Muajin e kaluar, Balkan Insight botoi një artikull duke cituar një raport të ri nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, i cili parashtronte se lufta në Ukrainë mund të ketë zhvendosur rrugët e trafikut të drogës nga ai vend drejt të ashtuquajturës “Rruga Ballkanike”.
Raporti tha gjithashtu se flukse më të mëdha të heroinës priten në Evropën Juglindore ndërsa janë në rrugën e tyre nga vendet burimore si Afganistani dhe Irani në Evropën Perëndimore.
Por sigurisht Rruga Ballkanike, e cila përfshin rrugë të ndryshme nëpër shumë vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, ka qenë prej kohësh një rrugë e preferuar për transportin e drogave të paligjshme drejt Evropës Perëndimore.
Ndërsa ekzistenca e Rrugës Ballkanike mund të dihet mirë, detajet specifike se si bëhet trafikimi i drogës në raste individuale mund të jenë më pak të ditura.
Gjatë kohës që shërbeva si gjyqtar penal ndërkombëtar në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, për 28 muaj nga viti 2011-2013, kryesova një rast që përfshinte trafikun e heroinës përgjatë Rrugës Ballkanike nga Shqipëria përmes Kosovës deri në Zvicër. Ja se si ndodhi.
Hetimi për këtë rast filloi në vitin 2008 dhe vazhdoi në vitin 2009 dhe u fokusua në dy shqiptarë të Kosovës, Abdyl Kukaj dhe Xhemë Thaqi. Hetimi përfshinte përgjime të shumta dhe të ligjshme nga policia të telefonatave dhe mesazheve SMS mes këtyre dy personave dhe me bashkëpunëtorët e tyre kriminalë në Shqipëri.
Më 1 shtator 2009, Thaqi foli në telefon nga Kosova me një nga bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri për një dërgesë të planifikuar heroine nga Shqipëria në Kosovë, dhe diskutoi për shpërblimin që do t'i paguhej një korrieri që do të transferonte drogën në Kosovë. Nga këto biseda policia kuptoi se destinacioni përfundimtar i lëndës narkotike ishte Zvicra.
Më 2 shtator, Thaqi udhëtoi për në Shqipëri për të përpunuar detajet e dërgesës. Ndërsa ishte atje, ai udhëzoi Kukajn, i cili qëndroi në Kosovë, që të përgatitej për të marrë dërgesën në ditët në vijim dhe të merrte masa që dërgesa të dërgohej menjëherë nga Kosova me një korrier të dytë. Më pas Kukaj punësoi korrierin e dytë, sipas udhëzimeve.
Mbrëmjen e 4 shtatorit, Thaqi takoi korrierin e parë, i cili kishte arritur të transportonte drogën nga Shqipëria në Kosovë, duke përdorur një furgon me targa shqiptare. U ra dakord që dorëzimi i drogës te korrieri i dytë të bëhej mëngjesin e ardhshëm.
Të nesërmen në mëngjes, më 5 shtator, korrieri i parë mbërriti në vendin e rënë dakord dhe ia dorëzoi furgonin korrierit të dytë të rregulluar nga Kukaj. Policia ishte në dijeni të kësaj marrëveshjeje nga përgjimet e bëra dhe ishte e përgatitur të ndërhynte.
Ndërsa korrieri i dytë po udhëtonte drejt destinacionit të tij, ai u ndoq nga një ekip mbikëqyrës policie, i cili e ndiqte furgonin nga një distancë e sigurt. Në një pikë të caktuar të rrugës, korrieri ndaloi në anë të rrugës në një kthesë të fortë. Për shkak të kthesës dhe lartësisë së misrit në arën ngjitur, ekipi i policisë nuk arriti ta shihte menjëherë që furgoni po ndalonte.
Furgoni u takua me një VË Golf dhe targa shqiptare e furgonit u ndryshua shpejt me një targë gjemane. Ekipi i vëzhgimit e kaloi kthesën dhe pa se çfarë po ndodhte. Ata e kaluan furgonin dhe Golfin që të mos binin në sy dhe ndaluan disa qindra metra më larg përgjatë rrugës. Ata nuk qenë në gjendje ta dallonin targën gjermane, përveç dy shkronjave të para.
Por korrieri kishte nisur të bëhej dyshues pas kalimit aty të ekipit mbikëqyrës të policisë dhe e hodhi drogën në fushën e misrit, gëj e cila nuk mund të shihej nga ekipi i mbikëqyrjes i policisë. Furgoni dhe Golfi më pas u larguan me shpejtësi në drejtime të veçanta. Policia u kthye dhe, pas një ndjekjeje, e kapi furgonin. Më pas, ata kryen kontroll në furgon, por, për habinë e tyre, nuk gjetën drogë.
Duke qenë se kjo situatë po ndodhte në kohë reale, Thaqi, i cili ishte nisur për në Maqedoninë e Veriut me të dashurën e tij, e mori vesh këtë gjë dhe kontaktoi në telefon bashkëpunëtorin e tij shqiptar. Kjo bisedë, si shumë të tjera, u përgjua nga policia.
Përmbajtja e bisedës tregonte se operacioni i trafikut ishte zbuluar dhe se droga ishte hedhur në arën e misrit dhe ishte ende aty. Thaqi më pas koordinoi rikuperimin e suksesshëm të drogës nga fusha e misrit, siç konfirmohet nga disa biseda të tjera të përgjuara më vonë atë ditë.
Përmes bisedave të përgjuara në ditët në vijim, u konstatua se lënda narkotike ishte transportuar me sukses në Zvicër. Megjithatë, tani policia kishte prova të mjaftueshme për të akuzuar Thaqin dhe Kukajn për trafik ndërkombëtar droge dhe ata u arrestuan dhe u ndoqën penalisht.
Çështja doli në gjyq në vitin 2010 para një paneli të përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it, me një gjyqtar tjetër amerikan që kryesonte çështjen, dhe të pandehurit u gjetën fajtorë për vepra të ndryshme dhe u dënuan me burgime të gjata. Por Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin dhe urdhëroi rigjykim të çështjes.
Marrëveshje pranimi fajësie
Në rigjykimin e vitit 2013, unë isha kryetar i trupit gjykues së bashku me një gjyqtar gjerman dhe një gjyqtar vendas shqiptar të Kosovës. Deri atëherë, të pandehurit kishin vuajtur tashmë gati tre vjet burg.
Dënimet e tyre me shumë vite burg u konsideruan jashtëzakonisht të ashpra nga standardet evropiane. Nga përvoja, kisha mësuar se dënimet në Kosovë dhe në Evropë në përgjithësi ishin dukshëm më të shkurtra se në SHBA dhe dënimet në këtë rast ishin padyshim të jashtëzakonshme.
Ky ishte rasti i vetëm gjatë punës sime të gjatë në Kosovë që përfundimisht u zgjidh me një marrëveshje pranimi fajësie dhe jo me një gjykim të plotë siç ndodhte në Kosovë dhe Evropën Perëndimore.
Marrëveshjet e pranimit të fajësisë janë rutinë në SHBA, edhe në rastet më serioze, dhe një përqindje shumë e lartë e çështjeve penale mbyllen në këtë mënyrë. E njoh mirë këtë proces, i cili ka shumë përparësi.
Ndonëse rrallëherë e përsosur, një marrëveshje e mirë pranimi fajësie mund të shërbejë për një sërë qëllimesh. Së pari, eliminon nevojën për një gjyq të vërtetë, i cili mund të jetë i kushtueshëm, kërkon kohë dhe i papërshtatshëm për dëshmitarët, për të mos përmendur pasigurinë e rezultatit për prokurorinë, viktimat dhe të pandehurit – nuk mund të parashikohet kurrë se si gjykata do t'i vlerësojë provat.
Me një marrëveshje, prokuroria siguron një dënim të bazuar në pranimin e fajësisë për akuzat (të cilat ndonjëherë reduktohen ose rrëzohen si pjesë e marrëveshjes) dhe i pandehuri e di paraprakisht se cili do të jetë dënimi, kështu që shumë pasiguri eliminohet për të dyja palët.
Dhe me pranimin e fajësisë, të pandehurit marrin përgjegjësi personale për sjelljen e tyre kriminale, një qëllim i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë penale. Nga ana tjetër, marrëveshjet për pranimin e fajësisë ndonjëherë mund të shihen si shtrënguese, me prokurorin që ka avantazhin.
Në këtë rast, të pandehurit dhe avokatët e tyre ishin në ankth për të shmangur një gjykim tjetër të plotë, me gjithë pasigurinë e tij, nga frika se mund të merrnin dënime po aq të ashpra nëse dënoheshin sërish. Të pandehurit ishin të gatshëm të pranonin fajësinë në këmbim të dënimeve të reduktuara dhe prokurori ishte gjithashtu i gatshëm për një marrëveshje pranimi fajësie, duke rënë dakord se dënimet fillestare kishin qenë në mënyrë të padrejtë të rënda.
Unë isha i gatshëm të merrja në konsideratë një marrëveshje pranimi fajësie me prokurorinë dhe mbrojtjen, dhe, në fakt, e inkurajova atë, por dy kolegët e mi në trupin gjykues u desh të bindeshin. Edhe pse Kodi i Procedurës Penale të Kosovës i lejonte marrëveshjet për pranimin e fajësisë, koncepti ishte i ri për kolegët e mi, të cilët ishin të njohur vetëm me një gjykim të plotë, që siç u përmend ishte normë.
M'u desh t'i ndiqja me përpikëri në proces, duke u shpjeguar se një marrëveshje mund ta zgjidhte çështjen në mënyrë shumë më efikase dhe t'i shërbente edhe interesit të drejtësisë.
Të tre ne që ishim në panel mbajtëm disa takime me prokurorin dhe avokatët mbrojtës për të sqaruar detajet. Në fund arritëm një marrëveshje që ishte e pranueshme për prokurorin, të pandehurit, avokatët e tyre dhe për ne në gjykatë.
Të pandehurit do të vetëdeklaroheshin fajtorë për akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike në këmbim të uljes së dënimit bazuar në skenarin faktik të përshkruar më sipër. Data e lidhjes së kësaj marrëveshjeje ishte 18 mars 2013.
Thaqi, i cili mbante më shumë përgjegjësi penale se Kukaj, i cili kishte rregulluar vetëm një korrier, më pas u dënua me pesë vjet burg, duke i zbritur kohën e qëndrimit në burg nga 27 maji 2010. Ai do të qëndronte në burg edhe për gati dy vite të tjera.
Kukaj u dënua me tre vjet burg, duke zbritur kohën e qëndrimit në burg që nga 27 maji 2010. Ai u lirua nga burgu pas rreth dy muajsh.
Të gjitha palët e përfshira, përfshirë edhe gjykatën, ishin të kënaqura me këtë rezultat.
Nëse Rruga Ballkanike përmes Shqipërisë dhe Kosovës ringjallet për shkak të luftës në Ukrainë, atëherë ky rast mund të shërbejë si një kujtesë se si mund të zhvendoset droga dhe si mund të hetojë dhe ndërhyjë policia.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërsih pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.