Një parti e sapokrijuar e shqiptarëve të Maqedonisë hodhi poshtë akuzat se ajo është një “degë” e Partisë Drejtësi dhe Zhvillim të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan.
Partia e re e quajtur Besa, e cila u thelëmua formalisht fundjavën e kaluar, mohoi akuzat se ajo kishte lidhje me presidentin e Turqisë por tha se sugjerimi qe gjithashtu i këndshëm për ta.
“Ne i pranojmë këto komente vetëm si kompliment dhe si provë se ne nuk jemi njësoj [si partitë e tjera të shqiptarëve në Maqedoni]. Përkundrazi, ne jemi ndryshe nga ata,” tha Afrim Gashi, një ish gazetar dhe një nga themeluesit e partisë së re.
Partitë e tjera të shqiptarëve, Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve në opozitë, nuk e mikpritën krijimin e partisë Besa, duke thënë se nuk ka më hapësirë për një forcë të tretë politike për shqiptarët në këtë vend.
“Nga ajo që kam lexuar, kam përshtypjen se Besa është një kërcënim më i madh për partitë turke [në Maqedoni] dhe më pak për partitë shqiptare,” tha Artan Grubi, shefi i zyrës së kreut të BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë për portalin e lajmeve në gjuhën shqipe Zhurnal.
Grubi sugjeroi se partia e re ka lidhje turke dhe sugjeroi se këto lidhje mund të dëmtojnë shanset e saj në votime.
“Ideologjitë e huaja i bëjnë dëm të madh proceseve kombëtare dhe historia ka treguar se ato nuk janë pranuar kurrë nga shqiptarët,” tha ai.
Por bashkëthemeluesi i Besës, Gashi, tha se partia nuk qe një krijim i huaj dhe se ajo do të sfidojë seriozisht BDI-në dhe PDSH-në në elektoratin e shqiptarëve.
“Synimi i BEsës do të jetë të nisë një debat të sinqertë mbi çështje të rëndësishme nga politika te ekonomia, kultura, arsimi, shëndetësia dhe për të artikuluar mendimet e reja politike të cilat do të bazohen në vlerat njerëzore universale të cilat do të jenë të ndryshme nga shteti që ne kemi sot. Besa synon të ndërgjegjësojë shqiptarët dhe të gjithë të tjerët mbi pabarazitë, padrejtësitë dhe mungesën e lirisë në vend,” tha ai.
Partia e re thotë se do të promovojë konceptin se të gjitha etnitë duhet të jenë të barabarta.
Analisti politik Ismet Ramadani tha se Besa ka shanse për sukses por vetëm nëse tërheq njerëzit e shumtë të pakënaqur me partitë aktuale shqiptare.
“Ndryshe nga disa iniciativa të tjera të ngjashme, kjo aktualja mund të rezultojë më serioze,” tha Ramadani.
“Nëse Besa ia del të joshë intelektualët e rinj shqiptarë dhe studentët apo votuesit e pavendosur, nëse i bind ata se do të ndjekë rrugën e vet, atëherë e ka një shans, një shans serioz për të marrë një pjesë të elektoratit të partive ekzistuese,” shtoi ai.
Shqiptarët përbëjnë afërsisht një të katërtën e 2.1 milionë banorëve të Maqedonisë. Por vlerësime të ndryshme sugjerojnë se rreth 40 për qind e tyre nuk dalin në votime.
Në zgjedhjet parlamentare të marsit, BDI fitoi rreth 160 mijë vota ndërsa PDSH mori rreth 60 mijë vota.
Përpjekjet për të krijuar një parti të tretë për shqiptarët kanë qenë të shumta deri tani.
I larguari nga BDI, Imer Selmani krijoi Partinë e Re Demokratike më 2008 ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 rezultoi i treti. Por partia e tij vuajti humbje të rënda në zgjedhjet vendore dhe parlamentare që nga ajo kohë dhe Selmani dha dorëheqjen më 2011.
Ish kryebashkiaku i Gostivarit Rufi Osmani, krijoi partinë për Rilindje Kombëtare Demokratike më 2011 dhe fitoi dy deputetë në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara po atë vit. Por Osmani dha dorëheqjen këtë vit pasi partia e tij fitoi vetëm një mandat në zgjedhjet parlamentare të marsit.