
Prokuroria e Posaçme, SPAK ka dërguar në gjykatë kërkesën për kalimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të ish-kryetarit socialist të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim, gjatë kryerjes së procedurave për dhënien me qira të ngastrave të tokës bujqësore në favor të dy subjekteve për ndërtimin e impianteve diellore.
Nën akuzë janë edhe tre vartësit e tij, Dorjan Spaho, Andi Bullari e Ledio Xharo.
Hetimi është filluar nga ish-prokuroria e Lushnjës, bazuar në një referim të policisë vendore në nëntor të vitit 2022 dhe më vonë është transferuar në SPAK. Nga hetimet ka rezultuar se Bashkia e Divjakës ka lidhur dy kontrata për dhënien e tokës bujqësore shtet me qira me afat shfrytëzimi 10 vjet – rreth 333,763 m2 me kompanisë AG Hpower & Construction sh.p.k.. dhe mbi 33 mijë m2 me subjektin Intex sh.p.k.
Toka e dhënë me qira këtyre subjekteve ka rezultuar se ka qenë e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadatsrës si tokë bujqësore shtet, ndërkohë që në mars të vitit 2021, Bashkia Divjakë ka kërkuar pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ndryshimin e kategorisë, nga tokë bujqësore, në tokë pa frut.
Sipas SPAK, procedurat për lidhjen e këtyre kontratave janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe për rrjedhojë, ndaj katër të pandehurve është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi për këtë çështje është kryer nga prokurori Elvin Gokaj, ndërkohë që kërkesa për dërgimin e çështjes për gjykim do të shqyrtohet nga gjyqtari Erjon Çela.
Fredi Kokoneshi ka mbajtur pozicionin e kryetarit të Bashkisë së Divjakës për tre mandate gjatë viteve 2011-2033, kur ai është zgjedhur si kandidat i Partisë Socialiste.






