Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes i tha BIRN, se në qoftë se testet A pozitive të dopingut të tre atletëve konfirmohen, Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon një dënim dy vjeçar, që do i mohonte pjesëmarrjen në lojërat olimpike të Rios në Brazil.
Zyrtarët e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, IWF, nënvizuan që rezultatet e publikuara tashmë të testeve analitike A nuk janë përfundimtare, por në qoftë se ato konfirmohen, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do marrë sanksioneve të rënda.
“Duke u bazuar politikën tonë kundër dopingut, në varësi të numrit të rasteve pozitive që federatat kanë, ato mund të përballen me sanksione financiare ose me pezullim,” tha një zëdhënëse e IWF.
Tre atletë shqiptarë, përfshirë Daniel Godellin dhe Romela Begajn, që fituan medalje të arta në kampionatin botëror të peshëngritjes, kanë dalë pozitiv ndaj anabolizantit sintetik stanozolol, në testin A të administruar gjatë garës të mbajtur në Almaty të Kazakistanit.
Medalja e Godellit në Almaty ishte medalja e parë e artë në një kampionat botëror peshëngritje për Shqipërinë dhe gjithashtu medalja e parë e artë në një sport olimpik.
Rezultati më i lartë për peshëngritjen shqiptare deri në atë moment ishte ai i Ilir Sulit, që kishte marrë medaljen e argjendit në vitin 2002.
Atleti tjetër shqiptar që ka testuar pozitiv por për të njëjtën substancë të ndaluar është Hysen Pulaku.
Peshëngritja shqiptare ka një histori të hidhur me përdorimin e substancave dopuese të ndaluara.
Pulaku kishte testuar pozitiv me Stanozolol edhe gjatë Lojërave Olimpike të Londrës në 2012, ndërkohë që në te njëjtin vit Erkand Qerimaj dhe Shqiponja Brahja kishin testuar me doping në kampionatin Europian të peshëngritjes.
Zyra ligjore e IWF i tha BIRN që federata ndërkombëtare se sipas politikës e saj të re kundër dopingut, dhe në rast se tre rastet e atleteve konfirmohen , Federata Shqiptare do të përballet me sanksione ‘të forta’ sipas nenit 12 të rregullores.
Neni 12 i rregullores kundër dopingut të IWF thotë se në rast se tre atletë të një federate testojnë pozitiv brenda një viti kalendarik, ajo rrezikon të dënohet me dy vjet pezullim ose një gjobë prej $50,000.
Në qoftë se komiteti ekzekutiv i IWF do ta ndëshkojë federatën shqiptare me pezullim, peshëngritësit shqiptarë do e kenë të pamundur të marrin pjesë në lojërat olimpike në Rio në 2016.
Ndërkohë që Pulaku, Godelli dhe Begaj rrezikojnë një pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare nga dy në katër vjet.