Disa shtete arabe kanë krijuar një forcë permanente të përbashkët ushtarake, e cila po konsiderohet si një farë NATO-je e Lindjes së Mesme. Por kjo aleancë mund të bëhet një forcë thellësisht anti-demokratike, përçarëse për rajonin dhe destabilizuese.
Marrëveshja kuadër bërthamore që Irani dhe P-5 (Kina, Britania, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara) plus Gjermania arritën së fundmi përfaqëson progres mbi një problem të madh të sigurisë në Lindjen e Mesme. Por, ndërsa disa vende arabe krijuan një forcë të përbashkët ushtarake, një problem tjetër po shfaqet: a do ta bëjë një aleancë e tillë rajonin më të sigurt apo më të pasigurtë, veçanërisht në ndasitë në rritje mes sunive dhe shiave?
Koalicioni me nëntë vende i udhëhequr nga Arabia Saudite përfshin Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Jordaninë dhe ai sakaq ka hyrë në luftë përmes bombardimeve ajrore kundër rebelëve Huthi të Jemenit, të cilët mbështeten nga Irani – një përpjekje që udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei së fundmi e shpalli si lëvizjen që do të përfundojë me thyerjen e hundëve të sauditëve përtokë. Megjithatë, presidenti i Egjiptit, gjenerali Abdel Fattah el-Sisi, ka sugjeruar se mandati i koalicionit mund të shtrihet përtej Jemenit.
Por për çfarë mandati po flasim?
Shumë pak objektiva mund të përjashtohen. Për shembull, demokracizimi pas konfliktit nuk mund të jetë objektiv, duke parë se regjimet arabe nuk kanë kredencialet apo njohuritë për të ndërtuar demokraci dhe ushtritë e tyre nuk janë as të afta dhe as me vullnet për të ndihmuar në një proces të tillë. Në mënyrë të ngjashme, ndërhyrja humanitare mund të përjashtohet si mundësi, për shkak se shumica e regjimeve arabe nuk kanë eksperiencën dhe kanë të shkuar të palavdishme në ndërhyrje të tilla, ndërkohë që deklaratat zyrtare mbi themelimin e forcës ushtarake të përbashkët nuk kanë ndonjë referencë të madhe mbi nevojën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo që të drejtat e njeriut përbëjnë ndonjë shqetësim.
Stabilizimi mund të jetë një objektiv, por vetëm nëse qeveritë përkatëse mund të bien dakord mbi kërcënimet e përbashkëta dhe mbi mënyrën se si mund të trajtohen ato. Ata munden, për shembull, të ndërmarrin përqasjen klasike “balancimi i fuqisë/terrorit”, duke ndërhyrë për të minuar aktorët më të fuqishëm në një konflikt, për t;i detyruar ata të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të diktojnë termat e ndonjë kompromisi, duke u siguruar në këtë mënyrë që ata do të përfitojnë nga status quo-ja e krijuar rishtaz.
Por rritja e koalicioneve ushtarake arabe ngre shqetësime të mëdha, jo më pak për shkak të historisë së ndërhyrjeve ushtarake të udhëhequra nga arabët – të cilat – ndryshe nga ndërhyrjet e Perëndimit në vende si Bosnja, Kosova apo edhe Libia – nuk mbartin asnjë precedent pozitiv. Ndërhyrje të tilla zakonisht synonin të fuqizonin agjentët e tyre përballë rivalëve politikë apo ushtarakë, në vend që të synonin shmangien e një katastrofe humanitare apo institucionalizimin e ndonjë mekanizmi të zgjidhjes së konfliktit pa dhunë pas luftës.
Ndërhyrja ushtarake e Egjiptit në Jemen në vitet 1960 është një shembull. Nga fundi i vitit 1965, presidenti i Egjiptit Gamel Abdel Nasser dërgoi 70 mijë trupa në Jemen në mbështetje të një grushti shteti republikan kundër forcave monarkiste. Pavarësisht se përdori armët kimike të ndaluara kundër guerilasve të Jemenit nga viti 1963 deri më 1967 – një konflikt nga të parët mes arabëve – Egjipti dështoi të arrijë objektivat e veta.
Më shumë se sa thjeshtë poshtërim ushtarak, Egjipti humbi në repucationin e vet ndërkombëtar, ku Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dënoi përdorimin nga forcat egjiptiane të armëve kimike të ndaluara kundër fshatrave që mbështesnin monarkinë. Aventura pati edhe një kosto të rëndë ekonomike; nga fundi i vitit 1965, Egjipti pati një borxh të jashtëm prej gati 3 miliardë dollarësh, duke e detyruar atë të shtojë një “taksë për mbrojtjen” për të financuar luftën e Jemenit.
“Forca Parandaluese Arabe” e dominuar nga Siria, nuk pati ecuri më të mirë kur ajo ndërhyri në luftën civile të Libanit në fund të viteve 1980, duke dështuar në objektivin për të ndaluar luftimet brutale apo për të mbrojtur refugjatët palestinezë. Pas vitit 1982, kur qeveria libaneze nuk pranoi të zgjasë mandatin e Forcave Parandaluese Arabe, ky mision u kthye thjeshtë dhe pastër në një mision sirian – i cili kreu disa nga krimet më të rënda kundër fraksioneve dhe refugjatëve palestinezë në të ashtuquajturat “Luftë të Kampeve” në vitin 1985.
Ndërhyrjet e shkurtra dhe më pak komplekse kanë qenë gjithashtu të pasuksesshme në objektivin për t’i dhënë fund krizave të dhunshme – dhe në disa raste e kanë përkeqësuar situatën. Një shembull i qartë është rasti i bombardimeve të kohëve të fundit të Egjiptit në Libi, të cilat, jo vetëm që dëmtuan procesin e paqes të ndërmarrë nga OKB në këtë vend thellësisht të ndarë, por fuqizuan gjithashtu disa nga elementët më ekstremistë.
Natyrisht, historia nuk është një mësues përfundimtar për të ardhmen; një ndërhyrje ushtarake arabe sot mund të rezultojë shumë ndryshe. Por ka shumë pak gjëra që të mund të sugjerojnë se rezultati do të jetë i mirë; në të vërtetë, pavarësisht qindra bombardimeve ajrore të Sauditëve kundër bazave ushtarake të kontrolluara nga Huthit, rebelët vijojnë përparimin e tyre. Nëse koalicionet ushtarake arabe që po shfaqen synojnë të shmangin gabimet e ndërhyrjeve të së shkuarës, anëtarët e tyre duhet të rimendojnë për përqasjen që kanë, përfshirë decifencat strukturore që kontribuuan në dështimet e së shkuarës.
Shumë faktorë përcaktojnë rezultatin e një ndërhyrjeje ushtarake në një luftë civile, veçanërisht nëse kjo përfshin një sulm tokësor. Në veçanti, udhëheqësit arabë duhet të përqendrohen në rishikimin e proceseve përmes të cilave formulojnë politikën e sigurisë kombëtare, duke përmirësuar marrëdhëniet mes civilëve dhe ushtarakëve, duke dhënë trajnime për misione paqëruajtëse dhe për ndërtimin e paqes, duke reformuar kulturën politike dhe duke trajtuar problemet komplekse socio-psikologjike.
Nëse udhëheqësit arabë nuk ia dalin të kapërcejnë këto deficenca, forca më e re arabe mund të bëhet burimi më i ri anti-demokratik dhe i destabilitetit sektar në Lindjen e Mesme dhe rrezikon të intensifikojë konfliktin suni-shia. Kjo është gjëja për të cilën rajoni nuk ka nevojë.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. What Good Is an Arab Military Alliance?