Artisti nga Irlanda e Veriut, Anthony Haughey, po e shënon 20-vjetorin e masakrave të Srebrenicës në vitin 1995 me një film rreth ideologjive konfliktuoze dhe pikëpamjeve të kontestuara të historisë rreth vrasjeve.
“Ishte vërtet mjaft tronditëse kur shkova për herë të parë,” thotë Haughey, i cili për herë të parë e ka vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën në vitin 1998, tre vjet pas përfundimit të luftës.
“Mbaj mend që Sarajeva ishte dëmtuar rëndë dhe ndërsa shkoja nëpër zonat rurale, fshatra të tërë ishin fshirë shkatërruar fare. Ishte një skenë e tërë shkatërrimi,” thotë ai.
“Mbaj mend herën e parë që vizitova Srebrenicën. Do të më mbetet gjithmonë në mendje. Një vend të errët, i gjithë qyteti i shkatërruar dhe era e drurit të djegur nga shpërthimet. Ishte një vend i trishtuar dhe i shkretuar.”
Që atëherë, Haughey është mahnitur nga historia e humbjes dhe krimit të Srebrenicës. Ai u rikthye atje më shumë se një dekadë më vonë, në vitin 2010, për të marrë pjesë në një kamp veror për të rinjtë. “Ishte shumë ndryshe, industri nuk ishte zhvilluar, por qyteti ishte rindërtuar në masë të madhe, edhe pse kishte ende shenja të luftës,” kujton ai.
Atij i bëri përshtypje veçanërisht një fjalim i mbajtur nga një prej ligjëruesve të ftuar në kampin veror, një ish-paqeruajtës danez i Kombeve të Bashkuara, i cili ishte stacionuar në “zonën e sigurt” të shpallur nga Kombet e Bashkuara, kur u mor nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995. Kjo vizitë e dytë bëri që atij t’i lindte ideja për të realizuar një film për historinë e papërfunduar të vrasjeve masive të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës.
“Nuk doja historinë e viktimave dhe viktimizuesve. Bota e di atë. Unë doja ideologjinë, se si po bëhej historia në këtë çast dhe historitë kontestuese që lindin nga rrëfimet e njerëzve,” shpjegon ai.
“Në film doja të paraqisja këtë dhe një pamje të gjurmëve vizuale, qendra përkujtimore “Potocari” të OKB-së për viktimat e masakrave dhe disa nga vendet e mizorive. Kamera lëviz vazhdimisht nëpër këto vende, duke kërkuar referenca vizuale të asaj që ndodhi,” shton ai.
Përveç pamjeve nga vendet ku njerëzit u vranë, ka edhe dëshmi të dorës së parë nga disa prej njerëzve që ishin aty në atë kohë. Një artikull i kohëve të fundit në një gazetë të Dublinit, “The Irish Examiner”, e përshkroi ndikimin e përgjithshëm të filmit si “drithërues”.
Një nga gjërat tërheqëse të Haughey-t janë “hijet” në muret e ish-bazës së OKB-së në Potocari – shenja të besnikërisë ndaj ish-udhëheqësit komunist jugosllav Josip Broz Tito dhe mbishkrime raciste dhe pornografi që ka mbetur pas nga ushtarët danezë.
“Këto shtresa të historisë po pikojnë gjak nëpër mure. Për mua, kjo është një histori e rëndësishme, e cila na çon të mendojmë për fajësinë, pozicionin e Kombeve të Bashkuara dhe fajin e Evropës,” thotë ai.
Një tjetër çështje e pazgjidhur që Haughey eksploron janë edhe interpretimet e ndryshme të krimit të Srebrenicës nga grupe të ndryshme etnike. Ai beson se vendimet e gjykatave ndërkombëtare, të cilat vendosën se në Sreebrenicë ishte kryer gjenocid, duhet të respektohen, por se ka vend edhe për “të zhvilluar histori të ndryshme”.Ai shpjegon se kjo është arsyeja pse ai vendosi ta titullonte filmin e tij “Unresolved”, një referencë për rolin e OKB-së dhe rezolutën e saj që deklaronte Srebrenicën një zonë të sigurt, edhe më pas rezultoi që nuk ishte e tillë. Vitin e kaluar, një gjykatë daneze vendosi se Holanda ishte përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 300 boshnjakëve nga Srebrenica, sepse trupat e saj paqeruajtëse nuk arritën t’i mbronin ata.
“Kur unë mendoj për Srebrenicën, e di se është e kontestuar shumë. Në Irlandën e Veriut, në mungesë të një këshilli për të vërtetën dhe pajtimin, shumë projekte tregimesh historish janë zhvilluar në të gjitha anët. Mendoj se ka qenë me të vërtetë interesante dhe unë isha i përfshirë në këtë gjë. Nga kjo kanë dalë histori kontestuese, por këto po zhvillohen që të ulen së bashku. Njerëz të grupeve të ndryshme etnike kanë tradita dhe histori të ndryshme dhe ne nuk mund të injorojmë asnjë nga këto histori,” thotë ai.
Haughey, i cili e përshkruan veten si një “artist të angazhuar shoqëror”, thotë se puna e tij ka qenë gjithmonë të bashkojë histori dhe njerëz. “Të shemb kufirin midis artit dhe botës reale,” shpjegon ai.
I pyetur nëse ai mendon se përvojat e tij të jetesës në Irlandën e Veriut gjatë konfliktit atje kanë ndihmuar në të kuptuarit të tij të Srebrenicës, Haughey përgjigjet me maturi: “Unë jam paksa i shqetësuar në lidhje me pretendimit se realiteti është se kur e ke përjetuar një konflikt, mund të them se jam në i ndjeshëm ndaj tij. Megjithatë, nuk pretendoj të kem ndonjë ekspertizë.”
Megjithatë, ai shton: “Ardhja nga Irlanda e Veriut ndihmon të kuptosh se konflikti është një çështje komplekse, se si njerëzit rindërtojnë jetët e tyre, dhe si një artist, si është krijuar historia. Mund ta imagjinoni dhe mund ta lexoni atë nëpërmjet rrëfimeve.”
Haughey së fundmi e ka shfaqur “Unresolved” në “tentativën e tij të parë për t’ia paraqitur publikut” në Limerik, Irlandë, dhe shpreson se do të mund ta shfaqë atë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në muzeun “Imperial War” në Londër.