Katër zyrtarë me dijeni mbi bisedimet për zgjidhjen e krizës në bankën qendrore pas arrestimit të guvernatorit dhe dorëheqjes së njërit prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, argumentojnë për BIRN shkaqet se pse situata duket e bllokuar dhe pa rrugëdalje.
Banka qendrore e Shqipërisë ka mbetur tashmë prej tri muajsh pa guvernator dhe pa inspektor të përgjithshëm, ndërsa katër nga nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës mungojnë gjithashtu. Banka nuk ka zëvendësguvernator të parë që nga viti 2006 ndërsa dy vende në Këshillin Mbikëqyrës janë vakante që prej më shumë se një viti. Ndërsa situata konsiderohet “e padurueshme” për disa funksionarë dhe ish funksionarë, cilësohet gjithashtu si një “situatë për të ardhur keq” nga disa të tjerë.
BIRN pyeti disa zyrtarë e ish zyrtarë si dhe një deputet mbi situatën e krijuar ku konkluzioni i përgjithshëm qe që konflikti politik mes Presidentit Nishani dhe maxhorancës parlamentare nga njëra anë si dhe pavendosmëria e kryeministrit Edi Rama nga ana tjetër, janë dy faktorët që kanë sjellë zvarritjen e problemit.
Të gjithë pranuan se aktualisht mosmarrëveshjet mes presidentit Bujar Nishani, i cili ka të drejtën ligjore e propozimit të guvernatorit të ri dhe kryeministrit Edi Rama, maxhoranca parlamentare e të cilit duhet ta miratojë në parlament këtë propozim, është shkaku kryesor i vonesës së emrit të guvernatorit.
Por sa i përket dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe emrit të inspektorit të përgjithshëm, vonesat nuk janë për shkak të këtij konflikti.
Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për komente.
Vende vakante të vjetra
Banka e Shqipërisë drejtohet nga guvernatori, dy zëvendësguvernatorë dhe një këshill ku përveç treshes drejtuese marrin pjesë edhe gjashtë anëtarë të tjerë.
Banka e Shqipërisë mbeti pa guvernatorin e parë, i cili duhet të propozohet nga guvernatori dhe të miratohet nga këshilli, që nga viti 2006, kur zëvendësguvernatori i atëhershëm Limos Malaj dha dorëheqjen nga ky post për të mbajtur postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Në gusht të vitit të kaluar, dy vende në Këshillin Mbikëqyrës mbetën vakant pasi paraardhësve iu mbarua mandati. Kuvendi i Shqipërisë pati për detyrë të zgjidhte dy anëtarët e rinj, por për më shumë se një vit, Kuvendi nuk veproi.
Më 5 shtator të këtij viti, Policia e Tiranës arrestoi guvernatorin Ardian Fullani dhe Inspektoren e Përgjithshme Elivar Golemi në lidhje me hetimet për supervjedhjen në Departamentin e Emisionit Monetar të zbuluar për publikun në muajin korrik.
Pak më vonë, Adrian Civici dha dorëheqjen nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH. Për rrjedhojë, Këshilli Mbikëqyrës ka aktualisht pesë nga nëntë anëtarë që duhet të ketë ndërsa strukturës menaxheriale të bankës i mungojnë guvernatori, një zëvendësguvernator dhe Inspektori i Përgjithshëm.
Banka e Shqipërisë ka një set rregullash për të vijuar funksionimin në raste të tilla. Rregullat e BSH sanksionojnë që nëse mungon guvernatori, detyrat e tij i kryen zëvendësguvernatori i parë dhe nëse mungon edhe ky, i kryen zëvendësguvernatori i dytë. Nëse mungojnë që të tre, detyrat e guvernatorit i kryen drejtori më i vjetër në bankë.
Por sa i përket postit të Inspektorit të Përgjithshëm, rregulla të tilla nuk ekzistojnë dhe aktualisht vendi është vakant. Inspektori i Përgjithshëm duhet të zgjidhet nga parlamenti, i cili ka nisur disa procedura të gjata për zëvendësimin e inspektores së shkarkuar mëse tri muaj më parë.
“Sa i përket postit të guvernatorit, është e kuptueshme se ka nevojë për mirëkuptim mes Presidentit dhe Maxhorancës parlamentare, por sa i përket Inspektorit të Përgjithshëm, nuk ka kurrfarë arsyeje se pse duhet të vonohet kaq gjatë,” komentoi për BIRN një zyrtar i bankës me njohuri nga bisedimet në lidhje me çështjen. Sipas zyrtarit, i cili foli në kushtet e anonimatit për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, problemi për inspektorin dhe dy vendet vakante qëndron në pavendosmërinë e kryeministrit Rama për t’i dhënë zgjidhje çështjes.
“Mendoj se kryeministri duhej të kishte vepruar shpejt për të stabilizuar situatën,” komentoi një burim pranë qeverisë. “Sa i përket guvernatorit, është e qartë se nuk ka vullnet nga palët për të arritur një kompromis,” paralajmëroi ai. Sipas skenarit që kanë frikë shumë ekspertë, Presidenti mund të propozojë emra të papëlqyer nga maxhoranca, të cilët nuk do të miratohen në Kuvend ose propozimet për të cilët kuvendi do t’i zvarrisë duke e lënë Bankën e Shqipërisë efektivisht pa guvernator për shumë kohë.
Institucion bipartizan
Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës i BSH janë konceptuar në ligj si një organ teknokratësh jashtë llogarive politike. Por në vitin 2003, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën në një marrëveshje politike për të rishikuar hartën zgjedhore të vitit 2005 dhe për të krijuar një Komision Qendror të Zgjedhjeve me kuota të ndara mes partive. Problemi është se edhe institucionet e tjera të konceptuara si të pavarura dhe jopartizane, u kthyen gradualisht në bipartizane. Palët thjeshtë ranë dakord të ndajnë pozicionet drejtuese mes mbështetësve të tyre.
Ky lloj mirëkuptimi ka krijuar këshillin mbikëqyrës aktual, ku dy nga anëtarët janë propozuar nga Partia Demokratike, një nga Partia Socialiste dhe një nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Nga kjo situatë, supozohet se nga katër vendet vakante aktualisht në Këshill, dy i takojnë të propozohen nga Partia Socialiste dhe të miratohen nga maxhoranca aktuale parlamentare.
Një i tretë është vetë guvernatori ndërsa një i katërt, pra zëvendësuesi i z. Civici, duhet të propozohet nga guvernatori. Këtu palët politike bëjnë llogaritë se si mund të shkojë balanca në Këshill. Nga pesë anëtarët ekzistues, dy, z. Petraq Milo dhe Dhori Kule, janë të lidhur me Partinë Demokratike. E treta guvernatorja në detyrë, znj. Gjoni, është perceptuar gjerësisht si pranë Partisë Demokratike. Anëtarja tjetër, znj., Ermelinda Meksi është ish deputete dhe ministre për Partinë Socialiste ndërsa znj. Ela Golemi është zgjedhur në këtë post me propozim të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Në rast se maxhoranca plotëson dy vendet vakante, balanca në bord bëhet katër me tre në favor të anëtarëve të perceptuar si pranë maxhorancës.
Një nga hipotezat që qarkullon aktualisht në mjediset politike është që guvernatorja në detyrë znj. Gjoni dhe bordi aktual mbikëqyrës i Bankës të veprojnë për të zëvendësuar vendin vakant të krijuar nga largimi z. Civici. Në këtë rast, balanca mund të bëhet barazim 4 me 4.
Pyetur nga BIRN, Banka e Shqipërisë tha se “ligji për Bankën e Shqipërisë e lejon, në qoftë se ky vend është vakant.” Por BSH nuk shpjegoi nëse guvernatorja në detyrë ka ndër mend të lëvizë në këtë drejtim.
Guvernatori i ardhshëm do të duhet të jetë një figurë kompromisi pasi propozimi nga ana e Nishanit të një njeriu të papëlqyeshëm nga maxhoranca do të sjellë bllokimin e tij në parlament.
E ndërsa palët bëjnë llogaritë e pushtetit, Banka e Shqipërisë vijon të mbetet me këshill gjysmak dhe pa inspektor të përgjithshëm.