Shpërbërja e Bashkimit Monetar Latin në Europën e Shekullit të 19 jep disa leksione mbi euron e sotme, përfshirë problemet që krijohen nga vetë bashkimi, hilet mes vendeve anëtare dhe pasojat e shkatërrimit.
Në vitin 1865, katër vende, Franca, Italia, Belgjika dhe Zvicra ranë dakord të prodhonin monedha me të njëjtin standard. Greqia u bashkua pak më vonë. Njësoj si euro sot, prodhimi i monedhave (dhe kartëmonedhave të lidhura me paritetin e metalit) me standarde të njëjta, do të lehtësonte tregtinë mes këtyre vendeve duke hequr koston e këmbimit valutor apo rrezikun e luhatshmërisë së monedhave, pengesa këto të konsiderueshme për zhvillimin e ekonomisë.
Traktati sanksionoi prodhimin e monedhave të arit me peshë 6.42 gramë dhe me pastërti 900 për mijë si dhe prodhimin e monedhave të argjendit me pastërti 900 për mijë kur prodhoheshin monedha 5 frangëshe/5 lira/ 5 dhrahmi dhe me pastërti 835 për mijë për monedhat e prerjeve më të vogla. Kjo nënkuptonte një kurs fiks këmbimi të arit me argjendin në raportin 1 gram ar me 15.5 gramë argjend.
Në realitet, vendet anëtare të Bashkimit Monetar Latin kishin dy monedha, njëra ari dhe tjetra argjendi, të lidhura me kurs fiks këmbimi. Pastërtia e përcaktuar në traktat e monedhave të arit dhe argjendit të katër vendeve të ndryshme pati imponuar efektivisht edhe politikë fiskale të balancuar për këto vende. Njësoj si Eurozona sot, ku zyrtarisht borxhi publik nuk duhet të kalojë 60 për qind të PBB-së ndërsa deficiti buxhetor nuk duhet të kalojë 3 për qind të PBB-së në vit, edhe standardi monetar i këtyre vendeve në shekullin e 19 sanksiononte pikërisht këtë gjë. Para vendosjes së këtij standardi, vendet e ndryshme kur binin në krizë bënin diçka që njihej si “debasement”. Njësoj si prodhimi i parasë sot dhe inflacionimi i saj ndihmon vendet për të mbuluar deficitet duke djegur kursimet e qytetarëve edhe shtetet e mesjetës bënin të njëjtën gjë. Psh, tërhiqnin nga qarkullimi në formë taksash monedha argjendi me pastërti 900 për mijë i fusnin në fabrikën e parasë, i përzjenin me metale të pavlera dhe nxirrnin në treg monedha argjendi me pastërti 800 për mijë apo 500 për mijë e me rradhë. Ose mbushnin tregun me monedha metalesh të pavlera si bakër.
Vetëm se afro dy shekuj më parë, një anglez me emrin Gresham i pati shkruar një letër mbretëreshës për t’i shpjeguar një situatë të pakëndshme monetare e cila u njoh më pas si Ligji i Gresham. Ndonëse jo shumë i njohur sot, ky konsiderohet si nga të paktat ligjësi të pasfiduara të ekonomiksit. Ai thotë se monedha e keqe e zhduk nga qarkullimi monedhën e mirë. Ose me pak fjalë, kur njeriu ka një monedhë që e konsideron si më pak të vlefshme se një tjetër, atëherë ka tendencën që ta ruajë monedhën e mirë e të përpiqet ta hedhë qafe monedhën e keqe. Njësoj si shqiptarët sot, të cilët, kur vjen puna për të shitur makina apo shtëpi, pëlqejnë të japin çmimet në euro. Gresham i shpjegoi Mbretëreshës se për shkak se qeveria e saj kishte hedhur në qarkullim monedha me përmbajtje të ulët argjendi, qytetarët dhe tregtarët i mbanin për vete monedhat e arit duke u përpjekur të hiqnin qafe monedhat e argjendit.
Para hyrjes në fuqi të traktatit në vitin 1866, vendet anëtare të bashkimit monetar latin kishin krijuar në mënyrë të njëanshme monedha të ngjashme me ato të Francës. Dhe kjo lloj praktike solli disa lloje spekulimesh. Psh, Zvicra vendosi në vitin 1860 të hidhte në qarkullim monedha argjendi me peshë të njëjtë dhe me vlerë nominale të njëjtë me monedhat franceze, por me pastërti 800 për mijë për t’i përdorur për të blerë monedha franceze, të cilat kishin pastërtinë 900 për mijë. Qytetarët e këtyre vendeve shihnin dy monedha, secila shkruante 5 frang, kishin të njëjtën peshë, por njëra vlente më pak.
Nëse mendoni se Greqia bëri një shpikje duke mashtruar me të dhënat e deficitit të vet buxhetor në vitin 2009, atëhere kini parasysh se Zvicra bëri pak a shumë të njëjtën gjë në shekullin e 19. Duke rritur deficitin buxhetor përtej asaj që lejon traktati i Euros, Greqia efektivisht bëri atë që Zvicra pati bërë më 1860. Franca reagoi katër vjet më vonë duke ndaluar monedhat zvicerane dhe duke ulur pastërtinë e monedhave të veta nga 0.9 në 0.835 për mijë.
Pikërisht për t’i dhënë fund këtyre lloj spekulimesh, u nënshkrua traktati ku vendet ranë dakord të prodhojnë monedha me peshë dhe pastërti të njëjtë. Në vitin 1870, Franca ndaloi nga territori i vet monedhat e shtypura nga Vatikani, për shkak se monedhat e argjendit të papës pretendohej se kishin pastërti prej 835 për mijë, kur në fakt e kishin pastërtinë 832 për mijë.
Vetëm pak muaj pas nënshkrimit, Italia vendosi të pezullojë shkëmbimin fiks të argjendit me kartëmonedhat e veta dhe shpërndau një sasi të madhe kartëmonedhash të pakonvertueshme në metal të fortë.
Por pati edhe një kanal tjetër spekulimi. Marrëveshja thoshte se monedhat 5 frangëshe të argjendit duhej të kishin pastërti 835 për mijë por monedhat më të vogla mund të kishin pastërti 800 për mijë. Disa vende, si Italia, vendosën të përdornin argjendin e tyre në monedhat nga ku mund të nxirrej më shumë, pra te monedhat e vogla. Këto monedha përfunduan në mënyrë të pashmangshme në Francë, superfuqia e kohës.
Ajo që pasoi qe një rënie e vazhdueshme e çmimit të argjendit shoqëruar me importime të mëdha të argjendit drejt vendeve të këtij bashkimi, ku ekzistenca e kursit fiks të këmbimit të argjendit me arin e bënte me leverdi shkëmbimin e monedhave të argjendit me ar.
Në fund, Franca përfundoi duke subvencionuar vendet e tjera anëtare pasi akumuloi një pjesë të madhe të monedhave të argjendit. Nga viti 1873, vendet anëtare të bashkimit filluan të pranojnë pagesat e taksave doganore vetëm në ar, duke hyrë efektivisht në standardin e arit.
Në vitin 1908, Greqia u përzu zyrtarisht nga Bashkimi Monetar Latin për shkak të mashtrimeve me cilësinë e monedhave që prodhonte si dhe për shkak të sasisë së madhe të kartëmonedhave që emetonte.
Bashkimi Monetar Latin ka qenë një nga shumë bashkime të tilla përgjatë historisë. Bashkimi Monetar i Vendeve Skandinave, apo Zona e Stërlinës janë disa nga këto bashkime, që të gjitha tashmë i përkasin historisë.