Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Zgjedhje 2023
  • Veting
  • Mjedisi
  • Kosovë
  • SPAK
  • BE
  • Vladimir Putin
  • Olta Xhaçka
  • KLP
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Rajoni

Ndërsa Kosova nderon luftëtarët e saj, viktimat civile të luftës shpesh anashkalohen

Një mosmarrëveshje rreth gdhendjes së emrave të civilëve në një monument kushtuar luftëtarëve të rënë në një qytet të vogël të Kosovës nxori në pah një problem më të gjerë: megjithëse shumica e njerëzve të vrarë në luftën e viteve 1998-1999 ishin civilë, shumica e monumenteve të luftës përkujtojnë luftëtarët.

Serbeze HaxhiajNgaSerbeze Haxhiaj
10:14 | 28/07/2023
Në Rajoni
Kohe leximi: 5 minuta
A A
0
Ndërsa Kosova nderon luftëtarët e saj, viktimat civile të luftës shpesh anashkalohen

Monumenti me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dy pllakat me emrat në Istog. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Share on FacebookShare on Twitter

Për më shumë se 20 vjet, emri i nipit të Adem Ahmetajt, Jetonit, mund të shihej në një pllakë të vogël përkujtimore në qytetin perëndimor të Istogut në Kosovë, që përkujtonte rreth 50 njerëz që vdiqën duke luftuar gjatë luftës në vitet 1998-1999.

Por muajin e kaluar, një monument i ri u vendos në qendër të qytetit: dy kolona të bardha me një simbol të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye. Monumenti i ri ka dy pllaka me 13 emra më shumë se monumenti i mëparshëm – të gjithë civilë, viktima  të luftës që nuk ishin regjistruar kurrë më parë si anëtarë të UÇK-së. Njëri prej tyre është vëllai i Ahmetajt, Ismeti.

Shtimi i 13 emrave të rinj ngjalli zemërim te disa të afërm të ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët argumentuan se për shkak se u vranë si civilë, ata duhet të mbahen mend si civilë, jo si luftëtarë të rënë.

Ish-luftëtari  e fshiu emrin e vëllait të tij, i cili vdiq gjatë kohës së luftës duke shërbyer në UÇK. Të njëjtën gjë bënë edhe anëtarët e tjerë të familjeve të pjesëtarëve të UÇK-së që vdiqën gjatë luftës dhe tani pllakat janë njollosur me bojë të kuqe dhe me marker të zi, ku janë mbuluar emrat e luftëtarëve të ndryshëm të vdekur. “Ajo që ka ndodhur është e turpshme. Nuk dua që emri i vëllait tim të jetë mes emrave të civilëve”, tha Shatri për BIRN.

Ai dhe ish-guerilët e tjerë kanë paraqitur një kallëzim penal kundër Komisionit qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës dhe kundër Shoqatës së Dëshmorëve të Luftës në Istog, e cila ngriti monumentin e ri.

“Kjo është një çështje e falsifikimit për interesa personale dhe politike të disa komandantëve të UÇK-së dhe një përpjekje për të marrë një meritë të rreme krenarie (për familjet e civilëve të vrarë)”, tha Shatri.

Por ai theksoi se mbi të gjitha reagimi i fortë ishte i nevojshëm sepse “civilët e vrarë nuk janë përkujtuar kurrë me dinjitet” në Kosovë.

Dominojnë memorialet e “dëshmorëve”

Monumenti me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dy pllakat me emrat në Istog. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Ashtu si në Istog, civilët e vrarë gjatë luftës kryesisht nuk janë përkujtuar në pllakat përkujtimore në Kosovë, edhe pse shumica e 13,500 personave që u vranë – më shumë se 11,000 prej tyre – ishin civilë.

Kur civilët e vrarë në luftë janë përkujtuar, kjo shpesh është bërë duke i përfshirë emrat e tyre në të njëjtat pllaka që përkujtojnë luftëtarët e UÇK-së, e jo me memorialë të veçanta.

“Shumica e viktimave janë civilë dhe numri i memorialeve është thellësisht disproporcional sepse dominojnë memorialet e dëshmorëve të UÇK-së”, tha për BIRN Bekim Blakaj, kreu i Fondit për të Drejtën Humanitare me qendër në Prishtinë, e cila ka regjistruar të gjitha viktimat e luftës. “Kjo është arsyeja pse është e nevojshme të kemi një politikë gjithëpërfshirëse memorializimi”, tha ai.

Blakaj theksoi se edhe familjet e viktimave civile marrin më pak në ndihmë sociale sesa familjet e luftëtarëve të vrarë. “Kjo ka krijuar një pabarazi mes viktimave”, tha ai.

Çështja e statusit zyrtar të personave të vrarë apo të zhdukur gjatë dhe pas luftës ka mbetur problematike për dy dekada.

“Kjo çështje ka marrë pak vëmendje, madje edhe në gjykimin që po vazhdon për të ashtuquajturin rast të ‘veteranëve'”, tha Blakaj.

Procesi i kontestuar i verifikimit të personave që aplikuan për t'u regjistruar si veteranë të luftës së UÇK-së, duke i bërë ata të kualifikueshëm për përfitime sociale, shkaktoi një skandal të madh në Kosovë dhe ka çuar në një çështje gjyqësore të gjatë. Dymbëdhjetë ish-luftëtarë të UÇK-së që punonin si zyrtarë qeveritarë akuzohen për fryrje të listave të veteranëve dhe përfshirje të shumë civilëve në listën e luftëtarëve të vrarë.

Për mungesë transparence është kritikuar edhe Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës. Kritikët argumentojnë se ajo ka nevojë për mbikëqyrje të duhur.

“Ka pasur shumë parregullsi. Si rezultat, shumë viktimave civile iu dha në mënyrë arbitrare statusi i dëshmorëve (luftëtarët e UÇK-së që u vranë)”, tha Blakaj.

Në Istog, Ahmetaj tha se vëllai i tij, emri i të cilit u shtua së fundmi në memorialin kontrovers, në fakt, ishte pjesëtar i UÇK-së dhe shërbente në fshatin e tyre, Zabllaq. Ai tha se nuk e di pse nuk figuron si pjesë e forcës guerile dhe nuk e ka idenë se si ta korrigjojë këtë gjë.

“Nuk e kam derën e duhur ku të trokas. Por e vërteta është se vëllai im dhe nipi im ishin pjesëtarë të UÇK-së, pavarësisht se vëllai im ishte në hije”, tha ai.

Ahmetaj tha se vëllai dhe nipi i tij u morën së bashku me një grup civilësh dhe u vranë në një shtëpi në fshatin fqinj Staradran.

Organizatat e shoqërisë civile si Fondi për të Drejtën Humanitare kanë sugjeruar krijimin e një mekanizmi shtesë për të rishikuar statusin e personave të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë, veçanërisht në rastet e kontestuara.

“Me këtë do të kishim një procesverbal të dokumentuar dhe do të parandalohej krijimi i një narrative të pasaktë për luftën në Kosovë”, shpjegoi Blakaj.

“U bënë gabime të mëdha”

Adem Ahmetaj. Foto kortezi e Adem Ahmetajt.

Kryetari i Shoqatave të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se për çështjen e monumentit të ri në Istog duhet të vendosë gjykata.

“Nuk e di vërtet pse disa njerëz po reagojnë tani kur mund ta bënin këtë në vitin 2000 kur ne publikuam listat e luftëtarëve të UÇK-së që u vranë”, tha Jashari për BIRN.

“Por ne jemi të vetëdijshëm për gabimet e mëdha që janë bërë për shkak se civilëve nuk u është dhënë vend në memorialë. Është si të mohosh ekzistencën e tyre. Ende nuk ka memorialë të duhur si vende shërimi”, shtoi ai.

Lejla Gacanica, një këshilltare ligjore me bazë në Sarajevë për TRIAL International, një OJQ që ofron ndihmë ligjore për viktimat e abuzimeve të të drejtave të njeriut, tha se viktimat civile të luftës po “margjinalizohen ose harrohen”, ndërkohë që luftëtarët e vdekur lartësohen.

“Në disa raste ata kryen krime, por ende përshëndeten si heronj, ndërsa viktimat civile nuk morën kurrë njohjen e duhur për vuajtjet e tyre”, tha Gacanica.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovë u themelua në vitin 2013, por shumica e memorialeve të luftës në vend janë ngritur para kësaj dhe agjencia nuk ka qenë në gjendje të rregullojë me sukses ngritjen e monumenteve të mëvonshme.

Bislim Zogaj, kreu i agjencisë, këmbënguli megjithatë se tani po ndërtohen shumë memorialë për viktimat civile.

Fikret Shatri. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

“Deri më tani, kemi ndërtuar 42 memorialë për civilët e vrarë në disa prej masakrave në Kosovë dhe secili prej tyre ka numrin e saktë të viktimave të regjistruara”, tha Zogaj për BIRN.

Megjithatë, aktualisht ka më shumë se 1,600 memorialë lufte në mbarë Kosovën, kryesisht kushtuar luftëtarëve, dhe autoritetet nuk kanë ndonjë udhëzim ligjor për të rregulluar procesin kaotik të ndërtimit.

“Memorialet janë ngritur gjithandej pa asnjë kriter profesional apo etik”, tha Blakaj.

Në Istog, kryetari i komunës, Ilir Ferati, tha se nuk ka pasur debat në asamblenë komunale për ngritjen e memorialit të ri dhe se komuna nuk është e përfshirë ligjërisht në proces apo përgjegjëse për verifikimin e emrave.

“Tani do t'u japim kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe do të presim vendimin e gjykatës”, tha Ferati për BIRN.

Megjithatë, mund të kalojnë vite përpara se të ketë një vendim gjykate mbi ligjshmërinë e shtimit të emrave të civilëve në listën e të rënëve të luftës në memorial.

Etiketa: Adem AhmetajAgjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në KosovëAhmetajBekim BlakajBIRNBislim ZogajIlir FeratiISPIstogKosovëmarrëveshjememorialeSarajevëSHIKTRIAL InternationalUCKviktima civileXhavit Jashari
Tjetri
‘Po na përzënë nga këtu’: Zgjerimi i portit në Porto Romano shkakton probleme mjedisore

‘Po na përzënë nga këtu’: Zgjerimi i portit në Porto Romano shkakton probleme mjedisore

Më të lexuarat

Ndërsa Kosova nderon luftëtarët e saj, viktimat civile të luftës shpesh anashkalohen

Ndërsa Kosova nderon luftëtarët e saj, viktimat civile të luftës shpesh anashkalohen

10:14 | 28/07/2023
Punësimet elektorale frynë administratën e bashkive përpara zgjedhjeve vendore

Punësimet elektorale frynë administratën e bashkive përpara zgjedhjeve vendore

11:17 | 02/10/2023
‘Për vota dhe qoka’: Ndërmarrjet publike vuajnë nga humbjet dhe emërimet politike

‘Për vota dhe qoka’: Ndërmarrjet publike vuajnë nga humbjet dhe emërimet politike

11:40 | 28/09/2023
Kolegji njihet me parashtrimet në çështjen e gjyqtarit Arbër Çela

Kolegji njihet me parashtrimet në çështjen e gjyqtarit Arbër Çela

19:59 | 28/09/2023
Agron Bushati

Prokurori i Shkodrës, Agron Bushati konfirmohet në detyrë

16:43 | 27/09/2023
Prokurorja Suela Salavaçi konfirmohet në detyrë

Prokurorja Suela Salavaçi konfirmohet në detyrë

11:58 | 28/09/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.