
Prokuroria e Posaçme, SPAK paraqiti të hënën konkluzionet përfundimtare në çështjen penale në ngarkim të nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ish-kreut të AKEP, Piro Xhixho dhe ndaj Ema Çokut, procesi ndaj të cilëve po kryhet me gjykim të shkurtuar. SPAK e akuzon Xhixhon për veprën penale të korrupsionit në këtë çështje, ndërkohë që Kryemadhi dhe Çoku akuzohen për pastrim parash.
Procesi me gjykim të shkurtuar është i lidhur me akuzat e ngritura ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. SPAK kërkoi deklarimin fajtorë për të tre të pandehurit, por kërkoi gjithashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimeve dhe vendosjen e tyre në shërbim prove.
Sipas SPAK, Xhixho, Çoku dhe Kryemadhi nuk i kanë kryer veprimet e paligjshme për përfitime personale, por për llogari të Metës dhe Kryemadhit.
Në fillim të seancës, avokatet e Fatime Kryemadhit paraqitën pretendime se ishin përballur me një provë që nuk ishin njohur me parë. Gjykata u tërhoqi vëmendjen se procesi është në fazën e konkluzioneve përfundimtare dhe se nuk mund të paraqiten kërkesa për pavlefshmëri apo papërdorshmëri të provave. Kryesuesja e trupit gjykues, Etleva Deda soli në vëmendje se gjykata ka marrë tashmë një vendim duke mos konstatuar pavlefshmëri apo papërdorshmëri të provave.
Në vijim, nga mbrojtëset e kërkua revokimi i gjykimit të shkurtuar, por dhe kjo kërkesë u rrëzua nga trupi gjykues që i kërkoi prokurorëve të çështjes të vijonin me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Prokurori Sotir Kllapi parashtroi ndër të tjera se nga hetimet ka rezultuar se e pandehura Fatime Kryemadhi nuk ka mundur të shlyejë me burime të ligjshme kredi të marra për blerjen e një apartamenti në zonën e ish-Bllokut, banesë që gjendej poshtë apartamentit të blerë nga ish-bashkëshortët Ilir Meta e Monika Kryemadhi. Po ashtu, SPAK vlerëson se ajo nuk ka pasur mundësi për të shlyer qiranë mujore të një apartamenti ku ka jetuar Ilir Meta e Monika Kryemadhi për një periudhë kohe, në vlerën totale 70 mijë euro, si dhe as për të paguar vlerën 138 mijë euro për kreditë e vajzës dhe ish-dhëndërrit.
Sipas SPAK, përmes veprimeve të kryera nga ana e fatime Kryemadhit, është arritur që të futen në sistemin banker vlera monetare në shumën totale prej 846 mijë eurosh, që konsiderohet dhe si bilanc negative.
Sipas prokurorit Kllapi, nuk është vërtetuar po ashtu dhe burimi financiar i ligjshëm i një huaje 22 milionë lekë, pretenduar nga e pandehura Fatime Kryemadhi se është marrë prej të pandehurës Ema Çoku, apo dhe për hua të tjera të marrë nga persona të tjera. SPAK vëren se e pandehura është përpjekur t’i justifikojë këto vlera monetare me anë të deklaratave noteriale të shtetasve të ndryshëm për dhënie huaje, që rezulton të jenë përpiluar pasi e pandehura Fatime Kryemadhi është pyetur për këto rethana. Gjithashtu, në sistemin banker nuk ka rezultuar asnjë e dhënë për marrjen e këtyre shumave apo shlyerjen e tyre, megjithëse kanë kaluar 15 vjet nga koha kur pretendohet se janë kryer këto transaksione.
Megjithatë, SPAK vlerëson se e pandehura Fatime Kryemadhi nuk ka kryer veprime për përfitime vetjake, por se i ka kryer për llogari të vajzës së saj, Monika Kryemadhi dhe ish-bashkëshortit të kësaj të fundit, Ilir Meta, duke futur në sistemin bankar vlera monetare të ish-bashkëshortëve, të pajustifikuara, të përfituara prej tyre nga veprime korruptive. Bazuar në këto argumente, SPAK vlerëson se e pandehura Fatime Krymeadhi ka kryer veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe kërkoi dënimin e saj me 7 vjet e 6 muaj burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga përfitohet ulja e 1/3-ës së masës, dënimin përfundimtar me 5 vjet heqje lirie. Duke konsideruar faktin se ajo nuk ka qenë përfituese, si dhe se është 80-vjeçe, SPAK kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit të saj dhe vendosjen në shërbim prove për 5 vjet.
Prokurori Kllapi kërkoi edhe konfiskimin e një vile të të pandehurës Kryemadhi, megjithëse konstatoi se ajo pasuri rezulton e justifikuar me burime të ligjshme. Ai solli në vëmendje të gjykatës se vila ka vlerën ekuivalente të shumave të pastruara dhe për rrjedhojë duhet të konfiskohet.
Në muajin janar, Gjykata e Posaçme e Apelit e liroi këtë pasuri të paluajtshme nga sekuestroja, me argumentin se masa e skuestros ekuivalente ishte e papërshtatshme.
Edhe për të pandehurën, Ema Çoku u konstatua se ajo nuk ka pasur mundësi për t’i dhënë Fatime Kryemadhit huanë 22 milionë lekë, pasi në atë kohë ka marrë vetë kredi. Sipas prokurorit Kllapi, e pandehura Çoku, nëpërmjet nënshkrimit të deklaratës noteriale se në vitin 2010 I ka dhënëe hua në shumën 220 mijë euro të pandehurës Fatime Kryemadhi, është përpjekur të ndihmojë këtë të fundit për të justifikuar shumat e parave që rrjedhon nga veprimet korruptive të Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Për këto arsye, Çoku akuzohet për pastrim parash në bashkëpunim me të pandehurën Fatime Kryemadhi. Edhe në këtë rast, u konstatua se Çoku nuk ka pasur ndonjë përfitim personal
SPAK kërkoi deklarimin e saj fajtore të saj dhe dënimin me 7 vjet burgt që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vjet e 8 muaj. Po ashtu, SPAK kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për 5 vjet.
Prokurori Kllapi deklaroi se, as i pandehuri Piro Xhixho, i akuzuar për korrupsion pasiv, nuk ka pasur ndonjë përfitim vetjak, por se dhe ai ka qenë në ‘shërbim’ të ish-bashkëshortëve Ilir Meta e Monika Kryemadhi. Sipas prokurorisë, Piro Xhixho është emëruar në pozicionin e AKEP nga Kuvendi që drejtohej nga në atë kohë nga Ilir Meta dhe me propozim të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, parti që në atë kohë drejtohej nga Meta.
Lidhur me ndikimin e Xhixhos për kontratat në favor të kompanive Adrian Shatkut, prokurori Kllapi vërejti se ato janë bërë me porosi t ëish-bashkëshortëve Meta-Kryemadhi. Sipas SPAK, megjithëse Xhixho ka deklaruar se përcaktimi “shefi” apo “i madhi” gjetur në komunikimet e mesazheve telefonike, i drejtohet kryeministrit Edi Rama, nga provat rezulton se është Meta.
Kllapi vërejti se është provuar se Meta dhe Kryemadhi kanë ndikuar tek Xhixho, i cili ka vepruar në favor të Shatkut apo biznesmenit Samir Mane. Po ashtu, prokuroria konstaton se është e provuar se Kryemadhi ka përfituar nga ana e Shatkut.
SPAK argumenton se është e provuar se Xhixho, në cilësinë e kryetarit të AKEP, ka vepruar në kundërshtim me detyrën funksionale dhe në favor të kompanive të Shatkut e Manes, vetëm pas interesimit të të pandehurve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët kishin interesa ekonomike me këta biznesmenë.
Prokuroria vlerëson se Xhixho është përfshirë në këto marrëdhënie korruptive, në kundërshtim me funksionin që mbante dhe me ligjin. Për rrjedhojë, u kërkua deklarimi i tij fajtor për korrupsion pasiv dhe dënimi me 4 vjet e 6 muaj, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 3 vjet. Edhe për Xhixhon u kërkua pezullimi i dënimit dhe vendosja e tij në shërbim prove për 4 vjet.
Përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve kërkuan kohë për përgatitjen e bisedimeve përfundimtare dhe seanca u hty për më datë 27 korrik, në orën 12:00.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë duke u gjykuar veçmas, me procedurën e zakonshme.






