Në vitin 2014, ish-oficeri i policisë Sergei Khadzhikurbanov u dënua me 20 vjet burg për rolin e tij në vrasjen e vitit 2006 të Anna Politkovskaya, një gazetare investigative e gazetës liberale Novaya Gazeta. Tani, vetëm nëntë vjet pas dënimit të tij, Khadzhikurbanov është falur, pasi kaloi gjashtë muaj duke marrë pjesë në luftën e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë. Për sa i përket Putinit, kjo e bën Khadzhikurbanovin një patriot.
Khadzhikurbanov nuk është i vetmi kriminel i dhunshëm që ka fituar faljen në Rusi duke iu bashkuar ushtrisë së Putinit në Ukrainë. Kjo është një praktikë e frymëzuar nga Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq në një shpërthim avioni dy muaj pasi mercenarët e tij të Grupit Wagner organizuan një rebelim të dështuar në qershor.
Pavarësisht fundit të tij të palavdishëm, Prigozhini ishte prej kohësh një aleat vendimtar i Putinit. Karriera e tij tij përfshinte drejtimin e një qendre trollash për të krijuar dhe përhapur histori propagandistike ruse dhe dërgimin e luftëtarëve të tij Wagner në vendet afrikane, pjesërisht për të fituar akses në burime si ari dhe uraniumi, shpesh në këmbim të mbrojtjes së jetës dhe interesave të liderëve lokalë. Ushtarët e Grupit Wagner ishin gjithashtu të nevojshëm në luftën e Ukrainës, duke marrë pjesë në disa nga betejat e saj më të përgjakshme, siç është lufta disamujore për Bakhmutin.
Përpara se të bëhej i pasur në epokën e Putinit, Prigozhin ishte një kriminel i dënuar që kaloi nëntë vjet burg për grabitje dhe sulm në vitet 1980. Nuk është habi që ai rekrutoi kriminelë për Grupin Wagner – një praktikë që tani është miratuar nga ministria ruse e mbrojtjes. Megjithëse numri zyrtar i ushtarëve më parë të dënuar është i panjohur, ne dimë se më shumë se 5,000 kriminelë u falën marsin e kaluar, pasi përfunduan kontratat e tyre për të luftuar për Grupin Wagner. Sipas Prigozhinit, rreth 40,000 të burgosur u përfshinë në betejën për Bakhmutin.
Megjithëse këta luftëtarë të falur mbeten ende në radhët e ushtrisë, disa arrijnë të kthehen në shtëpi nga fronti – të paktën dy duzina, sipas disa burimeve jozyrtare. Shpesh, ata kanë kryer akte vërtet të tmerrshme. Një luftëtar i falur vrau të dashurën e tij dhe e futi trupin e saj në një mulli mishi; një tjetër goditi dhjetë herë me thikë në stomak ish-bashkëshorten e tij. Një “patriot” filmoi veten duke rrahur për vdekje shokun e tij, si të ishte ndonjë shaka. Por pas vetëm disa muajsh në front, mëkatet e tyre falen dhe ata janë të lirë të mëkatojnë sërish. Disa thuhet se kanë kryer krime të reja të dhunshme, duke përfshirë përdhunime dhe vrasje, pas kthimit të tyre nga fronti.
Edhe besnikët e Putinit nuk janë plotësisht dakord me përpjekjet e Kremlinit për t’i bërë kriminelët heronj. Vitin e kaluar, guvernatori i rajonit të Sverdlovskut, Yevgeny Kuyvashev, u përplas me Prigozhinin pasi një klub lokal refuzoi të organizonte funeralin e një luftëtari të Grupit Wagner. “Nëse ai do të ishte një ushtar i vërtetë, shumë mirë, por ai ishte thjesht një ish i burgosur,” këmbënguli klubi.
Falja e të dënuarve të dhunshëm mund të mos jetë një mënyrë veçanërisht e dëshirueshme për të dërguar më shumë ushtarë në fushën e betejës, por për Putinin, alternativa do të ishte edhe më e keqe. “Mobilizimi i pjesshëm” i vitit të kaluar shkaktoi një reagim serioz dhe Putini i druhet një përsëritjeje të mundshme. Ai gjithashtu e di se ka dy Rusi dhe se nëse Kremlini vazhdon të dërgojë të dënuar, të dyja do të marrin diçka që e dëshirojnë.
Rusia e parë, e përbërë nga ata që jetojnë në dy qytetet më të mëdha të Rusisë, Moskë dhe Shën Petersburg, mund të pretendojë se nuk ka fare luftë. Po të vizitoni një librari si Respublika në Moskë, do të gjeni bestsellerë amerikanë dhe britanikë dhe vepra të autorëve rusë që i janë arratisur regjimit të Putinit, si Boris Akunin dhe Dmitry Bykov.Po të shkoni në një kinema në Nevsky Prospect në Shën Petersburg, mund të shihni filmat e suksesshëm amerikanë Barbie dhe Oppenheimer, pa parë asnjë shenjë se autoritetet i ndaluan filmat për “mosmbartjen e vlerave tradicionale ruse”.
Njerëzit në këtë Rusi janë të vetëdijshëm për dobësinë e realitetit të tyre. Kur pyeta një çift të ri që po shihte filmin Oppenheimer se cilat janë vlerat tradicionale ruse, ata u përgjigjën se askush nuk e di vërtet. Por ata u shprehën se njohin gjithashtu kufijtë e fuqisë së tyre për të ndryshuar realitetin e tyre, përpara se të pranonin se kinemaja së shpejti mund të mbyllet për “disidencë”.
Më pas është Rusia tjetër, ajo që gjen në qytete dhe fshatra të vegjël të shpërndarë në të gjithë territorin masiv të vendit. Këtu, lufta në Ukrainë është një burim krenarie patriotike dhe kushdo që rrezikon jetën e tij për fitoren meriton të nderohet. Në një udhëtim të kohëve të fundit në rajonin e Omsk të Siberisë, një çift u mburr teksa më tregonte për djalin e tyre ushtar: “Ai luftoi për vendin e tij”, tha e ëma. “Ai ka një medalje dhe me paratë që fitoi, na çoi për pushime në Krime.” Ata nuk përmendën se, përpara se të bëhej “hero”, ai kishte hyrë dhe dalë vazhdimisht nga burgu gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij.
Për ta, ndoshta kjo nuk ka rëndësi. Në Rusi, Kremlini e ka bërë të qartë, “gabimet mund të shlyhen me gjak”. Këtu ndihmojnë edhe paratë. Në rajonin e Omskut, të rinjtë – jo të burgosurit – marrin 195,000 rubla (2,200 dollarë) vetëm për t’u regjistruar. Nëse ata vdesin, familjet e tyre marrin më shumë se 100,000 dollarë kompensim. Nëse kthehen gjallë nga lufta, ata mund të blejnë shtëpi, makina dhe shumë gjëra të tjera. Sido që të jetë, rritja ekonomike është thelbësore.
Dualiteti i Rusisë nuk është diçka e re. Simboli i shtetit është një shqiponjë dykrenare. Megjithatë, rrallë herë dy Rusitë kanë qenë në një kontrast kaq të fortë me njëra-tjetrën. Ndërsa Moska dhe Shën Petersburgu vajtojnë për izolimin e tyre nga pjesa tjetër e botës, provincat përqafojnë mesazhin e armiqësisë së Putinit ndaj çdo gjëje “jo ruse”.
Sa më shumë të zgjasë lufta, aq më thellë do të shtrihet kjo ndjenjë jashtë qyteteve më të mëdha të Rusisë. Nëse bota e jashtme është kundër nesh, këmbëngulin provincat, ne do ta mbrojmë kombin tonë të madh nga ata që duan ta zvoglojnë atë. Por askush në botën e jashtme nuk mund ta zvogëlojë Rusinë më shumë sesa numri në rritje i patriotëve të falur të Putinit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Putin’s Killer Patriotism