Fshati me 200 familje, i zbritur sërish në tokat e Obotit pas zhvendosjes me forcë nga shteti komunist jeton mes ujit dhe frikës nga përmbytjet e përvitshme.
Oboti është një fshat i vogël i Shkodrës, por i njohur në të gjithë Shqipërinë si i përmbyturi i përvitshëm. I shtrirë buzë lumit të Bunës, në të majtë të rrugës nacionale Shkodër-Muriqan, fshati noton në ujë, sa herë hapen portat e shkarkimit në hidrocentrali Vaun e Dejës.
Ekonomia familjare e 200 familjeve të Obotit varet nga tekat e motit. Mes viteve 2010-2011 fshati u përmbyt 5 herë dhe dëmet janë ende të dukshme në shtëpitë e banorëve. Përmbytje më të vogla përsëriten çdo vit, duke e vështirësuar jetesën e banorëve të tij.
Oboti është i sprovuar ndër vite në bashkëjetesën me katastrofat natyrore. Pas ndërtimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, shteti komunist e zhvendosi me forcë fshatin në kodrat e Oblikës. Por tërmeti 9-ballësh i 15 prillit 1979 e rrafshoi thuajse të gjithin Obotin e ri. Në fillim të viteve ’90, banorët filluan të zbresin një e nga një në tokat e vjetra.
“Ishim të vetëdijshëm për rrezikun e përmbytjeve, por duhej të mbijetonim në kushtet e reja të ekonomisë së tregut. Dhe toka jonë e vjetër ishte e punueshme,” thotë Nikë Ndoci, banor i Obotit.
Megjithatë, rreziku i marrë përsipër nga banorët e Obotit rezultoi të ishte shumë herë më i madh. Zona kthehet shpesh në ishull, ku të gjitha lëvizjet e deri tek varrimet bëhen përmes varkave. Ndërsa fshatarët e stërmunduar me zor gjejnë forcë t’ia nisin sërish nga e para.
Çdo shtëpi e këtij fshati zotëron nga një varkë; përmes saj del në rrugën nacionale, shkon tek fqinji në rast nevoje e zgjidh emergjencat e familjes në kohë përmbytjesh.
Ata ankohen për mënyrën se si menaxhohet hidrocentrali i Vaut të Dejës, ku uji nuk derdhet gradualisht, por vetëm atëherë kur mbushet plot.
“Në këtë mënyrë, s’mund të shpëtojmë asgjë,”thotë Ndoci.
Të mbytur e të harruar
Në Obot i njohin mirë vështirësitë me të cilat u përballën këtë vit banorët e fshatrave të Jugut. Por frika për përmbytjen e radhës shtohet tek vendasit, ndërsa situata nga përmbytja e Vjosës po shkon drejt normalizimit.
“Ne jemi më të rrezikuarit dhe të dëmtuarit në vend,” thotë Rrok Pemaj. Banorët bien dakord që shteti ka mbyllur një sy përballë fatkeqësive të tyre të përvitshme. Fondet dhe argjinaturat janë përqendruar në anën tjetër të Bunës, në zonën e Dajçit, ndërsa Oboti mbetet sërish i ekspozuar nga zemërimi i lumit.
“Atje toka ka shpëtuar, ndërsa këtej nga Oboti nuk është bërë asgjë dhe i gjithë uji vjen këtej. Ekomomia jonë është dëmtuar rëndë”,thotë Pemaj.
Njësoj si bashkëfshatarët e tij, edhe Viktor Franja jeton me frikën e përmbytjeve. “Toka u mbush me ujë sapo u hapën portat e Vaut të Dejës. Ushqimi për bagëtitë u dëmtua sërish, ndërsa ne me blegtori e bujqësi jetojmë,” thotë Franja për BIRN-in.
Të tjerë banorë thonë se nuk e kanë marrë ende veten nga përmbytjet e vitit 2011. Banorët qëndruan për 2 muaj të izoluar dhe pas asaj periudhe, e nisën gjithçka nga zeroja.
Xhevat Mollca, kryetar i komunës Ana e Malit shprehet se Oboti është një zone e llogaritur që në sistemin e vjetër për t’u përmbytur kur ka shkarkime. Ai shpjegon se investimet në argjinatura ka ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e zonës së Dajçit, por fushat e Obotit në anën tjetër të lumit janë bërë më të rrezikuara nga përmbytjet.
“Vetëm në dy vitet e fundit, Buna ka marrë rreth 70 ha tokë bujqësore,” pohon Mollca.
Mundësia e shpëtimit të Obotit nga përmbytjet e përvitshme shihet e ndërlidhur me një projekt të largët, atë të ndërhyrjes në shtratin e Bunës. Por banorët nuk kanë shpresë se kjo gjë do të realizohet ndonjëherë.
Specialisti Ismet Teli thotë për BIRN se Shkodra mund të shpëtojë nga përmbytjet nëse tabani i lumit Buna do të thellohet në 8 metra. “Në rast se do të bëhet thellimi i Bunës në 8 m nuk do ketë përmbytje të Shkodrës për së paku 150 vjet,” thotë ai, pasi ka kryer matje të vazhdueshme mbi shtratin e lumit të pabindur.
Një projekt i tillë i kushtueshëm u debatua fort pas përmbytjeve të mëdha të vitit 2011 e më pas, gjithçka u la në harresë. Për të nuk kujtohen as banorët e përmbytur të Obotit, të cilët të vetmen shpresë për shpëtim e shohin tek gjetja e rrugëve për të shmangur shkarkimet nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit.