
Adela Kondakçiu, një nga të pandehurat e çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkoi pafajësi gjatë paraqitjes së bisedimeve përfundimtare të hënën më 13 korrik. Për arsye të bashkëpunimit të saj gjatë hetimit penal, SPAK kërkoi gjatë konkluzioneve përfundimtare një muaj më parë, që e pandehura Kondakçiu të përjashtohet nga dënimi me 4 vjet e 8 muaj burgim që u vlerësua se duhej t’i jepej për veprën penale të pastrimit të parave.
Kondakçiu, ish-financiare e organizatës së krijuar nga Ajola Xoxa, nuk ishte e pranishme në seancë, por përfaqësuesi i saj ligjor tha se ajo kishte bërë të gjitha deklarimet e nevojshme për faturat dhe transaksionet bankare.
Sipas avokatit Leonard Gremi, Kondakçiu nuk kishte nga të dinte nëse faturat e qendrës “Harabel” ishin reale. Ai solli në vëmendje se nga vetë hetimet e prokurorisë rezulton se Xoxa kishte porositur të tjerë persona që Kondakçiu të mos dinte asgjë për fiktivitetin e faturave.
Po ashtu, u evidentua se e pandehura nuk kishte se ku mund të denonconte pa prova, ndërkohë që kishte qenë dëshmitare se deputetë, funksionarë të lartë shtetërorë e të drejtësisë, hynin dhe dilnin lirisht në zyrën e Xoxës.
Avokati konstatoi se në momentin e parë që ajo u pyet nga Prokuroria e Posaçme, u tregua e gatshme të tregonte dhe shpjegonte çdo veprim që kishte kryer, si dhe lidhur me dyshimet që kishte. Ai shtoi se Kondakçiu e kishte të pamundur të kontrollonte se nga vinin fondet e ndryshme, pasi nuk kishte asnjë akses të tillë.
Sipas avokatit, Kondakçiu nuk tërhiqet nga asnjë deklarim i saj, por nga ana tjetër kërkoi që gjykata të vërtetojë pafajësinë e saj për veprën penale për të cilën akuzohet, atë të pastrimit të parave.
Po ashtu, u argumentua se sjellja e të pandehurës tregon se ajo nuk ka pasur si qëllim as shkeljen e ligjit dhe as përfitimin, pasi vërtetohet se ajo nuk ka përfituar personalisht, si dhe se ka bashkëpunuar me drejtësinë.
Gjatë seancës të hënën, paraqiti qëndrimin e tij edhe i pandehuri Fatjon Baçi, ish-punonjësi i policisë së burgjeve, i cili akuzohet se i dha Veliajt një në mënyrë të paligjshme një telefon gjatë transportimit të tij. Ai kërkoi nga gjykata një masë dënimi më të butë nga sa ka kërkuar prokuroria. SPAK kërkoi që Baçi të deklarohet fajtor dhe të dënohet me 3 vjet e 4 muaj burgim, ndërkohë që u kërkua pezullimi i kësaj mase dhe vendosja në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare.
Pas paraqitjes së kërkesës së Kondakçiut për pafajësi, përfaqësuesja ligjore e të pandehurit Elman Abule, avokatja Romina Zano kërkoi që t’i jepet kohë që të ripërgatisë konkluzionet përfundimtare. Ajo argumentoi se akuza ndaj Kondakçiut është e lidhur me akuzën e ngritur ndaj Abules, e për rrjedhojë i nevojitet të rishikojë këtë pjesë.
Gjykata nuk e konsideroi kërkesën legjitime, megjithatë vendosi shtyrjen e seancës për në datën 23 korrik, kur përfaqësuesit ligjorë të disa të pandehurve do të paraqesin bisedimet përfundimtare.






