
Ndërsa Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga Evropa nën administratën e dytë të Presidentit Donald Trump, ato jo vetëm që po reduktojnë praninë e tyre ushtarake dhe po hedhin dyshime mbi garancitë e tyre të sigurisë, por po heqin dorë edhe nga roli i tyre de facto (por asnjëherë i shpallur zyrtarisht) si udhëheqëse e Perëndimit gjeopolitik. Kjo do të thotë se SHBA-ja po heq dorë nga një rol udhëheqës politik që e ka ushtruar në Evropën Perëndimore që nga viti 1945 dhe në Evropën në tërësi që nga viti 1990.
Pasoja e dukshme është se Evropa do të mbetet e vetme, e detyruar t’i zgjidhë vetë problemet dhe sfidat e saj gjeopolitike. Por marrja përsipër e një roli të tillë udhëheqës nuk është diçka që Evropa e ka bërë që nga fillimi i shekullit XX. Pikërisht për këtë arsye, përpjekjet e saj për t’iu përshtatur këtij realiteti të ri meritojnë vëmendje të veçantë.
“Evropë” nuk nënkupton vetëm Bashkimin Evropian. BE-ja padyshim luan një rol qendror në çështjet ekonomike, duke mbështetur një treg të përbashkët dhe një bashkim doganor, një monedhë të përbashkët dhe bankë qendrore, një kuadër ligjor dhe rregullator mbikombëtar, si dhe, mbi të gjitha, marrëdhënie të fuqishme tregtare me botën e jashtme. Por NATO-ja, edhe vetëm në dimensionin e saj evropian dhe kanadez, mbetet gjithashtu e pazëvendësueshme për sigurinë e kontinentit – edhe pse do të jetë shumë më e dobët pa pjesëmarrjen e superfuqisë kryesore në botë.
Megjithatë, mbetet një pyetje e madhe: Kush duhet ta udhëheqë këtë entitet të brishtë dhe ende të papërfunduar politikisht? Asnjë fuqi e vetme evropiane nuk ka mjetet për ta bërë këtë e vetme. Asnjëra nuk ka përmasat e nevojshme për sa i përket territorit dhe popullsisë, fuqisë financiare apo potencialit teknologjik dhe ekonomik.
Për më tepër, për një qeverisje efektive nevojiten edhe dy elemente të tjera të paprekshme: një traditë e gjatë historike në ushtrimin e lidershipit rajonal dhe një popullsi që në masë të gjerë është e përkushtuar ndaj projektit evropian. Në kushtet aktuale, vetëm Franca dhe Gjermania mund të thuhet se i plotësojnë të dyja këto kritere. Shumica e vendeve të tjera anëtare mund të plotësojnë njërin prej tyre, por jo të dyja. Pa partneritetin franko-gjerman, ideja e lidershipit evropian do të ishte e dështuar që në nisje.
Por tërheqja e Amerikës nga Evropa paraqet një sfidë të veçantë për Gjermaninë, veçanërisht në kontekstin e rritjes së sotme të shpenzimeve ushtarake dhe forcimit të forcave neokombëtariste në të gjithë Evropën – përfshirë edhe vetë Gjermaninë. Për dekada me radhë, prania ushtarake amerikane u ka dhënë siguri shumë evropianëve, jo më pak ish-armiqve të Gjermanisë gjatë luftës, të cilët kishin i druheshin një rikthimi të fuqisë gjermane. Edhe ky faktor do të mungojë në të ardhmen, duke i kërkuar Gjermanisë të tregojë një ndjeshmëri edhe më të madhe ndaj historisë së saj. Të udhëheqësh pa dominuar do të thotë të gjesh një ekuilibër të kujdesshëm.
Përparimi i Evropës ka ardhur gjithmonë përmes nismave të përbashkëta, shumica e të cilave janë zhvilluar nga Franca dhe Gjermania. Nën presionin e agresionit rus – i cili ka arritur kulmin me luftën e vazhdueshme kundër Ukrainës – dhe të një administrate gjithnjë e më armiqësore amerikane, përparësia e menjëhershme është krijimi i një Unioni Evropian të Mbrojtjes. Por duke pasur parasysh këtë nevojë, si dhe rolin e pazëvendësueshëm të lidershipit franko-gjerman për ta realizuar atë, dështimi i projektit të përbashkët franko-gjerman për Sistemin Ajror të Luftimit të Ardhshëm (FCAS) duhet të trajtohet si një alarm maksimal. Nëse ky dështim është një shenjë e asaj që pritet të vijë, atëherë Evropa është tashmë e dënuar.
Shpesh thuhet se konkurrenca është e mirë për biznesin. Megjithatë, në kontekstin e marrëdhënies franko-gjermane, kjo është e vërtetë vetëm nëse konkurrenca mbështetet mbi një bazë të fortë besimi të ndërsjellë. Përndryshe, ajo mund të shndërrohet shumë lehtë në një proces shkatërrues për të dyja palët. Duke pasur parasysh mjedisin aktual gjeopolitik dhe strategjik, kjo është gjëja e fundit që Evropa mund të përballojë.
Fatkeqësisht, sot kemi qeveri politikisht të dobëta në të dyja anët e Rinit. Presidenti francez Emmanuel Macron ka vetëm rreth një vit të mbetur në detyrë, pas së cilit Franca mund të zgjedhë një forcë euroskeptike të së djathtës ekstreme nga partia Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen. Ndërsa askush nuk mund të thotë me siguri se sa gjatë do të qëndrojë në detyrë kancelari gjerman Friedrich Merz, duke pasur parasysh nivelin e ulët të mbështetjes për qeverinë e tij dhe treguesit po aq shqetësues të ekonomisë gjermane.
Megjithatë, pikërisht tani Evropa ka nevojë për një lidership të fortë në Paris dhe Berlin. Kjo periudhë kërkon politikanë ambiciozë, me vizion të qartë, të gatshëm për të vepruar dhe të orientuar drejt interesit të qytetarëve, të cilët të mund të nisin dhe të mbështesin nismat që kërkon koha – duke filluar me krijimin e një unioni evropian të mbrojtjes.
Ne evropianët kemi gëzuar më shumë se 80 vjet paqe. Por deri tani duhet të kemi mësuar se historia mund të jetë e ashpër dhe e pamëshirshme. Këtë herë nuk do të vijë askush të na shpëtojë. Do të duhet ta shpëtojmë vetë veten tonë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Europe Must Face the World on Its Own






