
Tatjana, pronare e një marketi të vogël në periferi të qytetit të Maliqit, thotë se i ka dëgjuar me interes premtimet e kandidatëve dhe do të shkojë të diel për të votuar. Tatjana punon në market për të shtuar të ardhurat, pasi pensioni nuk i mjafton për të nxjerrë muajin.
Gruaja, e cila jeton e vetme pas vdekjes së bashëshortit dhe largimit të vajzave në emigracion, thotë se Maliqi është ‘qytet i vdekur dhe njerëzit po varfërohen dita ditës”.
“Njerëzit këtu janë të varfër dhe shpesh votojnë bazuar në traditën politike pa dëgjuar dhe analizuar programet dhe alternativat që japin kandidatët,” thotë ajo.
Situata në Maliq është edhe më e vështirë për të rinjtë, të cilët shohin si rrugëdalje vetëm emigracionin, pasi edhe bizneset ku mund të punësohen aty janë kryesisht familjare dhe nuk kanë nevojë për punonjës.
Klajdi, 26 vjeç, nuk e ka mendjen te zgjedhjet. Ai thotë se po pret që së bashku me një nga shokët e tij të nisen drejt Greqisë për punë sezonale në bujqësi. Me të ardhurat që do sigurojë nga puna në Greqi mendon të shkojë në Gjermani, pasi aty ka disa të afërm. Ai nuk sheh rrugëzgjidhje tjetër dhe mendon largimin përfundimtar nga Maliqi.
“Do iki në Greqi që të siguroj lekët për udhëtimin në Gjermani dhe një shumë të vogël sa për të filluar jetesën aty. Kam disa kushërinj dhe do të më sigurojnë një vend pune në sektorin e ndërtimit. Dua të iki dhe të mos kthehem më, sepse këtu në Maliq nuk ka perspektivë për ne të rinjtë,” tregon ai, ndërsa shton më tej se nuk do të shkojë për të votuar pasi mendon se vota e tij nuk ka ndonjë ndikim në përmirësimin e situatës.
Bashkia e Maliqit prej vitesh drejtohet nga Gëzim Topçiu, i cili para reformës territoriale drejtoi për 5 mandate qytetin e Maliqit. Nëse do të zgjidhet sërish, ai do të jetë 60 vjeç në fund të mandatit dhe do të ketë kaluar më shumë se gjysmën e jetës në postin e kryetarit. Koalicioni Bashkë Fitojmë ka vendosur të sfidojë Topçiun me mjekun, Alfred Gega, i cili thotë sa ka një program që i zgjidh problemet reale të banorëve të bashkisë.
Turizmi dhe bujqësia

Bashkia e Maliqit është kryesisht rurale, pjesa më e madhe e fshatrave të bashkisë shtrihen në fushën e Korçës dhe banorët e tyre janë përqendruar tek bujqësia ndërsa zonat malore tek blegtoria dhe bletaria.
Qyteza e Maliqit e krijuar rreth viteve '50 të shekullit të kaluar, si një qytezë me orientim industrial ruan ende strukturën e ndërtesave të arkitekturës ruse, ndërsa popullsia e qytetit është tkurrur për shkak të lëvizjeve migratore.
Aktualisht në qytetin e Maliqit, qendër e bashkisë me të njëjtin emër jetojnë 7683 banorë nga të cilët 6392 janë zgjedhës. Krahu i punës dhe pjesa më vitale e qytetit janë larguar duke bërë që banorët e mbetur t'i përkasin kryesisht grupmoshës së tretë.
Niveli i lartë i papunësisë mbetet një shqetësim i mbartur që prej prishjes së Kombinatit të Sheqerit dhe zinxhirit të ndërmarrjeve të kësaj qyteze në vitet '90. Banorët e mbetur, të cilët i kanë fëmijët në emigracion pohojnë se Maliqi nuk ka asnjë lloj perspektive dhe pavarësisht 30 viteve demokraci, qyteza nuk ka arritur të ketë asnjë ndryshim dhe pas kaq shumë vitesh identifikohet si qyteti i kombinatit të famshëm të sheqerit.
Pas 23 vitesh si qytetar i parë, Gëzim Topçiu, thotë se ka ende energji dhe forcë për të qenë edhe një mandat tjetër në krye të bashkisë së Maliqit. Ai pretendon se eksperienca e gjatë në menaxhimin e qytetit dhe fshatrave e avantazhojnë edhe në garën e radhës.
Topçiu thotë se këtë herë është fokusuar te zhvillimi i bujqësisë dhe agroturizmit në zonën fushore dhe zhvillimin agroturistik në njësitë administrative të Gorës dhe Moglicës. Në funksion të krijimit të një profili turistik, Gëzim Topçiu angazhohet që përmes mbështetjes së qeverisë do të arrijë të zbatojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe do të krijojë katër pole zhvillimi në Drithas, Podgorie, Pojan dhe Vreshtas.
“Në mandatin e ardhshëm synoj shtrirjen e investimeve në infrastrukturë, rrjet rrugor dhe institucionet arsimore deri në zonat më të largëta të bashkisë”, tha ai.
Rivali i tij mjeku Alfred Gega konsideron avantazh të padiskutueshëm emrin dhe investimin që ka bërë si profesionist dhe faktin që është një figurë e pakonsumuar politikisht. Nga ana tjetër, programi i kandidatit të opozitës synon zgjidhjen e problemeve jetike që kanë sot banorët e Maliqit.
“Zyra e Këshillimit të fermerëve dhe hartimi i parakontratave për shitjen e prodhimeve janë dy pika kyçe që do të transformojnë sektorin e bujqësisë në bashkinë e Maliqit. Ulja e tarifave vendore është një tjetër pikë e programit që do të stimulojë hapjen e bizneseve të reja dhe do t'i japë frymëmarrje biznesit të vogël. Gjithashtu ndërhyrja në infrastrukturën rrugore është emergjente”- thotë Gega.
Kandidati i opozitës nuk e sheh si pengesë qeverisjen qëndrore të të majtëve nëse zgjedhësit e Maliqit i besojnë atij drejtimin e bashkisë. “Për çdo projekt do t'i kërkoj financim qeverisë dhe do të trokas në derën e saj, duke kërkuar fort financime për Maliqin sepse Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe jo sulltanat,” përfundon Gega.
Votuesit kërkojnë rrugë dhe ujë
Rreth 62 mijë banorët dhe rreth 50 mijë zgjedhësit e regjistruar në Maliq, janë duke dëgjuar prej javësh premtime për agroturizëm dhe zhvillim të zonës, por shumica e tyre i shohin të largëta këto mundësi dhe kërkojnë zgjedhje problemesh që mbeten të tilla prej vitesh, si rrugë të pashtruara e mundësi për shitje të produkteve bujqësore.
Thoma Jorgji, banor i fshatit Rëmbec, i cili jeton vetëm me bashkëshorten pasi dy vajzat i kanë emigruar në SHBA, shpreson që të paktën 4-vjeçarin e ardhshëm, fituesi i zgjedhjeve të së dielës t'ju asfaltojë rrugët dhe të bëjë kanalizimet e ujërave të përdorura.
“Na thyen derën kandidatët. Shpresonim që gjatë kësaj fushate të na bëhej rruga para shtëpisë, por nuk u bë. Rrugët e lagjeve të fshatit janë copë dhe kur bie shi duhet të kalosh me çizme. I kam ndjekur takimet dhe kandidatët premtojnë se atë punë kanë, por shumica janë gënjeshtra,” thotë ai.
Veç infrastrukturës, fermerët e Rëmbecit kanë shqetësim mungesën e ujit për vaditje dhe janë detyruar të hapin puse në tokat e tyre bujqësore.
“Kemi paguar vetë për hapjen e puseve sepse sistemi vaditës ekziston por nuk ka ujë,” shton më tej Thomai.
Një tjetër banorë i zonës, Petro Riza, thotë se ka si kërkesë kryesore për kandidatët zgjidhjen e problemit të dëmshpërblimeve të prodhimeve bujqësore që dëmtohen nga moti.
“Breshëri dhe ngricat na dëmtojnë shpesh të mbjellat por asnjëherë nuk jemi dëmshpërblyer. Bashkia duhet të na ndihmojë për këtë,” shprehet ai.
Të njëjtat halle ndaj edhe banorët e Pojanit që është ndër fshatrat më të mëdhenj të bashkisë së Maliqit, dhe ku historikisht është votuar djathtas, punësimit është shqetësimi kryesor për banorët e fshatit, ndërsa emigracioni shqetësimi i pensionistëve të mbetur vetëm për shkak të largimit të fëmijëve në emigracion.
“Dy fëmijë asnjërin nuk kam këtu. Jam invalid dhe nuk ka kush të më japë asnjë gotë ujë. Tokën nuk e punoj dot dhe as më shërben fare që e kam”- thotë 70 vjeçari Agron Mero.
Mungesa e tregut për prodimet bujqësore ka vënë në vështirësi banorët e Pojanit, të cilët pavarësisht rritjes së kostove të inputeve bujqësore nuk heqin dorë nga kultivimi i produkteve të ndryshme. Vegim Kelolli mbjell çdo vit rreth 15 dynym me fasule, perime dhe grurë, por këtë vit fasulet i kanë mbetur pa shitur. Ai kërkon që bashkia të ndërhyjë duke gjetur tregje për të mundësuar shitjen e prodhimeve bujqësore.
Vegimi e ka vendosur të shkojë të dielën për të votuar, por thotë se do t'ju heqë vizën të gjithëve në shenjë rebelimi ndaj vëmendjes së munguar.