Ndarjet etnike dhe politike të vendit pasqyrohen në sistemin e tij arsimor, i cili ekspertët shqetësohen se po ngulit paragjykimet e të kaluarës në mendjet e një brezi të ri.
“Arsimi është shumë diskriminues. Ai është përçarës dhe njësoj siç nuk mund të ulemi dhe të bisedojmë dhe të merremi me çështjet që shkaktuan luftën, ashtu nuk mund të ulemi as të merremi me arsimin dhe ai po dëmton fëmijët tanë,” tha Muhizin Omerovic, një baba boshnjak i katër fëmijëve.
Omerovic, dy fëmijët e të cilit që janë në moshë shkolle kanë shkuar në shkollën fillore në Konjevic Polje pasi ai u kthye në entitetin e mbizotëruar nga serbët të Republikës Srpska të Bosnjës, nga i cili ishte larguar gjatë luftës, tha se nevojat e prindërve boshnjakë nuk po përmbushen.
Ai tha se asgjë nuk kishte ndryshuar që nga protestat në vitet 2013 dhe 2014 kur dhjetëra familje ngritën kampin e tyre jashtë në Sarajevë, për të protestuar se fëmijët e tyre nuk ishin lejuar të mësonin versionin boshnjak të pesë të ashtuquajturave “lëndët nacionale” – gjeografinë, historinë, diturinë dhe shoqërinë, fenë, gjuhën nënë dhe letërsinë – si pjesë të programit mësimor.
Në vend të kësaj, shkollat e tyre përdorin një plan mësimor serb, i cili Omerovic thotë se është diskriminues, kështu që ai i ka dërguar fëmijët e tij në një institucion të përkohshëm arsimor në Nova Kasaba, disa kilometra larg, që të mësojnë bashkë me boshnjakë të tjerë.
“Nuk e di pse është problem që unë dua që fëmija im të mësojë në gjuhën boshnjake. Nuk mendoj se kjo lëndon ndonjë,” tha ai për BIRN.
Por Ministri i Arsimit i Republikës Srpska Dane Malesevic këmbëngul se nuk ka ndarje në sistemin arsimor të entitetit.
“Ligjet e Republikës Srpska në lidhje me arsimin përcaktojnë se çdo fëmijë ka të drejta të barabarta për akses dhe mundësi në fushën e arsimit pa asnjë lloj diskriminim. Një shkollë e ka për detyrim të ndihmojë në krijimin e një kulture që respekton të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve,” tha për BIRN Malesevic.
Ai pranoi megjithatë se sistemi arsimor ka difekte dhe kërkon “përmirësimin e ndërtesave, metodave të mësimdhënies dhe kurrikulave mësimore”.
Kompleksitetet e arsimit në Bosnje dolën në lajme në vend muajin e kaluar, kur ambasadorja e re e SHBA-së në Sarajevë, Maureen Cormack, sugjeroi në një blog se “të gjithë fëmijët duhet të shkojnë në shkollë bashkë dhe duhet të studiojnë një program të përbashkët”.
Duke treguar se sa e ndjeshme është kjo çështje, ministria e arsimit e Republika Srpska kritikoi sugjerimin e Cormack, duke këmbëngulur se arsimi ishte “përgjegjësi e plotë e entiteteve”.
“Ne duhet të implementojmë risi dhe të ndjekim trendet aktuale, por duhet gjithashtu të ruajmë identitetin tonë kombëtar,” tha Malesevic.
Pas kundërshtimeve nga Republika Srpska, ambasada e SHBA-së kërkoi të risigurojë popullin se një kurrikulum i përbashkët mësimor nuk do të dëmtonte të drejtat e asnjë grupi etnik.
“Zyrtarët e arsimit në të gjithë vendin kanë kohë që po punojnë për zhvillimin e një kurrikule të përbashkët, e cila do të siguronte të gjithë të rinjtë në Bosnje dhe Hercegovinë të kenë të njëjtën mundësi për të pasur arsimim të mirë,” tha ambasada për BIRN.
“Kjo iniciativë nuk kërkon ndryshime në kushtetutë dhe është në përputhje me standardet e BE-së. Ata që i njohin këto lloje problemesh e kuptojnë se një program i përbashkët nuk është njësoj si një program i vetëm në të gjithë vendin,” tha ajo.
Profesor i universitetit të Republikës Srpska Miodrag Zivanovic tha se në arsim nuk ka ndonjë nuk ka ndonjë ndarje të thellë, e cila po i bën keq rinisë së Bosnjës.
“Ne kemi arsim të fragmentuar thellë. Ky fragmentim është i bazuar në faktin se arsimi funksionon në territoret dhe komunitetet e pastra etnikisht. Ata që janë në pakicë janë të diskriminuar – dhe janë të izoluar në mënyra brutale dhe të sofistikuara, dhe pasoja është se ne kemi njohuri të pakta dhe vetëdije të kufizuar midis të rinjve,” shpjegoi Zivanovic.
Por ndryshimi i situatës së përgjithshme do të përfshinte negocime të sistemit kompleks politik të vendit. Bosnja dhe Hercegovina ka 13 ministri arsimit – dhjetë kantonale në Federatën Boshnjako-Kroate, plus ministrinë e përgjithshëm të Federatës, një në Republika Srpska dhe një tjetër në qarkun e Brckos – të gjitha kanë përgjegjësi të ndara për sistemin.
‘Dy shkolla nën një çati’
Çështja e shkollimit të ndarë gjithashtu iu nënshtrua një kontrolli publik në entitetin e Federatës Boshnjako-Kroate në nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Lartë e entitetit vendosi kundër praktikës së të pasurit “dy shkolla nën një çati”, që i ndante nxënësit boshnjakë dhe kroatë brenda të njëjtës ndërtese shkolle.
OJQ-ja e të drejtave të njeriut “Vasa Prava” (Të drejtat tuaja) ngriti padinë në përpjekje për t’i dhënë fund praktikës së ndarjes së fëmijëve boshnjakë dhe kroatë nga njëri-tjetri në klasa të ndryshme, ku ata studiojnë bazuar në programe të ndryshme mësimore.
Në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhej se “organizimi i sistemeve shkollore në bazë të përkatësisë etnike dhe implementimi i programeve mësimore mbi parimet etnike, të cilat i ndajnë fëmijët” ishte diskriminues.
Ajo urdhëroi shkollat të implementojnë “ndërtesa të përbashkëta, të integruara multikulturore arsimore”.
Në Federatë ka më shumë se 50 shkolla me këtë parim.
Koordinatori i “Vasa Prava” Ahmet Salcin tha se nuk është bërë shumë për të zbatuar vendimin gjatë këtyre muajve të fundit që kur ai u dha, por nëse qeveria e kantonit në Mostar nuk fillon të punojë për të bërë ndryshime, do të dorëzohet një padi e re ku do të kërkohet “zbatimi me forcë i vendimit”.
“Ministri i arsimit këtu po ia kalon fajin politikanëve dhe ata po thonë se ky nuk është problem i tyre, por vendimi është i qartë. Shkollat dhe qeveria kantonale e Mostarit duhet të zbatojnë këtë vendim,” tha Salcin për BIRN.
Himzo Tule, babai i një fëmije tetë vjeçar në Mostar, tha për BIRN se ai ishte gjithashtu i dëshpëruar për një ndryshim.
“Fëmija im është në klasën e dytë dhe mund t’ju them se mendoj se sistemi arsimor po kalon një krizë. Ne duhet të kemi një proces të rëndësishëm reformues në mënyrë që t’i lejojë fëmijëve tanë një arsimim dhe një të ardhme,” tha Tule për BIRN.
Ministri i arsimit në qeverinë kantonale të Mostarit, Zlatko Hadziomerovic, tha se ai ka pasur disa takime në lidhje me vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë dhe se ai ishte në favor të zbatimit të tij.
Por para se të bëjë ndonjë gjë, ai vendosi të organizojnë “një proces të gjerë konsultimi” në lidhje me këtë çështje, i cili po vazhdon ende.
“Për shkak të kompleksitetit të çështjes, ne kemi vendosur të kërkojmë mendimin e të gjithë aktorëve të rëndësishme,” tha Hadziomerovic.
Ministri i Arsimit i Federatës Damir Masic tha se edhe pse ai nuk e mbështeste ndarjen, nuk ka autoritet për të urdhëruar zbatimin e vendimit të gjykatës.
“Si ministër arsimi që është banor i këtij shteti, unë besoj fëmijët duhet të jetojnë me njëri-tjetrin, e jo një tjetër për tjetër. E vetmja mënyrë e natyrshme e arsimit është e shkollimit në të njëjtat klasa, “tha Masiç.
“Si ministër arsimi që është banor i këtij shteti, unë besoj se fëmijët duhet të jetojnë me njëri-tjetrin dhe jo njëri pranë tjetrit. E vetmja mënyrë e natyrshme arsimimi është ajo e shkollimit në të njëjtat klasa,” tha Masic.
Ai shtoi se problemet e të kthyerve boshnjakë në Republikën Srpska gjithashtu përfaqësonin një formë ndarjeje, që është edhe arsyeja pse është e nevojshme një Ministri shtetërore Arsimi.
Psikologu boshnjak Ismet Dizdarevic paralajmëroi se nëse nuk kapërcehet ndarja etnike brenda shkollave, komunitetet e vendit do të vazhdojnë të jenë të ndara.
“Problemi kryesor është se fëmijët mësohen që në fazë të hershme të shikojnë vetëm përkatësinë e tyre etnike, të vlerësojnë vetëm atë që është e rëndësishme për grupin e tyre etnik dhe nuk vlerësojnë vlerat e përbashkëta të shoqërisë,” tha Dizdarevic.
“Mënyra e vetme për të ecur para është të largojmë politikën nga arsimi.”