Kryeministri japonez, Shinzo Abe ishte në një tur 6-ditor në Egjipt, Jordani, Libi, Izrael dhe Palestinë, kur Shteti Islamik postoi online videon kërcënuese se do të vriste dy pengjet japonezë, Haruna Yukava dhe Kenji Goto, nëse qeveria e tij nuk do të paguante 200 milionë dollarë brenda 72 orësh.
Abe nuk kishte asnjë mundësi të mirë. Në të vërtetë, kur vjen puna tek mbrojtja e qytetarëve të vet jashtë vendit, Japonia nuk e ka kurrë një të tillë.
E ndërsa Abe refuzoi t’u nënshtrohej kërkesave, Shteti Islamik postoi një video të dytë, ku deklaronte se Yukavës, i cili u kap gushtin e shkuar në Siri teksa po ngrinte një kompani private sigurie, i ishte prerë koka. Goto, një gazetar që udhëtoi drejt Sirisë tetorin e vitit 2014 në përpjekje për të siguruar lirimin e Yukavës, do të kursehej, nëse Japonia do të pranonte të lironte një terrorist të dënuar jordanez.
Në fakt, bashkëshortja e Gotos kishte marrë një email, përmes së cilit i kërkohej një shpërblim prej 2 bilionë jenësh, (17 milionë dollarë) në dhjetor. Por duket se turi i Abes në Lindjen e Mesme ofroi një mundësi më të mirë për Shtetin Islamik, për të nxjerrë maksimumin nga pengjet.
Kërkesa për shpërblim e Shtetit Islamik nuk ishte vetëm për para të thata; ajo përçoi një mesazh të fortë. Vetëm tre ditë pasi kërkesa ishte bërë, Abe premtoi t’u jepte 200 milionë dollarë në ndihma jo-ushtarake vendeve kufitare, që të luftonin Shtetit Islamik, përfshirë këtu Jordaninë, Sirinë, Irakun dhe Libinë, të cilët kanë pranuar një numër të madh refugjatësh.
ISIS ia kushtoi videon e kërcënimit jo vetëm qeverisë së Japonisë, por edhe qytetarëve, me shpresën që pacifistët e shumtë japonezë do të ushtronin presion tek liderët e tyre që të dorëzoheshin. Dhe në një pikë, pritshmëritë e tyre u plotësuan; disa anëtarë të opozitës shkruan në Tëitter që Abe duhej të tërhiqte ndihmën e premtuar. E tepërt të thuash që qeveria e Abe e injoroi këshillën e tyre.
Kur presioni për shpërblim nuk funksionoi, Shteti Islamik ndërroi qasje, por jo qëllim. E burgosura për të cilin kërkohet lirimi në këmbim të gazetarit Goto është Sajida al-Rishaëi, e cila u dënua me vdekje në Jordani për rolin e saj në bombardimin e hotelit në Aman, në vitin 2005. Grupi mesa duket besonte se duke shtyrë Japoninë dhe Jordaninë të negocionin për një tregti të tillë, do të minonte marrëdhënien e qëndrueshme mes dy vendeve.
Shteti Islamik me siguri e ka ditur që Japonia e ka vendosur sigurinë e qytetarëve të saj mbi çdo konsideratë tjetër-edhe nëse ajo nënkuptonte nënshtrimin ndaj kërkesave të terroristëve.
Në 1977, kur Ushtria e Kuqe japoneze mori peng një avion në aeroportin e Dakës në Bangladesh, kryeministri Takeo Fukuda jo vetëm që pagoi gjobën 6 milionë dollarëshe; ai ndërmori gjithashtu hapa ekstraligjorë për lirimin nga burgu të anëtarëve të fraksionit. “Pesha e një jete njerëzore është më e rëndë se toka vetë,” deklaroi ai.
Kjo përgjigje qëndron në kontrast të thellë me sjelljen e Izraelit të një viti më parë, kur Fronti Popullor për Lirinë e Palestinës mori peng avionin e Air France me 256 pasagjerë. Në vend që t’i jepnin grupit atë që donte-lirimin e 53 militantëve të burgosur në Izrael dhe 4 shtete të tjera-ushtria izraelite ndërmori operacionin “Thunderbolt”, duke shpëtuar më pas pengjet në aeroportin e Ugandës. Vetëm tre pengje dhe një komando izraelit-Xhonatan Netanjahu, vëllai i madh i kryeministrit aktual, Beniamin Netanjahu- u vranë në këtë operacion.
Megjithatë, përgjigja e Fukudës nuk ishte tërësisht një çështje zgjedhjeje. Sipas Kushtetutës së Japonisë, si forcat e mbrojtjes, ashtu edhe ato të policisë kanë të drejtën në udhëtojnë në vende të tjera për t’u shpëtuar jetën qytetarëve japonezë. Në çdo rast, asnjë prej këtyre forcave nuk do të ndërmerrte trajnimin e nevojshëm për të nisur diçka të ngjashme si ooperacioni “Thunderbolt”.
Episodi i Dhakës, vështirë se ishte hera e parë ku qytetarët japonezë ishin përballë një rreziku. Shtatë vjet më parë, një themelues i Ushtrisë së Kuqe mori peng një tjetër avion të linjës Japoneze-Yodogon-dhe kërkoi të dërgohej në Korenë e Veriut. Autoritetet japoneze kishin fat në atë kohë: me t’u ulur avioni në Korenë e Veriut, pengmarrësit lëshuan 129 pengjet në këmbim të lejes për të vazhduar udhëtimin drejt kryeqytetit, ku më pas morën azil.
Dy vite më pas, tre anëtarë të Ushtrisë së Kuqe, të rekrutuar nga Fronti Popullor për Lirinë e Palestinës, sulmuan aeroportin e Tel Avivit, ku vranë 26 persona dhe plagosën 80 të tjerë. Ndërsa në fund të viteve ’70, gratë e pengmarrësve të Yodogos shkruan në Europë, ku dyshohet se rekrutonin studentë të rinj japonezë për t’i dërguar në Korenë e Veriut.
Siç tregojnë veprimet e Shtetit Islamik, japonezët janë sërish të rrezikuar, ndërsa qeveria e tyre nuk ka gjetur ende mjetet e duhura për t’i mbrojtur ata. Fatmirësisht, Abe-i cili u ngrit në karrierë nga përpjekjet për të shpëtuar japonezët që dërgoheshin në Korenë e Veriut-duket se e njeh nevojën për ndryshim.
Që në Luftën e Dytë Botërore, zgjidhjet ushtarake kanë ndërhyrë me vështirësi në politikën japoneze dhe asistenca zyrtare e zhvillimit, e cila e ka nisur rrugëtimin e vet me riparimet e luftës, ka vendosur imperativën ndërkombëtare mbi shqetësimet e brendshme. Por pasi ka luajtur 60 vjet për paqen në botë, aftësitë diplomatike dhe ato të menaxhimit të krizës së Japonisë janë dobësuar rëndë.
Është e papranueshme për një qeveri të mos jetë e aftë të mbrojë qytetarët e vet. Për këtë arsye, Abe është i vendosur të amendojë, ose të paktën të ri-interpretojë Kushtetutën japoneze, në mënyrë që ajo të lejojë ato manovra që vendet e tjera bëjnë, nga Izraeli në Indi, kur njerëzit e tyre janë në rrezik. Sepse siç e ka thënë njëherë Robert Xhekson i Gjykatës Supreme të Amerikës, një kushtetutë nuk është një pakt vetëvrasës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Japan’s Beheaded Illusions.