Pas arrestimit të 3 drejtuesve lokalë për vjedhje energjie, hije të reja dyshimi bien mbi Operatorin e Shpërndarjes dhe drejtorin e ri të tij. Adrian Çela është paditur nga KLSH-ja për abuzim me tenderin e palmave dhe çështja është ende në hetim në Prokurorinë e Durrësit.
Fushata e qeverisë së Edi Ramës kundër vjedhjes së energjisë po “minohet” nga dyshimet për implikim në afera korruptive të zyrtarëve lokalë dhe atyre qendrorë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OShEE.
Tre drejtues lokalë janë arrestuar ditët e fundit për vjedhje të energjisë, ndërsa drejtori i sapoemëruar i OShEE, Adrian Çela rezulton i kallëzuar në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Adrian Çela mori katër ditë më parë timonin e drejtimit të kompanisë publike, përgjegjëse për mbledhjen e faturave të energjisë, duke zëvendësuar në këtë post Arben Seferajn, pas dorëheqjes së tij të papritur.
Në korrik të vitit 2013, kur mbante postin e nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit, Adrian Çela u kallëzua në Prokurori për shkelje ligjore në procedurat e tenderit për gjelbërimin e qytetit.
Sipas kallëzimit të KLSH-së, Çela ka drejtuar Komisionin e Vlerësimit të Ofertave për zbukurimin me palma të qytetit të Durrësit në vitin 2012. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje ligjore në këtë tender dhe një dëm ekonomik që arrin në 7 milionë lekë.
E kontaktuar nga BIRN, Prokuroria tha se kjo çështje është në proces hetimi nga organi i akuzës së qytetit të Durrësit. “Prokuroria e Durrësit ka regjistruar procedimin penal për kallëzimin e KLSH-së, por ende nuk ka vendosur të marrë ose jo të pandehur personat e paditur,”tha zëdhënësi i Prokurorisë.
Por Adrian Çela hedh poshtë akuzat për abuzime dhe e quan kallëzimin e KLSH-së si të motivuar nga qëllime politike. Ai i tha BIRN në një bisedë telefonike se auditi u bë pak ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit dhe ai ka dhënë objeksionet e tij mbi pretendimet e KLSH-së.
“Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë dhe Prokuroria as e hap dhe as e mbyll këtë çështje,” u ankua Çela.
Tre drejtues të OSHEE, “hajdutë” energjie
Qeveria e majtë nisi një operacion masiv kundër vjedhjes së energjisë më 27 tetor të këtij viti, duke paralajmëruar burg për këdo që kapej me lidhje të paligjshme. Që prej asaj kohe, raportohen mbi 50 mijë raste të zbuluara të vjedhjes së energjisë dhe 569 persona të arrestuar.
Operacioni i pamëshirshëm u shpërnda në të gjithë vendin dhe u shoqërua me pakënaqësinë e qytetarëve debitorë dhe akuza nga Partia Demokratike në opozitë.
Kjo e fundit denoncoi standardin e dyfishtë të qeverisë, që arrestonte qytetarët e thjeshtë, që sipas saj nuk kishin mundësi të paguanin, por jo drejtues lokalë të OSHEE, të cilët abuzonin me postin e tyre.
Mazhoranca iu përgjigj akuzave të PD-së me arrestimin e zyrtarëve të përfolur për vjedhje energjie, por zbulimi i këtyre rasteve vuri në pikëpyetje moralitetin e këtij operacioni të dhimbshëm, që rëndonte me të njëjtën forcë edhe mbi të dobtit.
Policia arrestoi të mërkurën drejtorin e OSHEE-s së Tropojës, Rustem Gjonaj me akuzën e vjedhjes së energjisë. Para se të arrestohej, Gjonaj u akuzua nga Partia Demokratike se i detyrohej kompanisë që drejtonte 1.7 milionë lekë fatura energjie.
Më parë, policia kishte arrestuar edhe drejtorin e Operatorit të Shpërndarjes në Lushnje dhe ish-drejtorin e së njëjtës kompani në Has. Të dy ata i detyroheshin Operatorit të Shpërndarjes milionë lekë në fatura energjie.
Përveç tre zyrtarëve të mësipërm, Policia ka arrestuar edhe 48 faturistë apo elektricistë të kompanisë, të cilët akuzohet se bënin lidhje të paligjshme të energjisë në këmbim të rryshfetit. Më shumë se 500 personat e tjerë të arrestuar janë qytetarë, të cilët akuzohen se kanë vjedhur në vazhdimësi energjinë që konsumojnë.
Debati politik mbi operacionin
Pas zgjidhjes me marrëveshje të konfliktit me kompaninë çeke CEZ, qeveria shqiptare i ktheu sytë nga gropa e thellë e borxheve të sistemit energjetik në Shqipëri. Në janar të vitit 2013, niveli i humbjeve të energjisë ishte 47 për qind, për shkak të rrjetit të amortizuar dhe vjedhjes masive nga qytetarët.
Qeveria “Rama” e nisi operacionin me kërcënimet me burg për këdo që e vidhte energjinë, ndërsa ditët e fundit u detyrua të bënte një hap mbrapa, duke nxjerrë një skemë të pagesës me këste për debitorët dhe daljen e 80 për qind të kamatë-vonesave.
Më shumë se 1 muaj nga nisja e operacionit, qeveria raporton se ka ulur humbjet e OSHEE-s nga 47 për qind në 34.5 për qind. Por ky rezultat duket se ka qenë i pamjaftueshëm për kryeministrin Rama, i cili në një mbledhje të 4 ditëve më parë kërkoi dorëheqjen e drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes, Arben Seferaj.
Seferaj deklaroi publikisht se largohej për arsye personale, por pozicioni i tij në krye të kompanisë u lëkund fort nga denoncimet e Partisë Demokratike për korrupsion në radhët e OSHEE.
Ngjitja e Adrian Çelës në krye të kësaj kompanie i ka dhënë opozitës një arsye më shumë për të goditur operacionin “Rama” për energjinë. Deputeti Arben Ristani, i sapozgjedhur si numri dy i PD-së tha dje se kryeministri nuk ofron asnjë zgjidhje për energjinë dhe do të përballet me protesta qytetare.
“Qytetarët e papunë përballen me faturat abuzive të OSHEE, ndërsa Rama emëron në krye të saj një person të hetuar për korrupsion. Bashkimi masiv e popullor i qytetarëve do ta ndalë të keqen,” paralajmëroi Ristani i PD-së.
Kryeministri Rama e quajti këtë akuzë të PD-së një sajesë për luftë politike, duke iu referuar faktit se Prokuroria e Durrësit nuk ka vendosur ende të hapë një çështje penale ndaj drejtorit të ri të OSHEE.
Rama duket i vendosur për ta çuar përpara këtë operacion, megjithë krisjet që ka marrë përgjatë këtij muaji kredoja e tij morale për të çuar përpara ligjit, këdo që vjedh energjinë.
“Dy drejtorë dhe një ish-drejtor i OSHEE-së, së bashku me rreth 50 punonjës janë sot prapa hekurave. Cilidoqoftë që do të kapet, do t’u shkojë pas,”-deklaroi ai.