Shekuj pasi zonat malore të Shqipërisë së veriut filluan të kultivojnë duhan, fermerët kanë vështirësi të nxjerrin jetesës dhe po shtyhen drejt kultivimit të bimëve medicinale si zëvendësues.
Gjethet e arta të thara në diell të duhanit mbulojnë pothuajse cep më cep shtëpinë e Bujar Kukës në rajonin e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë.
Kukaj, një burrë fjalëpak, është një nga 300 fermerët që vijon të kultivojë duhan në këtë zonë, e cila zgjatet nga rrëza e Alpeve të Shqipërisë deri në brigjet e Liqenit të Shkodrës.
Kultivimi i duhanit ka një traditë të gjatë këtu, që nga koha kur Shqipëria qe pjesë e Perandorisë Osmane.
Gjithsesi, këtë vit fermerët e kanë patur të vështirë të gjejnë blerës të gatshëm për të ofruar një çmim të mirë për prodhimin e tyre dhe shumë kanë hequr dorë nga kultivimi i duhanit për ta zëvendësuar atë me bimët medicinale.
Kukaj ka dy magazina të vogla në fermën e tij. Kultivimi i duhanit në këtë cep të Shqipërisë, në kufi me Malin e Zi, zakonisht është biznes familjar dhe kërkon shumë punë të rëndë nga të rinjtë e të vjetërit.
Kukaj dhe familja e tij e madhe zgjohen në orën 3.30 çdo mëngjes dhe largohen nga fushat vetëm kur ka perënduar dielli.
“Ka shumë punë dhe pak leverdi te duhani,” ankohet ai. “Këtë vit rrezik nuk shesim asgjë,” shton ai.
Shumë pak ndihmë nga shteti
Nga zyra e tij e vogël në departamentin e bujqësisë për rajonin e Malësisë së Madhe, që gjendet në një ndërtesë të vjetër në dalje të qytezës së Koplikut, Agim Ramaj shpjegon se kultivimi i duhanit ka rrënjë të thella në zonë dhe kjo është arsyeja se pse shumë fermerë ngurrojnë të heqin dorë prej tij, pavarësisht vështirësive të tregut.
“Tipologjia e tokës dhe klima nga fusha e Postopojës deri në brigjet e Liqenit të Shkodrës janë të përshtatshme për të rritur duhan,” thotë ai.
Ramaj shpjegon se shumë fshatarë e braktisën kultivimin e duhanit për shumë vite deri sa iu rikthyen më 2013 për shkak se çmimet e duhanit u rritën.
Fermerët iu përgjigjën duke katërfishuar sipërfaqen e mbjellë por këtë vit çmimet e duhanit ranë sërish.
“Situata për fermerët nuk është aspak e mirë,” vëren ai. “Deri dy muaj më parë, së paku 2 mijë ton duhan i pashitur pati mbetur nëpër magazina.”
Ramaj shpjegon se tregtarët po ofrojnë çmime që nuk mbulojnë kostot e prodhimit dhe fermerët e vegjël të zonës nuk marrin ndihmë nga shteti për të negociuar për çmimet, apo për të gjetur tregje eksporti.
Në Malin e Zi, thotë ai, shteti i ofron fermerëve fara, subvencione për të ndërtuar sera dhe negocion kontrata kolektive me blerësit e shumicës.
Sipas Ramajt, një problem tjetër është që shitësit me shumicë në Shqipëri blejnë vetëm duhan të llojit oriental, një varietet i rritur në diell, shumë aromatik dhe me gjethe të vogël, i njohur gjithashtu si duhan turk.
Gjithsesi, ky varietet nuk është i përshtatshëm për klimën vendase dhe rendimenti është i ulët.
Mesatarisht, fermerët vendas arrijnë të prodhojnë deri në 800 kilogramë për hektar, të cilin më pas e shesin për 200 deri në 300 lek (1.5 deri 2 euro) për kilogram.
“Ata sigurojnë para aq sa për të kaluar dimrin,” shpjegon Ramaj.
Bimët medicinale zëvendësojnë duhanin
Ndryshe nga duhani, kultivimi i bimëve medicinale në rajonin e Malësisë së Madhe është një aktivitet i mirëorganizuar.
Vetëm në Koplik ka katër qendra grumbullimi dhe përpunimi për bimët medicinale dhe aromatike, të cilat i japin zonës afërsisht 6 milionë euro të ardhura në vit.
Shumica e bimëve të kultivuara në Shqipëri kanë për destinacion eksportin.
Rreth 60 për qind e prodhimit eksportohet në Gjermani dhe SHBA. Këto eksporte përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimeve pyjore drusore apo jodrusore që eksportohen nga Shqipëria dhe 25 për qind të të gjitha eksporteve bujqësore apo ushqimore të vendit.
Bima më e rëndësishme e këtij sektori është sherbela, e cila përbën rreth 50 për qind të të gjitha eksporteve, me një volum të përgjithshëm prej 2,000 deri në 2,500 tonë në vit.
Prodhime të tjera të rëndësishme përfshijnë “Medicina Sherebela”, “Levando” apo “Timus Vulgarius (Erëza)”, duke e bërë Shqipërinë një lojtar të rëndësishëm ndërkombëtar në këtë treg.
Këto produkte janë dominuese në disa tregje të rëndësishme eksporti. Më shumë se 50 për qind e të gjithë sherebelës së importuar nga SHBA vjen nga Shqipëria, bashkë me 70 për qind të Timus Vulgarius që importohet në Gjermani, tregu kryesor europian për bimët medicinale dhe aromatike.
Rajoni i Malësisë së Madhe zë 70 për qind të të gjitha eksporteve shqiptare në bimë medicinale dhe aromatike.
Kryebashkiaku i Koplikut, Ramadan Lika, i cili është gjithashtu një grumbullues me shumicë në tregtinë e bimëve medicinale dhe aromatike, thotë se çmimet e ulëta dhe mungesa e subvencioneve për fermerët e duhanit e ka bërë këtë bimë më pak tërheqëse.
Krahasimisht, vëren ai, bimët mjekësore kanë tendencën të kenë një treg të sigurtë për shkak se shumë tregtarë hyjnë paraprakisht në marrëveshje me fermerët për bimët që ata do të mbjellin.
“Duhani është një bimë tradicionale por po humbet terren,” thotë Lika. “Fermerët tashmë këtu kuptojnë rëndësinë që bimët medicinale kanë në treg,” shton ai.