Në dritaren e një lokali të vogël në qytetin lindor të Kosovës të Gjilanit, në një fletë A4 shkruhet: “Kërkojmë punëtor”. Ajo ka me javë të tëra në atë dritare.
“Duket se nuk ka interes”, tha kamerieri 23-vjeçar. “Të rinjtë e kanë mendjen diku tjetër.”
Kamerieri, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se shumë nga njerëzit që ai njeh janë larguar nga Kosova gjatë vitit të kaluar.
“Mund të numëroj 10 miq që kanë ardhur këtu për t’u përshëndetur me mua dhe për të më qerasur me diçka për të pirë”, tha ai.
Të keqpaguar dhe të pasiguruar, shumë të rinj në shtetin më të ri të Evropës i kanë sytë nga 1 janari, kur kosovarët do të mund të hyjnë pa viza në zonën Shengen dhe do të mund të kalojnë deri në 90 ditë atje gjatë çdo periudhe 180-ditore.
Para prillit, kur Parlamenti Evropian votoi për heqjen e regjimit të vizave me Kosovën, vendi ishte i vetmi në Ballkanin Perëndimor të cilit i duheshin ende viza për të udhëtuar.
Rregullat e reja nuk e lejojnë punën, por kjo nuk do t’i ndalojë disa që të lidhen me të afërmit e tyre që janë tashmë në Evropën Perëndimore dhe të provojnë fatin e tyre në tregun e punës.
Kamerieri në Gjilan tha se ka një dajë në Gjermani dhe miq diku tjetër; ai shpreson që kur radhët për viza në Prishtinë të ulen me ardhjen e vitit të ri, ai do ta ketë më të lehtë të sigurojë një takim për një leje pune në ambasadën gjermane.
“Ideja është që të kërkojmë një jetë më të mirë jashtë Kosovës”, tha ai. “Nuk është se jeta në Kosovë është e vështirë, por tregu i punës është shumë problematik. Punëdhënësit janë shumë kërkues ndaj punonjësve dhe pagat janë shumë të ulëta.”
Ngut për t’u larguar?
Kosova i plotësoi të gjitha kushtet e udhëtimit pa viza që në vitin 2018, por aprovimi u pengua nga vende si Franca dhe Holanda të cilat i druheshin një vale të re emigracioni dhe nga pesë anëtarët e bllokut të përbërë prej 27 shtetesh që nuk e njohin Kosova si e pavarur.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, nga viti 2018 deri në vitin 2021, qytetarët e Kosovës kanë dorëzuar 268,846 aplikime për viza në 26 vendet anëtare të zonës Shengen (23 shtete të BE-së plus Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni joanëtar i BE-së) nga të cilat vetëm 20,040 janë miratuar.
Një raport i tetorit 2022 nga Balkan Research Policy Group me bazë në Kosovë, vlerësoi se çdo aplikim i kushtoi aplikantit mesatarisht 165 euro, që do të thotë se kosovarët shpenzuan më shumë se 44 milionë euro për aplikime për viza midis vitit 2018 dhe 2021.
I ndërgjegjshëm për mundësinë që kosovarët të shkelin rregullat kur vjen puna për të mos filluar punë, kryeministri Albin Kurti nisi një fushatë ndërgjegjësimi publik duke u bërë thirrje njerëzve që të jenë “të kujdesshëm”.
“Duhet të keni pasaportë, mund të udhëtoni vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, duhet të keni dëshmi për qëllimin e udhëtimit dhe të keni mjete të mjaftueshme financiare dhe një biletë kthimi”, tha ai.
Frika nga një largim i madh njerëzish është e tepruar, thonë disa ekspertë. Në fund të fundit, shumë kosovarë tashmë janë larguar.
Nora Hasani, drejtore ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, tha se bizneset në Kosovë tashmë po përballen me një krizë të fuqisë punëtore pasi shumë vende të BE-së kanë vite që u japin viza kosovarëve për profesione të caktuara.
“Liberalizimi i vizave nuk do të thotë se Kosova do të zbrazet nga 1 janari dhe ne do të mbetemi pa punëtorë”, tha Hasani për TV Dukagjini në Prishtinë.
“Në Kosovë kemi pasur emigrim të vazhdueshëm dhe ka pasur mundësi të ndryshme për ata që kanë kërkuar një rrugëtim ndryshe jashtë Kosovës.”
Por Jusuf Azemin, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, nuk është aq i sigurt.
“Madje pesë vjet më parë, ne paralajmëruam se do të vijë momenti që punëtorëve të sektorit privat do t’u hapet mundësia dhe se ata do të largohen”, tha Azemi për BIRN.
“Ne i ftuam institucionet e Kosovës, qeverinë dhe palët e interesuara që të ulen dhe të krijojnë një projekt për zbutjen e situatës. Nuk ndodhi.”
Azemi përmendi parashikimet se në vitin 2024 ndërmjet 140,000 dhe 150,000 punëtorë në Kosovë mund të largohen nga puna. Kosova ka një popullsi prej rreth 1.76 milionë banorësh.
“Asnjëherë nuk kemi arritur të krijojmë kushtet minimale të punës që të kemi të drejtë t’u themi ‘Stop, ne kemi bërë gjithçka që mundëm për ju’”, tha ai. “Ne nuk kemi bërë asgjë për ata.”
Mungesë punëtorësh të kualifikuar
Nëse ka një arsye që shumë kosovarë e përmendin pse duan të largohen, është qëndrimi i punëdhënësve ndaj punonjësve të tyre dhe dështimi i qeverive të njëpasnjëshme për t’i sjellë ata në vete.
Njëzet e dy vjeçari Ardian nga Prishtina tha se mungesa e sigurimit shëndetësor në punën e tij si punëtor ndërtimi ishte arsyeja kryesore pse ai do të kërkojë punë diku tjetër.
“Mendoj se do të ketë më shumë mundësi dhe ne si punëtorë do të jemi më të respektuar në Gjermani apo Slloveni apo kudo që gjejmë punë”, tha ai.
Pagat janë gjithashtu të ulëta.
Sipas legjislacionit aktual, paga minimale në Kosovë është 130 euro në muaj për ata nën 35 vjeç dhe 170 euro për personat ndërmjet 35 dhe 65 vjeç.
Në korrik të këtij viti, ligjvënësit miratuan një rritje të pagës minimale në 264 euro pavarësisht moshës, por ndryshimi ende nuk ka hyrë në fuqi pasi opozita Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk e ka marrë një vendim.
“Fatkeqësisht, e gjithë kjo është në dëm të punëtorëve dhe kompanive”, tha Azemi. “Shumë kompani duhet të mbyllen për shkak të mungesës së punëtorëve, por edhe për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar.”
“Të gjithë sektorët janë në rrezik, por më të prekurit do të jenë ndërtimi, gastronomia dhe IT. Këta janë sektorë që kërkojnë profesionalizëm dhe kjo na mungon. Ndërtimi do të jetë më i prekuri.”
Hasani, megjithatë, tha se faji është i sistemit arsimor të Kosovës, i cili, tha ajo, “nuk ofron atë që kërkojnë bizneset”.
“Arsyeja pse na mungon fuqia punëtore në Kosovë lidhet më shumë me mungesën e kualifikimit të fuqisë punëtore.”
Azemi argumentoi se nuk ka garanci se arsimimi dhe trajnimi më i madh do t’i mbante njerëzit në Kosovë.
“Por shumica e punëdhënësve meritojnë të jenë në këtë situatë, sepse ata nuk e vlerësuan fuqinë punëtore që kishin në vitet e mëparshme”, tha ai. “Shumica ishin të mendimit ‘Po deshe, rri, po s’deshe, ik’. Tani gjërat kanë ndryshuar.”