Rrëmbimi i një prone universitetit për ta bërë gjykatë, është një veprim që nuk krijon as universitet dhe as drejtësi.
Nja dhjetë vjet të parë, qëllova të punoj në një televizion, ku për drejtor qe një nga ata tipikët drejtorë të kohës së komunizmit, me kurs dyvjeçar për kuadro partie në rreth dhe në bazë. Ky person, të cilit nuk po ia përmend emrin sepse ka pushuar prej kohësh së qeni njeri publik, qe aq komunist, sa në vitin 2005, garoi për kandidat për deputet për… Partinë Demokratike.
Ky menaxher kishte një metodë pune. Kur mungonte një dollap në katin e tretë, merrte një dollap nga kati i parë dhe e çonte në kat të tretë. Anasjelltas, kur mungonte dollapi në katin e parë, merrte po të njëjtin dollap në katin e tretë dhe e kthente në të parin. Në fund të çdo dite pune i bërtiste njerëzve se puna nuk qe bërë dhe se mungesa e dollapit qe një justifikim.
Këtu unë kuptova se pse ka rënë komunizmi në Shqipëri.
Më 5 nëntor të këtij viti, qeveria merr lapsin dhe shkruan një vendim. A) E marrim fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave dhe e kthejmë në Gjykatë të Lartë. B) nuk ka B. Nuk dihet se çfarë do të bëjmë me fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave. Por duke qenë se duhet të bëjmë diçka, atëherë thashethemi qarkullon se do të merret një ndërtesë nga Universiteti Bujqësor në Kamzë për t’u bërë Gjeologji – Miniera. Dhe kur të dalë puna se Universiteti Bujqësor mund të ketë kërkesa të vetat, atëherë e marrim këtë të fundit dhe ndoshta e çojmë në Lushnjë. Pastaj e marrim shkollën teknike bujqësore të Lushnjës dhe e biem në Tiranë te anekset e Gjykatës Kushtetuese. Dhe kështu dollapi qarkullon, nga kati i parë në kat të tretë, sipas nevojave.
Nëse del dikush dhe na thotë se në fakt na mungon një dollap, atëherë i themi se po bën propagandë kundër udhëheqjes sonë të ndritur. I themi se, (kur është student) nuk do të mësojë, dhe (kur është punëtor), nuk do të punojë.
Mund t’i bëjmë këto marifete kur të duam dhe si të duam sepse e kemi median nën kontroll. Dhe, populli duhet të kapet në befasi. Nuk duhet të diskutohet nëse populli është dakord ta heqim një dollap nga një vend për ta çuar në një vend tjetër, duhet të merret vendimi dhe pikë. Pastaj nëse dikush na ankohet, e akuzojmë se është armik/dembel/rrugaç apo, siç tha edhe kryeministri Edi Rama sot në një takim me studentët dhe pedagogët protestues, “propagandist”.
Lajmi i erdhi kaq i papritur njerëzve të fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, aq edhe papritur njerëzve të Gjykatës së Lartë. Këto të dytët, duket se nuk kanë qejf të lëvizin. Njëri prej tyre i bëri ‘like’ studentëve protestues, sepse nuk dëshiron të lëvizë. Sikur gjykata e Lartë të mos ishte çerdhe e padrejtësisë dhe interesit siç është, ka gjasa që në shesh do të kishim si profesorë e studentë, ashtu edhe gjykatës.
Dhe duke qenë se gjykata e Lartë nuk di gjë se duhet të shkojë te fakulteti dhe fakulteti nuk di gjë se duhet të zbythet nga shtëpia e vet prej 60 vjetësh, pyetja ekzistenciale që më shqetëson është se kush është fantazisti i qeverisë që merr përsipër të bëjë eksperimente të tilla sociale!? Çfarë forme ka kaptina e këtij njeriu. A jeton në Tiranë apo jeton në mars?
Ata, studentët, një pjesë e vockël e pedagogëve dhe disa aktivistë kanë hedhur gjatë vitit të fundit disa kërkesa shumë praktike dhe një kërkesë të vetme madhore. Kërkesa madhore është arsimi i lartë publik falas (dmth i financuar nga taksimi i përgjithshëm) për të gjithë, pavarësisht nëse kandidatët për studentë janë të varfër apo të pasur.
Por përmes këtij objektivi madhor, janë detyruar të luftojnë beteja të vogla përballë një klase politike hileqare që është mësuar më së shumti ta rrahë popullin, ta rrahë, qoftë në kuptimin fizik të fjalës, qoftë në kuptimin propagandistik.
Gjatë ditëve të fundit mësuam se Partia Demokratike (po po, Partia Demokratike), një armike e betuar e arsimit të lartë publik, forca politike që themeloi tri dyzina me skema piramidale të quajtura universitete private dhe që mori në qafë një brez të tërë shqiptarësh, ka dalë në mbështetje të studentëve protestues. Jo vetëm kaq, por me parimin se “i puqen interesat”, u kanë ofruar protestuesve autoparlantë, foni, skenografi dhe, natyrisht, turmën e tyre të mercenarëve për mbështetje.
Kjo forcë politike duket se e ka të pamundur të kuptojë se ata studentë, pedagogë dhe aktivistë që kanë dalë në protestë nuk janë batakçinj si shumica dërrmuese e udhëheqësisë së kësaj partie. Atyre u duket e pamundur që në Shqipëri të ketë njerëz që dalin në protestë për interes publik. Dhe pasi iu refuzua oferta për ndihmë me autoparlantë dhe mitingashë, sërish i mbushet mendja se mund të dërgojnë ndonjë sharlatan te protestuesit për t’i mbushur mendjen se, kur vjen puna për pushtet, çdo marrëveshje është e mundshme.
Kryeministri Edi Rama do të bëjë mirë të mësojë se institucionet e shtetit nuk janë si fasadat e Tiranës, të cilave mund t’i hidhet një bojë sipër sepse, helbete, bojë është.
Sa i përket diskutimeve që thonë se Shqipëria ka një sektor të vogël minerar dhe rrjedhimisht nuk i hyn në punë fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, apo se aty shkojnë studentët më të dobët thjeshtë për të marrë një diplomë, kjo nuk më ngjan se është përgjegjësi e studentëve, por vlen si argumentim për të diskutuar se çfarë shkollash i duhen Shqipërisë dhe si duhet të modifikohen ato ekzistuese apo si duhet të krijohen të rejat. Në asnjë rast, rrëmbimi i një ndërtese nga universiteti për t’ia dhënë gjykatës, nuk ka kurrfarë lidhjeje me këtë diskutim.