Qindra shqiptarë të Kosovës protestuan për njerëzit e humbur gjatë konfliktit të viteve 1990 dhe ndaluan një autobus me serbë nga vajtja te një shërbim kishtar në Kosovën perëndimore
Rreth 400 shqiptarë të Kosovës që protestonin për njerëzit e zhdukur gjatë luftës së Kosovës bllokuan rrugët në fshatin Mushtisht pranë Suharekës në Kosovën perëndimore të enjten, duke ndaluar serbët që qenë nisur për të vizituar një kishë.
Dalibor Jevtic, ministri në ikje për Kthimet dhe Bashkësitë në qeverinë e Kosovës, e dënoi bllokadën. Akte të tilla, tha ai, nuk e çojnë shoqërinë e Kosovës drejt bashkëjetesës më të mirë të bashkësive por përbëjnë një hap prapa.
“Nëse doni që çdokush në Kosovë të jetë i barabartë, atëherë ne kemi nevojë për barazi mes bashkësive dhe të punojmë në një mënyrë krej tjetër,” i tha ministri portalit të lajmeve Telegrafi.
Serbët, shumica e të cilëve qenë refugjatë nga konflikti i Kosovës që patën ardhur nga Serbia për një festë fetare ortodokse, u detyruan të shkojnë në kishën e një fshati tjetër për ceremoninë.
Protestuesit thanë se duan të vënë në dukje problemin e njerëzve të zhdukur nga konflikti i Kosovës.
Ata mbanin pankarta ku shkruhej: “ku janë njerëzit e humbur nga Mushtishti?” dhe “nuk ka vend për kriminelët në Mushtisht”.
Policia tha se rreth 150 serbë erdhën me autobus në Mushtisht për të marrë pjesë në shërbesë në kishën e Virgjëreshës së Shenjtë.
Pasi u bllokuan rrugës për në kishë, “policia u detyrua t’i shoqërojë ato në fshatin Zoqishtë, Suharekë, për të ndjekur ceremoninë e tyre fetare,” tha policia.
“Pas kësaj, ata u kthyen në Serbi pa ndonjë telash tjetër,” tha policia.
Policia vërejti se ata i kanë dhënë leje vetëm 57 pelegrinëve për të ardhur për vizitë.
Zëvendësministri i jashtëm në ikje i Kosovës, Petrit Selimi, tha se ai e kuptonte zemërimin e ndjerë nga shumë banorë të zonës për njerëzit e humbur, disa prej të cilëve dyshohet se janë hedhur në varre masive në Serbi.
“Një nga pankartat e protestuesve thotë, ‘Ku janë të humburit e Mushtisht? Ndoshta të fshehur në një varr masiv në Serbi,” tha Selimi në një shkëmbim në Tëitter me At Sava Janjic, udhëheqës i Kishës Orthodokse Serbe në Kosovë.
Njerëzit e zhdukur mbeten një problem madhor në të dyja anët e Kosovës së ndarë etnikisht. Rreth 1,700 vetë vijojnë të figurojnë zyrtarisht të zhdukur si pasojë e konfliktit.