Darius Valkov, ministri rumun i financave, ka dhënë dorëheqjen pasi prokurorët hapën një hetim për korrupsion gjatë rolit të tij të mëparshëm si kryebashkiak i Slatinës.
“Darius Valkov më dha dorëheqjen sot në mëngjes. Unë e pranova,” lajmëroi kryeministri rumun Viktor Ponta të dielën gjatë një interviste në televizion.
Prokurorët anti-korrupsion e morën Valkovin në pyetje të premten në mbrëmje, por e liruan atë disa orë më vonë. Ai akuzohet se ka marrë rreth dy milionë euro pasi ndihmoi një biznesmen të merrte një kontratë për punë publike ndërsa ishte kryebashkiak i Slatinës në 2009.
Ai është politikani me detyrën më të lartë që ka dhënë dorëheqjen deri më tani për shkak të akuzave për ryshfet pas një sërë hetimesh të nivelit të lartë dhe gjyqe korrupsioni gjatë dy viteve të fundit.
Valkov, që ishte ministër i financave që prej dhjetorit 2014, ka mohuar çdo keqbërje.
Ponta tha të dielën se ai do të propozonte një zëvendësim për ministrin e financave vetëm pas Valkov të përfundojë një kod të ri fiskal në ditët në vijim, i cili ka si qëllim të ulë taksat.
Qeveria e qendrës së majtë të Pontës lajmëroi planin e uljes së taksave muajin e shkuar në mënyrë që të nxisë disponueshmërinë e të ardhurave dhe t’i inkurajojë njerëzit të shpenzojnë më shumë. TVSH-ja do të ulet nga 24 në 20 për qind, ndërsa taksat e mishit, peshkut, perimeve dhe frutave do të pakësohen në 9 për qind në janarin e ardhshëm. Ndryshimet janë pjesë e kodit të ri fiskal, që tani është në fazën e debatit publik.
Rumania ka tërhequr kritika të vazhdueshme nga Komisioni Europian për dështimin në zgjidhjen e problemit të korrupsionit në vend.
Por, në vitet e fundit, numri i zyrtarëve të lartë të dënuar për korrupsion është rritur ndjeshëm. Vetëm në 2014, mes atyre që u dënuan për korrupsion dhe shkelje të ngjashme, 24 ishin kryebashkiakë, pesë parlamentarë, dy ish-ministra dhe një ish-kryeministër.
Bukureshti shpreson që shenjat e progresit të theksuara nga Komisioni Europian të ndihmojnë përpjekjen e Rumanisë për t’iu bashkuar zonës shengen të BE-së.