
Gjykata e Posaçme rrëzoi të martën një kërkesë të ish-deputetit socialist, Plarent Ndreca, i cili përmes avokatit të tij kërkoi që SPAK të riformulonte parashtrimet e veta në çështjen kundër tij.
Ndreca akuzohet nga SPAK se, në kohën kur mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, së bashku me 15 zyrtarë të disa institucioneve, favorizuan në shkelje të ligjit arkitektin Gjon Radovani për të fituar tendera me vlerë 34 milionë lekë. Ndreca po gjykohet me procedurën e gjykimit të zakonshëm, ndërsa 15 të pandehurit e tjerë me gjykim të shkurtuar.
Çështja u kalua për gjykim në datën 20 mars 2025, por deri tani është arritur të paraqiten parashtrimet vetëm nga ana e SPAK, ndërkohë që procesi është shtyrë më së shumti për shkak të avokatëve. Kryesuesja e trupit gjykues, Rudina Palloj evidentoi në fillim të seancës së martën, se procesi është në fazën e paraqitjes së kërkesave për prova nga ana e mbrojtjes.
Avokati i Ndrecës, Ermal Yzeiraj deklaroi se gjykata duhet t’i kërkojë prokurorisë të individualizojë akuzën për të mbrojturin prej tij, si dhe përcaktojë lidhjen mes fakteve objekt akuze dhe provave. Sipas avokatit, në mungesë të lidhjeve të identifikueshme mes fakteve dhe provave, e kanë të pamundur të vijojnë me kërkimin e provave, pasi nuk janë të qartë se çfarë duhet të kërkojnë.
Yzeiraj paraqiti një sërë pretendimesh për paqartësinë e parashtrimeve të akuzës, si dhe nënvizoi se mbetet i paidentifikuar momenti konkret se kur eshte kryer vepra penale e shkeljes së barazisë në tendera nga ana e Ndrecës. “Edhe nëse pretendohet bashkëpunim, prokuroria duhet të përcaktojë kontributin individual,” tha ai.
Prokurorja Dorina Bejko e cilësoi kërkesën të pambështetur në ligj dhe solli në vëmendje se gjenden në fazën e gjykimit në themel të çështjes, me procedurën e zakonshme. Po ashtu, Bejko konstatoi se Ndreca dhe avokati i tij, gjatë seancës paraprake kanë mbajtur qëndrim lidhur me faktet objekt akuze dhe provat, duke parashtruar prapësime, çka tregon sipas saj që ata e kanë pasur të qartë akuzën.
Gjykata pasi u tërhoq në dhomë këshillimi vendosi të rrëzojë kërkesën e paraqitur nga avokati Yzeiraj, duke e cilësuar atë të pabazuar e të pambështetur në ligj. Gjyqtarja Palloj vërejti se palët nuk mund të orientohen për mënyrën se si i paraqesin parashtrimet e tyre.
Pasi u bë me dije rrëzimi i kërkesës, kryesuesja e trupit gjykues ftoi avokatin Yzeiraj të vijonte me kërkimet për provat. Avokati Yzeiraj tha se nuk e prisnin këtë vendim të gjykatës e për rrjedhojë nuk kishte përgatitur kërkimet për provat. Ai kërkoi kohë, që iu dha nga gjykata.
Seanca u shty për më datë 23 korrik, në orën 10:00.






