
Eurodeputetja holandeze Tineke Strik iu bashkua protestuesve në rrugët e Tiranës në fund të muajit të kaluar, duke shprehur solidaritet me kauzën e tyre mjedisore dhe duke premtuar se zëri i tyre do të dëgjohet në Bruksel.
“Të jem e sinqertë, është shumë e çuditshme të shohësh se jeni ju ata që po mbroni vlerat dhe të drejtat e Bashkimit Evropian, ndërsa qeveria nuk po e bën këtë,” u tha ajo protestuesve.
“Unë do t’i çoj këto mësime në Bashkimin Evropian, në Bruksel, se qytetarët janë të gatshëm të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, por qeveria ende nuk është gati për këtë,” shtoi ajo.
Strik, nga partia e majtë e gjelbër holandeze Progressief Nederland, pjesë e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, drejtoi një mision faktmbledhës të Parlamentit Evropian për çështjet mjedisore në Shqipëri – një vend që shpreson të anëtarësohet në BE deri në fund të kësaj dekade.
Në një intervistë për BIRN, Strik paralajmëroi se mangësitë në fushën e mjedisit mund ta vënë në rrezik procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Strik ishte shumë e drejtpërdrejtë kur foli për ligjin shqiptar për zonat e mbrojtura, i miratuar në vitin 2024, i cili lejon zhvillimin e projekteve luksoze turistike brenda zonave të mbrojtura, një ndryshim që nga shumëkush shihet si kërcënim për natyrën dhe biodiversitetin.
E pyetur nëse ky ndryshim ligjor është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ajo u përgjigj: “Jo, nuk është.”
“Ndryshimi ligjor… që lejon ndërtimet në zonat e mbrojtura nuk është në përputhje me legjislacionin e BE-së, nëse kemi parasysh Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet. Komisioni Evropian e ka paralajmëruar tashmë Shqipërinë se duhet ta ndryshojë këtë ligj,” tha Strik.
“Pikërisht për këtë arsye, edhe Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që ta shfuqizojë këtë ligj dhe të hartojë një ligj të ri në përputhje me standardet e BE-së, si dhe të mos ndërmarrë asnjë aktivitet në zonat e mbrojtura,” shtoi ajo.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të mos ndërmarrë asnjë aktivitet të mëtejshëm derisa të miratohet një ligj i ri që është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.”
Shqipëria është përfshirë prej më shumë se 40 ditësh nga protesta kundër qeverisë. Fillimisht ato nisën si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz të planifikuar në një zonë të mbrojtur në Zvërnec, në jug të Shqipërisë, projekt i lidhur me dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, si edhe dorëheqjen e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për korrupsion institucional dhe mungesë transparence.
Më 17 qershor, eurodeputetët shprehën “keqardhje të thellë” për dy ligje shqiptare, të cilat sipas tyre vendosin interesat e zhvilluesve të turizmit luksoz mbi mbrojtjen e zonave natyrore.
Sipas Parlamentit Evropian, zgjatja e vlefshmërisë së Ligjit për Investimet Strategjike të vitit 2015 mundëson “procedura të përshpejtuara për dhënien e lejeve dhe ul nivelin e kontrollit mjedisor, duke rrezikuar të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera me ndjeshmëri të lartë mjedisore”.
Parlamenti Evropian kërkoi gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat, sipas tij, “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura” dhe dobësojnë mbikëqyrjen mjedisore.
Këto dy ligje janë thelbësore për projektin e planifikuar në zonën e lagunës Vjosë–Nartë në bregdetin shqiptar, i udhëhequr nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur këtë projekt.
I pyetur nga Deutsche Ëelle, në një intervistë të publikuar më 3 korrik, lidhur me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, Rama u përgjigj: “Po, kemi bërë ndryshime në ligj. Por e dini çfarë? Nuk kemi ndryshuar thelbin e ligjit dhe ndryshimet tona nuk bien ndesh me standardet dhe kriteret evropiane. Këtë do ta verifikojmë përmes procesit që lidhet me negociatat tona të anëtarësimit.”
Strik këmbëngul se ndryshimet ligjore duhet të shfuqizohen menjëherë.
“Përndryshe do të ketë negociata shumë të vështira, nëse Rama vazhdon të thotë: ‘Unë do të vazhdoj me këtë projekt zhvillimi, nuk do t’i ndal aktivitetet.’ Atëherë ai do të përballet me një problem shumë të madh me Bashkimin Evropian,” tha ajo.
“Nëse ai është serioz në ambicien e tij për t’u anëtarësuar shumë shpejt në Bashkimin Evropian, duhet ta shfuqizojë menjëherë këtë ligj dhe të sigurohet që të mos kryhet asnjë ndërtim në zonat e mbrojtura,” përfundoi ajo.
“Ju lutem, vazhdoni rezistencën”

Rama ka premtuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, ndërsa vendi konsiderohet një nga kandidatët kryesorë në Ballkanin Perëndimor, së bashku me Malin e Zi.
Strik tha se njerëzit që pa në Tiranë janë gati për t’u bërë pjesë e BE-së dhe i bëri thirrje qeverisë t’i dëgjojë ata.
“Do të përsëris atë që u thashë edhe protestuesve: ata tregojnë qartë se janë gati për anëtarësim. Ata po mbrojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe Rama duhet t’i dëgjojë, duke u siguruar që edhe ai të ecë në hap me progresin.”
“Do t’u thosha: ‘Ju lutem, vazhdoni rezistencën tuaj, sepse kauza për të cilën po luftoni është shumë e drejtë. Natyrisht, bëjeni këtë në mënyrë paqësore,’” tha ajo.
“Këtë pashë edhe kur isha në Tiranë: shumë familje, një atmosferë shumë konstruktive. Tani është vërtet koha që politikanët dhe qeveria t’i marrin seriozisht këta qytetarë.”
“Ata kanë një pretendim shumë të ligjshëm se Shqipëria u përket atyre dhe duan të sigurojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Por njëkohësisht duan të garantojnë edhe mbrojtjen e natyrës së tyre,” shtoi ajo.
Strik kritikoi gjithashtu mënyrën se si Rama i ka trajtuar protestat, si edhe pretendimet e tij se ato janë të keqorientuara ose po manipulohen nga faktorë të jashtëm.
“Protestuesit po zemërohen gjithnjë e më shumë, sepse Rama vazhdon të heshtë ose, edhe më keq, zhvillon fushata denigruese kundër tyre,” tha ajo.
Ajo iu referua gjithashtu një mosmarrëveshjeje për pronën, e cila aktualisht është nën hetim. “Protestuesit, me të drejtë, kërkojnë më shumë transparencë për këtë çështje, bashkëpunim të plotë me SPAK-un në hetimin e korrupsionit që lidhet edhe me zonën e Vjosë–Nartës, përfshirë aeroportin, si dhe që drejtësia të vihet në vend,” shtoi ajo, duke iu referuar aeroportit të ri të ndërtuar në një zonë të mbrojtur të lagunës Vjosë–Nartë, e njohur për rëndësinë e saj për shpendët.
Dëmet tashmë kanë nisur

Në muajin maj, zona ku është planifikuar ndërtimi i resortit u rrethua me gardh dhe nisën punimet për pastrimin e terrenit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme përpara se ekskavatorët të ndalonin punën më 4 qershor.
Sipas ekspertëve vendas, rruga e re me zhavorr dhe dëmtimi i pyllit, të cilat janë ende të dukshme, përbëjnë një kërcënim serioz për biodiversitetin e zonës.
“Ne pamë dëmet e shkaktuara në zonën Vjosë–Nartë: një rrugë rreth shtatë kilometra e gjatë, e ndërtuar në të gjithë zonën e mbrojtur, si edhe në pjesët e përcaktuara për folezimin e breshkave. Pamë gjithashtu ligatina të thara e dëme të tjera,” tha Strik.
“Bashkimi Evropian nuk mund të ndërmarrë masa tani, sepse Shqipëria ende nuk është shtet anëtar, por mund t’i thotë: ‘Duhet ta ndaloni këtë, sepse përndryshe nuk jeni në përputhje me standardet e BE-së dhe, rrjedhimisht, nuk do të ketë përparim në negociatat e anëtarësimit,’” shtoi ajo.
“BE-ja mund ta paralajmërojë Shqipërinë se, duke vepruar në këtë mënyrë, po shkel legjislacionin evropian. Shqipëria nuk mund të thotë se ‘këto kushte do të zbatohen vetëm në fund të vitit të ardhshëm’. Nuk funksionon kështu. Nuk është e lejueshme që, ndërkohë që po negociojnë për mbrojtjen dhe përmirësimin e natyrës, ta përkeqësojnë situatën.”
E pyetur nëse kjo çështje përbën një provë të përkushtimit të Shqipërisë ndaj vlerave evropiane, Strik u përgjigj: “Po, unë e shoh si një provë.”
“Rama duhet të ndryshojë kurs. Ai duhet të sigurojë që një zonë e mbrojtur të mbetet vërtet e mbrojtur dhe të garantojë që korrupsioni në nivelet më të larta të mos tolerohet në vendin e tij,” përfundoi ajo.







