Alban Elezi, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Breshias si rekrutues i marokenit Anas El Abboubi është kunati i xhihadistit të vrarë në Alepo, Idajet Balla. Vjehrri i tij ndodhet aktualisht në Siri.
Një vit e gjysmë pas largimit të një emigranti maroken si xhihadist nga Italia në Siri, prokuroria e Breshias urdhëroi arrestimin e dy shqiptarëve dhe deklaroi se kishte shkatërruar një celulë të rekrutimit të ISIS në Shqipëri.
Alban Elezi, 38 vjeç u arrestua mëngjesin e së mërkurës në Rrashkull të Kavajës, ndërsa nipi i tij, Elvisi në Torino të Italisë, pasi akuzohen se kanë rekrutuar dhe dërguar në Siri 20 vjeçarin maroken Anas El Abboubi. Bashkë me dy shqiptarët, policia italiane arrestoi edhe një emigrant maroken të mitur.
Anas El Abboubi, i quajtur “reperi xhihadist” nga media italiane është larguar drejt Sirisë në shtator të vitit 2013 dhe mendohet se lufton përkrah Shtetit Islamik. Para se të nisej drejt luftës së shenjtë, marokeni kishte ardhur për një vizitë të shkurtër të Shqipëri.
Prokuroria e Breshias deklaroi dje se kishte mbërritur tek dy rekrutuesit shqiptarë, pasi kishte ndjekur gjurmët e marokenit El Abboubi. “Dy shqiptarët komunikonin në telefon dhe përmes Facebook-ut me të,” deklaruan prokurorët e Breshias, të cilët drejtuan hetimin.
Përmes një deklarate për mediat, Policia e Shtetit tha se e kishte arrestuar Alban Elezin pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Breshias. 38 vjeçari, baba i pesë fëmijëve pritet të ekstradohet së shpejti drejt Italisë.
Ndërsa ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano deklaroi në një intervistë për televizionin Rai 3 se falë punës së policisë dhe hetimeve speciale, parandalimi i akteve terroriste po funksionin.
Pas operacionit, autoritetet italiane dhe ato shqiptare i kanë fokusuar hetimet tek lidhjet e dy shqiptarëve me ISIS, por BIRN zbuloi se ato i kanë rrënjët tek lidhjet familjare të Alban Elezit.
Vjehrrit e Alban Elezit, të cilët janë me origjinë nga Dragostunja e Librazhdit kanë ikur prej muajsh në Siri, ndërsa kunati i tij është viktima e 11 shqiptare në konfliktin sirian.
Idajet Balliu, i njohur me emrin fetar Ebu Derda është vrarë më 15 gusht 2014 në Alepo të Sirisë, teksa po luftonte për Shtetin Islamik. Miqtë e tij njoftuan vdekjen në rrjetet sociale me lutjen:” Allahu i madhëruar i dhëntë shpërblim në xhehnetin e lartë”.
Vjehrrit e Alban Elezit vendosën të qëndrojnë në Siri edhe pas vrasjes së të birit. Autoritet shqiptare konfirmojnë se Ali dhe Ruzhdiu Balliu ndodhen aktualisht në Siri.
Një burim i policisë shqiptare i tha BIRN se dyshohet që Alban Elezi të ketë përdorur këto lidhje familjare për të dërguar marokenin Anas El Abboubi tek militantët e Shtetit Islamik. Vëllai i tij, Idajet Elezi deklaroi në një intervistë për mediat italiane se i biri nuk kishte asnjë kontakt me xhaxhanë në Shqipëri.
“Nëse im bir është terrorist, e vras me duart e mia,” tha Idajet Elezi për të përditshmen italiane “La Reppublica”.
Shërbimet inteligjente dhe autoritetet ligjzbatuese italiane i kanë kthyer prej kohësh sytë nga elementët radikalë të Ballkanit, si një rrezik të shtuar për vendin e kërcënuar haptazi nga militantët e Shtetit Islamik.
Sipas një dokumenti të inteligjencës italiane, të publikuar nga BIRN, në Itali dyshohet se veprojnë pesë celula radikale me origjinë nga Ballkani. Këto celula ndodhen në Milano, Romë, Linguria, Lucca dhe Siena.
Paralelisht me hetimin në Breshia për xhihadistin maroken, Anas El Abboubi, Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim për udhëtimin drejt Sirisë të të parës xhihadiste italiane në Siri, Maria Giulia Sergio. Ashtu si El Abboubi, edhe Sergio mendohet të jetë dërguar në Siri nga një rrjet shqiptar rekrutuesish, të lidhur me bashkëshortin e saj, Aldo Kobuzi.
Të dhënat shqetësuese për lidhjet mes elementëve radikalë që jetojnë në Itali dhe rrjeteve shqiptare të rekrutimit për llogari të ISIS sollën në Tiranë më 14 janar ministrin e Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano.
“Ballkani mund të konsiderohet strehë për terroristët, ku luftëtarët e huaj mund të trajnohen,” tha Alfano nga Tirana. “Për Europën, kjo zonë ka rëndësi strategjike,” shtoi ai.