Irfan Shkodranit, një 70-vjeçar nga qyteti i Elbasanit, nuk i intereson nëse i duhet të udhëtojë rreth 80 kilometra në ditë vetëm për të marrë pjesë në një protestë ndryshe në kryeqytet, Tiranë.
Një rrugicë e ngushtë e mbushur me kafene është kthyer ditët e fundit në një shesh proteste për qindra mbështetës të liderit historik të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.
Ai tani qëndron në shtëpi në rrugën “Mustafa Matohiti” dhe me vendimin e fundit të gjykatës duhet të kalojë ditë e net brenda banesës së tij.
Por për kënaqësinë e Shkodranit dhe qindra mbështetësve të tjerë të Berishës, ai ndonjëherë kap një altoparlant dhe i drejtohet turmës nga dritarja e banesës së tij.
Shkodrani thotë se vjen çdo ditë për të dëgjuar Berishën. Fillimisht merr autobusin nga Elbasani. Kur kthehet, miqtë e çojnë ndonjëherë në shtëpi me makinë. Te Berisha sheh “shpresë, besim dhe fitore”.
“Unë e kam mbështetur Berishën që në vitet 1990… Përveç Berishës, askush nuk do ta mundë liderin socialist dhe kryeministrin Edi Rama. Jam nga Elbasani dhe vij çdo ditë. Vij me autobus dhe këto tre ditët e fundit jam kthyer me makinë”, thotë ai. Ai ka lot në sytë e tij.
Më 30 dhjetor, një gjykatë urdhëroi “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin dhe liderin e opozitës, pas shtyrjeve të shumta gjatë asaj jave, ku politikani 79-vjeçar humbi imunitetin e tij parlamentar.
Sipas masave kufizuese, Berisha mund të komunikojë vetëm me familjarët me të cilët jeton. Vendimi i gjykatës mund të ankimohet brenda pesë ditëve.
Berisha i ka kundërshtuar akuzat ndaj tij si një “gjyq politik” dhe këmbëngul se do të vazhdojë kundërshtimin e tij ndaj qeverisë së Ramës.
“Vendim i padrejtë”
Figura dominuese politike në Shqipëri pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990 dhe sërish në vitet 2000, Berisha u akuzua në tetor 2023, së bashku me dhëndrin e tij, për “korrupsion pasiv” që daton që nga viti 2008.
Akuzat lidhen me një ndryshim legjislacioni të bërë nga qeveria e tij e atëhershme në 2008 për të lejuar privatizimin e komplekseve sportive të shpronësuara në komunizëm.
Prokurorët thonë se ky ishte një nga një sërë ndryshimesh ligjore të ndërmarra nga qeveria e Berishës për të lehtësuar zhvillimet e biznesit në të cilat ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kishin një interes financiar. Prokurorët pretendojnë se ata të dy së bashku kanë marrë rreth 5.4 milionë euro ryshfet.
Ndërsa Malltezi u arrestua, Berishës iu ndalua largimi nga Shqipëria dhe u urdhërua të paraqitet rregullisht në polici.
Mbështetësve të tij nuk u bën përshtypje lista e akuzave apo urdhri për arrest shtëpie.
“Vendimi i gjykatës nuk është i drejtë”, thotë Irfan Shkodrani, ndërsa shikon aparatamentin e e Berishës në mes të një shiu janari, të cilin ai e mposht me një çadër.
Ashtu si Shkodrani, ka shumë të tjerë që kanë qenë mbështetës besnik të tij që nga viti 1990.
Çdo ditë në orën 17:30 ata mblidhen në të njëjtën rrugë, disa prej tyre mbajnë fjalime dhe për disa minuta dëgjojnë Berishën teksa u flet nga dritarja me mikrofon. Pastaj shkojnë në shtëpi, për të ardhur sërish të nesërmen.
Disa vijnë nga qytete të tjera, por ende këmbëngulin se do të vijnë çdo ditë. Berisha gjithashtu është zotuar se do të flasë me ta çdo ditë. “Asnjë prokuror nuk mund të më ndalojë të flas me ju”, thotë ai.
“Kushtetuta ka një nen, Nenin 17, i cili përcakton se asnjë kryeministër, asnjë gjykatë dhe asnjë prokuror nuk mund ta mohojë lirinë e fjalës. Kjo mund të ndodhë vetëm me ligj”, tha ai më 3 janar, ndërsa turma u përgjigj: “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.
Berisha u vu nën “arrest shtëpie” pas akuzave për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë të shtetit apo të të zgjedhurve vendorë”, më 30 dhjetor.
Nuk dihet nëse Berisha ka shkelur me megafonin e tij masën e sigurisë për të mos komunikuar me askënd përveç personave me të cilët jeton, por gjykata ende nuk ka reaguar.
Disa nga mbështetësit e tij, disa prej të cilëve vijnë nga qytete të tjera çdo ditë, i thanë BIRN se masa e sigurisë që i është caktuar, është “jo e drejtë” dhe se arrestimi i tij është “politik”.
Berisha është i njohur për mbështetësit e tij të përkushtuar dhe besnikë, shumica e tyre e kanë mbështetur që nga fillimi i viteve 1990 – ndoshta sepse e lidhin atë me rënien e komunizmit dhe ndryshimin që solli demokracinë në vend.
“Ai është i burgosur politik i Ramës”
Pëllumb Dervishaj, nga Patosi, në jug të Shqipërisë, thotë gjithashtu se ai vjen çdo ditë në rrugën ku ndodhet apartamenti i Berishës dhe se do të vazhdojë të vijë çdo ditë për ta mbështetur. Ai e ka ndjekur edhe Berishën që në vitet ’90.
“Vij çdo ditë nga Patosi për të mbështetur liderin historik, profesor Sali Berishën. E kam mbështetur që në fillimet e demokracisë në vitet 1990. E vlerësoj për shumë gjëra, është një listë e gjatë të mirash që ai ka bërë për Shqipërinë. Nën qeverisjen e Berishës, ne hymë në NATO, u liberalizuan vizat për në Evropë dhe shumë e shumë gjëra të tjera”, tha ai për BIRN.
I pyetur se çfarë mendon për masën e sigurisë së gjykatës, ai thotë: “Ka diçka që nuk shkon”.
“Ka diçka që nuk shkon sepse, për mendimin tim, nuk ka prova, fakte, dokumente, argumente, ndaj mendoj se është një arrestim politik”, tha ai për BIRN.
Një tjetër mbështetës Zyhdi Kashari, 74 vjeç, nga Tirana, thotë gjithashtu se do të mbështesë Berishën çdo ditë.
“Jemi mbledhur për të çliruar shqiptarët nga diktatura. Jemi kthyer në diktaturë dhe po mblidhemi për të mbrojtur Sali Berishën, i cili ishte themeluesi i Partisë Demokratike. Ai solli pluralizmin që ne gëzojmë sot”, tha ai për BIRN.
“Unë e kam mbështetur Berishën që nga viti 1990. U largova nga Tirana për një ditë; vetëm një ditë nuk pata mundësinë të dilja dhe të protestoja”, shtoi ai.
I pyetur se çfarë sheh te Berisha, ai thotë: “Gjithë të mirat. Ai është njeri i drejtë, ai është njeriu më i shenjtë për mua.”
Ai gjithashtu e quan të padrejtë masën e sigurisë së gjykatës. “Është nga diktatori që ka dhënë urdhrin në gjykatë. Ka kapur gjithçka”, thotë ai duke iu referuar Ramës.
Shan Luxhaj, 61-vjeçari nga Kurbini në veri të Shqipërisë, vjen çdo ditë në Tiranë për të mbështetur Berishën.
“Unë shoh shumë padrejtësi. Berisha është një i burgosur politik i Ramës. Ai është lideri historik i Partisë Demokratike dhe i Shqipërisë, ka Zotin me vete, popullin dhe është patriot”, tha ai për BIRN.
“Berisha po sfidon sistemin gjyqësor”
Një ekspert i ligjit, Gentian Serjani, i cili drejton organizatën “Drejtësi Sociale”, me qendër në Tiranë, tha për BIRN se komunikimet e Berishës janë shkelje e masës së sigurisë.
“A po shkel urdhrin e gjykatës për të mos komunikuar me persona të tjerë? Po. Por që ky urdhër të zbatohet, duhet që gjykata të tregojë se si duhet të ekzekutohet ky urdhër”, tha Serjani.
“Dhënia e këtij urdhri, për të mos komunikuar me persona të tjerë, rrallëherë ndodh të jetë pjesë e disponimit, pasi edhe masa e arrestit shtëpiak e përfshin këtë”, sqaroi ai.
“Berisha po sfidon sistemin gjyqësor, duke gjetur hendeqe ligjore dhe duke i përdorur ato në favor të tij”, shtoi ai.
Nëse shpallet fajtor, Berisha rrezikon 4 deri në 12 vjet burg.
Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara akuzuan Berishën për përfshirje në “korrupsion madhor” dhe deklaruan se ai nuk kishte më të drejtë të hynte në vend.