Prokurorja e Durrësit, Anila Bebeci u përball të hënën më 23 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegimet për barrat e provës në kriterin pasuror lidhur me bilance negative, si dhe për disa gjetje në kriterin profesional. Ajo pranoi se në tre vite nuk kishte deklaruar kursimet cash, por pretendoi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme dhe se e kishte korrigjuar këtë pasaktësi. Bebeci mori vlerëism pozitiv për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për këtë subjekt rivlerësimi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Anila Bebeci e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit.
Problemet për pasurinë
Në vitin 2007, prokurorja Bebeci ka blerë një apartament 2+1 kundrejt çmimit 5 milionë lekë. Në këtë vit nuk ka deklaruar burimin e krijimit të kësaj pasurie, por kur është pyetur në vitin pasues nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, ka shpjeguar se për pagesën e vlerës 5 milionë lekë, kanë shërbyer 1.9 milionë lekë të përfituara nga shitja e apartamentit të mëparshëm; 800 mijë lekë kursime; dhe dy hua nga dy motrat e saj, përkatësisht në shumat 10 mijë euro e 500 mijë lekë.
Relatori Komici konstatoi se në analizën financiare nuk janë konsideruar si burim kursimet, pasi nga subjekti nuk është deklaruar gjendje cash në vitet 2004, 2005 dhe 2006. Sipas Komicit, duket se korrigjimi i kryer në 2008-ën ka qenë përpjekje e subjektit për të përmirësuar situatën financiare. Për rrjedhojë për krijimin e kësaj pasurie ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 1 milion lekë.
Ndërkohë, është konstatuar se Bebeci e ka përfituar këtë partament me çmim 43% më të ulët nga ai i referencave sipas entit Kombëtar të Banesave, EKB. Por, sipas KPK, nuk ka rezultuar që subjekti të jetë gjetur në situatë konflikti interesi me palën shitëse.
Nga hetimi administrativ, ka rezultuar se pronari i apartamenti që e ka shitur është anëtar i një bande kriminale. Për këtë arsye, Komisioni e ka pyetur Bebecin se si e ka njohur këtë person dhe si ka mësuar për apartamentin që ai shiste.
Prokurorja Bebeci shpjegoi në seancë se e kishte mësuar nëpërmjet lajmërimeve se apartamenti që ka blerë në 2007-ën shitej me një çmim okazion. Sipas saj, familja që e shiste do të largohej jashtë Shqipërisë dhe ndoshta prandaj e shiste me atë çmim. Bebeci theksoi se edhe vetë Komisioni nuk ka gjetur që të jetë në kushtet e konfliktit të interesit në këtë transaksion.
Ajo shtoi se në atë periudhë nuk ishin në dijeni se kishte pasur çmime reference dhe si palë blerëse nuk kishin detyrim për pagimin e tatimit fitimit. Bebeci solli në vëmendje se kishte dorëzuar edhe kontrata të ngjashme për apartamente të tjera në të njëjtën godinë, kur rezultonte se ishin shitur edhe më lirë.
Subjekti deklaroi se nuk kishte pasur asnjë njohje me shitësin e këtij apartamenti dhe se nuk dinte që ishte i proceduar. Sipas saj momenti kur ishte takuar me këtë person ishte kur ishte nënshkruar kontrata e shitblerjes dhe këmbënguli se ishte rastësore.
Për mosdeklarimin e gjendjes cash në tre vite, Bebeci u shpreh se nuk kishte pasur dijeni se duhej te bëhej ky deklarim. Ajo tha se kur e kishte mësuar një gjë të tillë në vitin 2007, ishte kujdesur që të deklaronte çdo vit gjendjen cash, shtesat dhe pakësimet.
Bebeci theksoi se nga analiza e të ardhurave dhe shpenzimeve të periudhës 2004-2006 rezultonte se kishte pasur burime financiare të ligjshme për kursimin e shumës 800 mijë lekë. Ajo vërejti se ILDKPKI nuk kishte konstatuar probleme në këtë drejtim.
Nga analiza financiare paraprake është konstatuar pamundësi financiare në shumën 167 mijë lekë për blerjen e një automjeti nga djali prokurores Bebeci për çmimin 500 mijë lekë, si dhe janë konstatuar balanca negative në vite.
Sipas Komicit, veç moskonsiderimit të gjendjes cash përpara vitit 2007, nuk janë përfshirë në analizën financiare të ardhurat e bashkëshortit nga punësimi në disa vite, pasi nuk është vërtetuar shlyerja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe këto fonde nuk janë dhënë nëpërmjet bankës.
Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake, ka rezultuar një bilanc negativ total në vlerën 2.9 milionë lekë.
Ndërkohë, KPK nuk ka gjetur probleme për likujditete bankare të djalit dhe bashkëshortit në vlera nga 2 milionë lekë. Po ashtu, ka rezultuar se bashkëshorti subjektit ka pasur burime për blerjen e dy automjeteve.
Prokurorja Bebeci e kundërshtoi pamundësinë e konstatuar për blerjen e makinës së djalit. Ajo pohoi se nuk ishin në pamundësi për blerjen e kësaj pasurie dhe shtoi se bilanci negativ rridhte si pasojë e moskonsiderimit të të ardhurave të bashkëshortit nga puna si instruktor automjetesh për periudhën 2005-2011. Sipas subjektit, këto të ardhura janë deklaruar çdo vit rregullisht dhe se bashkëshorti ka qenë i punësuar me anë të një kontrate noteriale ku përcaktohej se do të paguhej me pagë mujore në shumën 30 mijë lekë.
Në vijim, Bebeci pretendoi se detyrimi për pagimin e sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore ishte i punëdhënësit.
Në fund të seancës, relatori Komici e pyeti subjektin se a pëfitonte bashkëshorti pension si ushtarak dhe a mund ta humbiste këtë të ardhur nëse deklaronte në tatime punësimin tjetër. Prokurorja Bebeci u shpreh se nuk e dinte.
Sipas subjektit, edhe nëse edhe nëse për blerjen e automjetit të djalit do mbetej pamundësia financiare, vlera është e tillë që nuk mund të sjellë penalizim.
Ajo theksoi se nëse do të konsideroheshin të ardhurat e bashkëshortit nga puna, atëherë do të përmbysej bilanci negativ.
Gjetjet për profesionalizmin
Nga verifikimi i pesë dosjeve të shortuara nga Komisioni, subjektit i janë kërkuar shpjegime për tre prej tyre. KPK konstaton se Bebeci ka vendosur mosfillimin e hetimeve për një plagosje të kryer me thikë, duke mos kryer hetime edhe në drejtim të mbajtjes dhe përdorimit të armëve të ftohta.
Subjekti shpjegoi se dosja i ishte dhënë një javë pas ngjarjes dhe se kishte pasur shënim për mosfillimin e procedimit. Ajo deklaroi se në akt-ekspertim shënohej se dëmtimet ishin të tilla që sillnin pasojë paaftësi në punë deri në 9 ditë, ndërsa kallëzuesi kishte ndryshuar deklarimin. Sipas Bebecit, kallëzuesi në deklarimin e parë kishte thënë se autori e kishte qëlluar me thikë, ndërsa në procesverbalin e heqjes dorë kishte pohuar se kishte qenë i dehur dhe se nuk mbante mend me çfarë e kishin qëlluar, por i kujtohej vetëm që kishte parë gjakun. Ajo argumentoi para Komisionit se nuk ishte sekuestruar asnjë send i kundërligjshëm në vendngjarje dhe për rrjedhojë nuk mund të hetohej për send hipotetik, prandaj kishte vendosur dhe mosfillimin e procedimit penal.
Një tjetër rast mosfillimi, është konstatuar lidhur me një kallëizm për vjedhje telefoni. Sipas KPK, subjekti nuk ka verifikuar edhe tabulatet telefonike për të konstatuar nëse sendi ishte marrë ose jo, nga personi ndaj të cilit kishte ngritur dyshime kallëzuesi.
Bebeci sqaroi se megjithëse kallëzuesi kisht ngritur dyshime ndaj punonjëses së një agjencie, ai vetë kishte deklaruar fillimisht se kishte përshkruar një rrugë përpara se të konstatonte mungesën e telefonit.
KPK konstaton se subjekti nuk ka kualifikuar veprën e duhur penale ndaj një personi që i është gjetur në banesë një armë zjarri e llojit Kallashnikov, pasi e ka konsideruar si armë zjarri e lehtë. Komici tha se duket se subjekti ka lehtësuar pozitën e të pandehurit.
Bebeci deklaroi se i ishte referuar Kodit Penal të ndryshuar, për përcaktimin e mbajtjes së armëve në banesë. Ajo shtoi se kualifikimi i veprës penale ishte lënë në fuqi edhe nga gjykatat.
Ndaj prokurores Bebeci janë depozituar në KPK katër denoncime nga publiku, për dy prej të cilave janë kërkuar shpjegime. Në një rast, Komisioni e konsideron të nxituar regjistrimin e procedimit penal ditën që ka mbërritur edhe kallëzimi, si dhe është konstatuar se nuk janeë kryer hetime në vijim. Nga sa u relatua në seancë, u mësua se një mësuese dhe drejtorja e një shkolle kishin kryer kallëzime penale ndaj njëra-tjetrës lidhur me falsifikimin e një regjistri. Denoncuesja ka pretenduar se është rikthyer në punë, ndërsa drejtoren e kanë larguar nga detyra.
Po sipas denoncueses, drejtorja e larguar nga detyra ka filluar punë në një shkollë jo publike, ku motra e prokurores Bebeci rezulton aksionere dhe drejtuese. Nisur nga ky fakt, KPK ngre dyshime se subjekti nuk i ka trajtuar njësoj të dy palët në këtë çështje.
Prokurorja Bebeci deklaroi se kallëzimi kishte qenë i dyshuar dhe se dyshohej për falsifikim nga ana e denoncueses dhe prandaj kishte kërkuar bashkimin e çështjes me procedimin tjetër. Sipas saj, çështja në vijim është hetuar nga një tjetër prokuror.
Lidhur me punësimin e një prej palëve në shkollën ku e motra është drejtuese dhe aksionere, Bebeci pretendoi se kishte marrë dijeni për këtë fakt nga hetimi KPK. Subjekti e cilësoi petendimin e denoncueses si tendencioz dhe fyes. Në vijim shpjegoi se kishte marrë dijeni se punësimi në fjalë ishte kryer pas regjistrimit të procedimit penal.
Në përfundim, prokurorja Bebeci deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën si dhe atësi të mira në aspektin profesional. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 26 tetor, në orën 09:50.