Pavarësisht rritjes vit pas viti, ekonomia rumune u tkurr në dy tremujorët e parë të vitit 2014, duke e futur vendin ballkanas në recesionin teknik.
Një rritje sezonale në aktivitetin industrial e ndihmoi ekonominë e Rumanisë të zhvillohet me 2.4 për qind në vit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Instituti i Statistikave, INS.
Por në bazë tremujori, GPD ra me 1.0 për qind në periudhën prill-qershor, bazuar në të dhënat për sezonin, pas një tkurrje prej 0.2 për qind në tremujorin e mëparshëm, sipas INS.
Ministri i Ekonomisë Constantin Nita vuri një perspektivë optimiste mbi të dhënat.
“Pavarësisht se ekonomia e Rumanisë pa dy tremujorë të rënies së GDP, duke marrë parasysh të gjithë periudhën e ekzaminuar, mbetet në trend pozitiv me një rritje sezonale prej 2.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013,” tha ai.
Por analisti ekonomik Stelain Muscalu ishte më skeptik.
“Në fakt, të dhënat zyrtare tregojnë se Rumania është zhytur në një recesion teknik këtë vit,” tha Muscalu.
Ai ia atribuon tkurrjen rënies së shpenzimeve të qeverisë dhe uljes me 10 për qind të investimeve të huaja direkte.
Gjysma e parë e investimeve neto ra me 9.1 për qind ose me 5.7 miliard euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke ulur aktivitetin në ndërtim, makineri dhe pajisje, tregojnë të dhënat e INS.
Tjetër çështje është fakti se qeveria në Bukuresht ka dështuar të shpenzojë me dobi më shumë se 20 miliard euro që iu vunë në dispozicion nga Bashkimi Europian për të ndihmuar Rumaninë të barazohet me vende anëtare të zhvilluara të BE.
Në vitin 2013, ekonomia e vendit u rrit me 3.5 për qind.
Rumania përjetoi një recesion të thellë në vitin 2009 dhe 2010, kur aktiviteti i biznesit u tkurr me 9.1 për qind. Ekonomia ra përsëri në vitin 2012.