Presidenti i BQE Mario Draghi deklaroi se banka e tij do të blejë 60 miliardë euro bonde të qeverive të Eurozonës çdo muaj për të krijuar në fund të shtatorit 1 trilionë euro para shtesë në treg.
Banka Qendrore Europiane lajmëroi sot, siç pritej, se do të nisë blerjen e titujve të borxheve të vendeve anëtare me synimin e pompimit të parasë në treg si mjet për të nxitur rritjen ekonomike.
Gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar sot në Frankfurt, presidenti i BQE Mario Draghi njoftoi se do të hedhë në qarkullim 60 miliardë euro të reja çdo muaj deri në shtator të këtij viti për të furnizuar tregun me 1 trilionë euro në total. Prodhimi i parasë, një masë e ndërmarrë për herë të parë nga BQE, pritet ta ulë vlerën reale të euros si dhe të rrisë çmimet në vendet që përdorin këtë monedhë. Ky veprim synon të çlirojë ekonominë e eurozonës për ta rikthyer atë te rritja.
Me synimin për të shmangur debatet për “vende të fituara” dhe “vende të humbura” nga kjo politikë e prodhimit të parasë shtesë, BQE njoftoi se do të blejë bondet e të gjitha vendeve sipas përqindjeve të aksioneve që vendet anëtare kanë te kjo bankë.
Banka qëndrore e Zvicrës vendosi javën e kaluar të lejojë forcimin e monedhës së vet kundrejt euros pas tre vitesh në të cilat kishte blerë euro në treg për të ruajtur frangën nga mbiçmimi. Por akumulimi i eurove në këmbim të frangave nga kjo bankë u kritikua si një masë e rrezikshme nga politikanët vendës, të cilët gjykuan se banka e tyre qëndrore po jepte monedhën e tyre të fuqishme në këmbim të eurove, vlera e të cilave është në pakësim.
Po dje, banka qëndrore e Danimarkës, e cila e ka gjithashtu monedhën e saj të lidhur me kurs fiks këmbimi me euron, uli interesat me synimin për të shmangur prirjen e bankave për të konvertuar eurot në monedha më të fuqishme.
Arsyet që e shtynë BQE-në drejt kësaj politike qenë inflacioni tepër i ulët në Eurozonë, i cili po bllokonte zhvillimin e ekonomisë.
Monedha e përbashkët europiane Euro humbi një cent tjetër në kursin e këmbimit kundrejt dollarit duke u kuotuar në 1.1511 USD.