e bërë këtë, ajo u kualifikua për një vizë qëndrimi pesëvjeçare në Greqi, e ashtuquajtura “Viza e Artë”.
Lieb tha se ajo kishte ëndërruar gjithmonë të jetonte buzë detit, por në lojë kishte arsye të tjera më praktike.
“Një faktor motivues është edhe kostoja e kujdesit shëndetësor në SHBA”, tha Lieb për BIRN. “Kostoja po rritet çdo vit”, tha ajo. “Unë nuk e shoh veten duke jetuar në SHBA për shkak të mospërballimit dot të kujdesit shëndetësor.”
Lieb nuk është e vetmia amerikane që kërkon të ndjekë “ëndrrën greke”.
Që nga viti 2014, rreth 300 shtetas amerikanë kanë kërkuar viza të arta në Greqi; në vitin 2021 ka pasur 64 aplikime; në vitin 2022 numri shkoi në 148.
Agjentët e pasurive të paluajtshme presin që interesi të rritet edhe më shumë pasi Portugalia i dha fund skemës së saj të vizave të arta në mars, por ekspertët paralajmërojnë se, ndërsa shumë si Lieb kanë një dëshirë të vërtetë për të ngritur një shtëpi në Greqi, disa të tjerë po shfrytëzojnë mundësinë për të pastruar paratë, duke ndihmuar kështu në rritjen e çmimit të shtëpive për grekët e zakonshëm.
“Programi i vizave të arta sigurisht që ka luajtur një rol në rritjen e çmimeve në tregun e shtëpive”, tha Alkis Kafetzis, koordinator i projektit “Sky-High Rents” të ETERON në Athinë.
Zona gri
Greqia zbuloi programin e saj të vizave të arta në vitin 2013, një vit pasi Portugalia, anëtare e Bashkimit Evropian, prezantoi të vetin. Të dy janë versione të skemave të tjera investimi që ofroheshin ose ofrohen ende në një numër shtetesh të tjera të BE-së.
Në rastin e Greqisë, qëllimi ishte rritja e investimeve në ekonominë e saj në vështirësi nga Rusia, Turqia dhe Lindja e Mesme, duke u ofruar shtetasve jo-BE leje qëndrimi pesëvjeçare për ta dhe familjet e tyre, dhe si rrjedhojë udhëtim pa viza në të gjithë zonën Shengen, në këmbim të një blerjeje prone me vlerë të paktën 250,000 euro ose një investimi tjetër në terma të letrave specifike me vlerë ose një depozitë bankare prej të paktën 400,000 eurosh.
Sipas Ministrisë së Migracionit dhe Azilit, që nga viti 2018 janë dhënë 11,038 viza të reja të arta, dhe rreth 1,864 janë rinovuar. Në vitin 2021, u miratuan 1,426 aplikime të reja, shifër kjo e cila në vitin 2022 u rrit në 2,261.
Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, megjithatë nuk është i kënaqur me praktikën.
Në vitin 2019, një raport i Komisionit identifikoi një mungesë informacioni se si shtetet anëtare i qasen kontrolleve të sigurisë dhe kërkoi “kontrolle të zgjeruara” për shtetasit jo-BE që aplikojnë për të drejtat e qëndrimit dhe të garantojnë që autoritetet që drejtojnë skema të tilla “të kenë një detyrim për të kontrolluar origjinën e fondeve”.
Raporti nënvizoi rrezikun e abuzimit, duke vënë në dukje se dokumentacioni i lëshuar në bazë të disa skemave “mund ta bëjë të vështirë për institucionet financiare identifikimin e saktë të vendbanimit të ligjshëm tatimor”. Skema të tilla, argumentoi ai, mund të rezultojnë gjithashtu në marrjen e nënshtetësisë ose statusit të rezidentit afatgjatë të BE-së, si dhe të drejtat që vijnë me një status të tillë, bazuar në lejet e qëndrimit që kërkojnë vetëm “prezencë fizike të kufizuar ose fare të investitorit në Shteti Anëtar në fjalë”.
Kritikët theksojnë gjithashtu mungesën e transparencës, duke argumentuar se nuk është gjithmonë e qartë se kush ka aplikuar, aplikimet e kujt janë miratuar ose si shpenzohen paratë e mbledhura.
Në shkurt, Investigate Europe raportoi se më shumë se 50 për qind e atyre që kanë marrë viza të arta në Portugali që nga viti 2012 janë nga 30 juridiksionet më të mëdha në botë për pastrimin e parave.
Në fund të prillit, gazeta greke Kathimerini raportoi gjetjet e një raporti të Autoritetit të Greqisë Kundër Pastrimit të Parave, i cili punon për të parandaluar legalizimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale, dhe që shënonte origjinën e dyshimtë të fondeve të përdorura për blerjen e pasurive të paluajtshme për qëllime marrjen e vizave.
“Destinacioni që dëshiron”
Në shtator të vitit të kaluar, kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se pragu i investimit në skemën e Vizës së Artë do të dyfishohej në maj 2023 në 500,000 euro, megjithëse kur u publikua ligji, afati u shty deri më 31 korrik.
George Petras, drejtori ekzekutiv i “Engel & Volkers Greece”, një agjenci imobiliare, shpjegoi se, “është vendosur të procedohet në dy kategori: në disa zona metropolitane kërkohen investime prej 500,000 eurosh për t’u kualifikuar për vizën e artë, ndërsa në zona më pak të populluara mjaftojnë vetëm 250 mijë euro për të shijuar përfitimet e vizës.”
Rritja duket se ka nxitur disa investitorë të lëvizin tani. Sipas të dhënave të Ministrisë së Migracionit dhe Azilit, në vitin 2022 kishte 4,365 aplikime për vizë të artë dhe 2015 vetëm në tre muajt e parë të këtij viti.
“Në vitin 2023, mund të supozohet se, e shumta pas zgjedhjeve të ardhshme të pranverës, tregu i pasurive të paluajtshme do të vazhdojë të rritet ndjeshëm”, tha Petras.
Një arsye mund të jetë vendimi i Portugalisë për të hequr skemën e vet të vizave për investitorët.
Sipas hulumtimit nga Astons, Greqia ishte destinacioni i tretë më i popullarizuar për investimet amerikane në vitin 2021, me një rritje prej 740 për qind në vlerë krahasuar me vitin e kaluar, kur pandemia COVID-19 mbylli kufijtë në të gjithë botën.
“Në vitin 2020, pamë një eksod masiv të individëve amerikanë me vlerë të lartë neto që largoheshin nga SHBA-ja. Ata ia kishin vënë syrin Portugalisë për të siguruar një leje qëndrimi alternative nëpërmjet një vize të artë”, citohet të ketë thënë në një email promovues dërguar BIRN Alina Lesina, ekspertja e emigracionit të Astons.
“Megjithatë, ka të ngjarë që Greqia të bëhet tani destinacioni i tyre i zgjedhur pas vendimit të qeverisë portugeze për të mbyllur skemën e saj të artë të vizave.”
“Vetë skema është një nga rrugët më të përballueshme për shtetësinë evropiane, ndërkohë që kombi është gjithashtu i ngjashëm me Portugalinë në aspektin gjeografik dhe në lidhje me ofertën e stilit të jetesës dhe klimës.”
Ken Cook dhe Nick Hado ishin ndër ata që kërkonin të përfitonin.
Nga apartamenti që blenë në vitin 2021 në lagjen qendrore të Athinës, Pagrati, çifti, të dy shtetas amerikanë, mund të shohin Akropolin.
Hado, një greko-amerikan 59-vjeçar, kishte planifikuar gjithmonë një kthim në rrënjët e tij, por dëshira u bë më intensive pas zgjedhjes së Donald Trump në 2016 si president i SHBA-së.
Çifti u fejua në vitin 2013 në ishullin e Santorinit dhe kishin tashmë një apartament të vogël në Greqi kur Trump u zgjodh dhe ata vendosën se kishin nevojë për “një plan largimi, sido që të vinte puna”.
“Menduam ‘ku është vendi më i lirë për të jetuar, me sigurim shëndetësor të përballueshëm dhe një kosto më të mirë jetese në krahasim me Majamin’”, tha Cook. Hado tha se Greqia ishte zgjedhja e parë që në fillim.
“Në Greqi ne paguajmë vetëm 3,000 dollarë të dy për sigurim shëndetësor privat”, tha ai për BIRN. “Së shpejti do të mbush 60 vjeç dhe kemi kursimet tona. Mendoj se dua vërtet ta shijoj jetën. Greqia është një vend i mrekullueshëm. Edhe atje politika është e çmendur.”
Çifti vendosi të rrisë investimet e tyre në vend, duke marrë një apartament më të madh në lagjen qendrore të Athinës, Pagrati, me pamje nga Akropoli dhe në këtë mënyrë duke u kualifikuar për viza të arta.
Siç ndodhi, aplikimi i mëparshëm i Hados për shtetësi, bazuar në rrënjët e tij familjare në Greqi, u miratua pas një pritjeje 15-vjeçare dhe çifti ndërpreu aplikimet e tyre për vizë.
Deformim i tregut
Sipas një studimi të majit 2021 të botuar në Journal of Etnic and Migration Studies, ndikimi i skemave të vizave të arta në tregjet e pasurive të paluajtshme është “i parëndësishëm, me përjashtim të vetëm të Greqisë”.
Në kohën e studimit, shkruan autorët, programi i “rezidencës me investim” në Greqi “përfaqëson një të tretën e transaksioneve të pasurive të paluajtshme”.
Një raport i Parlamentit Evropian në të njëjtin vit përmendi një “ndikim të rëndësishëm” në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kafetzis, i ETERON, tha se skema është një faktor i rëndësishëm, megjithëse jo i vetmi, që përkeqëson pabarazitë sociale në Greqi kur bëhet fjalë për strehimin.
Praktikat e investimeve, tha ai, “nuk janë në përputhje me nevojën që strehimi të trajtohet kryesisht si një e mirë sociale”.
Skema mund të përmirësohet nëse kufizohet vetëm në zonat me kërkesë të reduktuar ndjeshëm dhe nëse lidhet me stimujt për rinovim dhe dhënie me qira me çmime të përballueshme, tha Kafetzis për BIRN.
“Megjithatë, diçka e tillë kërkon minimalisht aktivizimin dhe fuqizimin e konsiderueshëm të aparatit shtetëror dhe ndryshimin e përparësive në politikën greke, e cila për momentin duket se është e orientuar pothuajse ekskluzivisht në rritjen e flukseve financiare”, tha ai.
“Këto janë gjërat që nuk i shoh të ndodhin të paktën në të ardhmen e afërt.”