Lajm11 Sep 2021

31-vjeçari vret ish-bashkëshorten 2 muaj pasi gjykata e liroi me pretekstin e problemeve mendore

Elton Metaj u arrestua pasi vrau ish-bashkëshorten. I riu, i cili kishte dhunuar dhe kërcënuar më herët viktimën, u la i lirë nga Gjykata e Fierit në korrik, pas dy vendimeve të diskutueshme, në të cilat citohej situata e tij mendore si shkak.

Autor: Valbona Davidhi BIRN Fier
Printo

Policia në vendin e ngjarjes. Foto:Valbona Davidhi.

I akuzuar për dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të policisë Elton Metaj do duhej të qëndronte në qeli për një kohë të gjatë, por 31-vjeçari qëndroi vetëm pak muaj në burg.

Në mars me kërkesë të prokurorit Çlirim Sino dhe me vendim të gjyqtarit Piro Sota, akuzat ndaj Metajt u pushuan dhe u urdhërua që ai të mbahej në një spital psikiatrik. Në vendim Sota shprehet se i riu ishte i rrezikshëm. Por më pak se pesë muaj më vonë i njëjti gjyqtar, vlerëson në një vendim të dytë se i riu duhej të lihej i lirë dhe të merrte mjekim në poliambulancën e Fierit një herë në muaj.

Dy muaj pas këtij vendimi Metaj u armatos dhe natën e 10 shtatorit u fut në shtëpinë e ish-vjehrrit të tij dhe vrau ish-bashkëshorten 23 vjeçaren Sabina Bengaj, me të cilën kishte një vajzë 3 vjeç.

“Ai kishte hyrë kur ishte vetëm nëna me motrën dhe kishte qëlluar direkt. Motra sa kishte ardhur nga puna”, tregoi vëllai i viktimës Armando Bengaj pak kohë pas ngjarjes.

Krimi nxorri në pah  dy vendime kontraverse të Gjykatës së Fierit, e cila fillimisht pushoi akuzat për Elton Metajn dhe më pas i dha atij lirinë mbi pretekstin e probleme mendore.

Metaj u arrestua në shtator të një vit më parë pasi kërcënoi për gati 5 orë familjen e ish-bashkëshortes. Sipas vendimit të gjykatës së Fierit ai kishte hyrë natën në shtëpinë e ish-vjehrrit, kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar se do i vriste nëse ish bashkëshortja Sabina Bengaj nuk kthehej të jetonte me të.

Në vendimin e gjykatës thuhet se çifti ishte ndarë pas konfliktit dhe dhunës që kishte filluar kur viktima kishte mësuar se autori i dyshuar i vrasjes e tradhëtonte.  Pas ndërhyrjes së policisë ai dorëzoi armën pas pesë orësh negocimi.

Në mars pas përfundimit të hetimeve për këtë ngjarje me kërkesë të prokurorit gjyqtari Piro Sota vendosi pushimin e tre akuzave ndaj 31-vjecarit, pushimin e çështjes dhe mjekimin e tij të detyrueshëm në një spital psikiatrik. Në vendim gjyqtari shprehet se një ekspertim psikiatrik kishte gjetur se i riu vuante nga “sëmundje psikike” dhe se ngjarja kishte ardhur për shkak të prishjes së ekuilibrit mendorë.

Por gjykata thotë se ekspertiza nuk e kishte zbuluar se çfarë çrregullimi kishte 31-vjeçari dhe e kishte cilësuar atë “çrregullim psikotik të papërcaktuar”.

Megjithatë Sota arsyeton në vendim se i riu sipas ekspertizave ishte i rrezikshëm dhe duhej të qëndronte i mbyllur.

“Nga provat e mbledhura nga organi i hetimit, por në veçanti nga dy aktet e ekspertimit psikiatriko-ligjor janë sqaruar në mënyrë bindëse si shkalla e rrezikshmërisë së lartë shoqërore të personit nën hetim ashtu dhe llojit i mjekimit të detyruar që duhet të aplikohet ndaj tij”, thuhet në vendimin që BIRN e ka.

Por pesë muaj më vonë gjykatësi ka ndryshuar qëndrim. Në një vendim që mban datën 26 korrik, Sota arsyeton se i riu mund të lirohej. I vetmi kufizim për të ishte se duhej të kontrollohej një herë në muaj nga mjeku psikiatër në Fier dhe se për të duhej të kujdesej babai.

Sipas të dhënave nga gjykata çifti kishte zgjidhur martesën pas akteve të mëhershme të dhunës dhe viktima kishte një urdhër mbrojtjeje deri në tetor të këtij viti.

Dhuna në familje është një fenomen i përhapur gjërësisht në Shqipëri. Në një sërë hulumtimesh të mëparshme BIRN ka gjetur se masat e marra për të ndaluar fenomenin dhe mbrojtur viktimat ishin të pamjaftueshme dhe shpesh nuk zbatoheshin, duke sjellë përsëritje të dhunës dhe akte ekstreme si ai i mbrëmjes së të premtes në Fier.