Qeveria e Malit të Zi ia shiti firmën e vet multi-milionëshe të mbrojtjes një partneriteti izraelito-serb i lidhur me një biznesmen të përfshirë në hetime kriminale rreth dyshimeve për kontrabandë droge, pastrim parash dhe trafik armësh, zbulon BIRN.
Korrupsion, pastrim parash, fatura të papaguara, shitje ilegale e armëve te islamikët libianë dhe përfshirje në një rreth të kontrabandës së kokainës janë vetëm disa nga akuzat që janë bërë ndaj biznesmenit kontrovers të lidhur me privatizimin e një prej firmave më të fuqishme të armëve në Ballkan.
Montenegro Defence Industries (MDI) ishte shitur pa bujë më 4 mars për CPR Impex me seli në Beograd dhe ATL Atlantic Technology Ltd nga Izraeli për 680 mijë euro.
Një hetim nga BIRN i nisur që atëherë ka zbuluar si një trafikant belg i armëve dhe diamantit, Serge Muller, qe arrestuar vetëm pak orë pasi ishte larguar nga ceremonia e nënshkrimit të shitblerjes në Podgoricë, ndërsa po tentonte të kalonte në Shqipëri.
Burime të shumta treguan për BIRN se si Muller luan një rol drejtues në firmën izraelite dhe në privatizimin e MDI-së.
Megjithatë, ATL dhe partnerët e tij e mohojnë se Muller, i cili po dyshohet nga autoritetet belge për trafik të kokainës dhe pastrim parash, është zyrtarisht pjesë e marrëveshjes, edhe pse e pranojnë se ai e vizitoi MDI-në tri herë gjatë viteve të kaluara “si një mik” i ATL-së dhe e ndoqi ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.
Petar Crnogorac, pronar i CPR Impex, përballet me problemet e tij ligjore pasi javën e kaluar u zbulua se OKB-ja po hetonte nëse firma e tij Tehnoremont, një filial i CPR Impex, dhe MDI shkelën një embargo të armëve duke eksportuar armë për islamikët libianë. Crnogorac thotë se një marrëveshje e tillë nuk ka ndodhur kurrë.
Fundi i festës
Një ceremoni e kushtueshme për të shënuar shitjen e MDI në Hotel Podgorica më 4 mars u braktis pa ndonjë shpjegim në orën e njëmbëdhjetë, ku mysafirët u ftuan që të marrin pjesë në një festim të vogël të mbajtur në një zyrë të zymtë në selinë e Agjencisë së Privatizimit.
Por ngjarja mori një kthesë dramatike kur Muller u arrestua vetëm pak orë pas takimit.
Muller, një figurë e mirënjohur në kryeqytetin europian të diamantit, Antverpen, kishte braktisur zyrat e Agjencisë së Privatizimit me një makinë që e ngiste Crnogorac.
[fact title=”Kush është Serge Muller? “]
Serge Muller bëri emër në biznesin e diamanteve në Belgjikë, duke iu bashkuar kompanisë së familjes së tij “S. Muller and Sons Diamonds NV”, një firmë e famshme me bazë në Antverpen, dekada më parë.
Për vite me radhë ai u mor me biznesin e diamanteve në të gjithë botën – nga Kanadaja në Afrikën e Jugut – duke krijuar pasuri të konsiderueshme dhe një rrjet ndërkombëtar të kompanive.
Kompania e tij më e njohur, “Rex Mining”, u inkorporua në vitin 1990 në Kanada, me një licensë për të tregtuar diamante në Belgjikë dhe aksione në një minierë në Afrikë të Jugut dhe Sierra Leone, një vend famëkeq për të ashtuquajturit ‘diamante të gjakut’- xhevahirë të tregtuar ilegalisht në këmbim të armëve të cilat janë të destinuara për përdorim në luftëra brutale civile.
“Kurrë nuk kemi bërë ndonjë lidhje direkte midis Mullerit dhe ‘diamanteve të gjakut’”, tha për BIRN gazetari belg dhe bashkëautori i librit ‘Diamanti i Zi’ Salvatore di Rosa, i cili investigoi tregtinë e jashtëligjshme të gurëve të çmuar. Por Di Rosa shtoi se ka gjasë që Muller, ndoshta pa dashur, kishte “bërë biznes me njerëz që merreshin me to”.
Ishte marrëveshja në Sierra Leone ajo që e solli Mullerin në vëmendje të botës.
Roli i Mullerit në tregtinë e turbullt të diamantit në Sierra Leone u dokumentua në “The Heart of the Matter” (Thelbi i Problemit), një raport i hartuar nga OJQ-ja “Partneriteti Afrikë- Kanada”, i cili solli në vëmendje çështjen e diamanteve të përgjakur për herë të parë në vitin 2000. Sipas raportit, “Rex Mining” punoi përkrahë biznesit të diamantit, duke ofruar një ‘element anarkik’ në këtë industri.
Muller u përfshi gjithashtu edhe në furnizimin me armë të Sierra Leones. Në vitin 1998, ai shiti motorë, pjesë dhe municione për helikopterin e vetëm luftarak shtetëror, të cilin qeveria e përdori për të luftuar Frontin e Bashkuar Revolucionar (RUF), armatën rebele të Sierra Leones, në një luftë 11 vjeçare nga viti 1991 deri në 2002.
Ai është cituar në një artikull të Washington Post të botuar në vitin 1999 të ketë thënë se “marrëveshjet e armëve nuk kishin lidhje me aktivitetet e ‘Rex Mining’”.
Por besohet se puna e armëve kishte lidhje me koncesionet në fushat e diamantit në Zimmi dhe Tongo.
Sipas raporteve vjetore të “Rex Mining”, të cilat janë ende të disponueshme në faqen e saj të internetit, lufta solli probleme të mëdha sigurie për aktivitetet minerare të firmës. Pastaj në vitet 2003 dhe 2004, qeveria e Sierra Leones anuloi marrëveshjet e qirasë duke thënë se “Rex Mining” nuk i është përmbajtur kushteve të marrëveshjes origjinale.
Muller nuk arriti t’i informonte dot aksionerët e tij kanadezë në lidhje me problemet rreth licensës dhe, në vitin 2009, “Ontario Securities Commission” e urdhëroi atë të japë dorëheqje nga “Rex Mining” për një periudhë 10 vjeçare dhe të paguajë shpenzimet e gjykatës në shumë prej 40 mijë dollarësh kanadezë.
Ai u kthye në Sierra Leone në vitin 2012, nderisa vendi ziente nga zgjedhjet, përsëri duke furnizuar qeverinë me armë. Një tjetër nga kompanitë tjera të tij në Sierra Leone, “Amylam”, i shiti armë kineze me një vlerë prej 5 milionë dollarësh amerikanë strukturave policore paraushtarake – Divizionit të Shërbimeve Operacionale. Marrëveshja ngriti shqetësime nëse armët do të përdoreshin për të siguruar fitoren e zgjedhjeve të presidentit Ernest Bai Koroma dhe nxiti kritika nga OKB-ja, edhe pse s’ishte e paligjshme.
“Amylam” ishte gjithashtu e përfshirë në një çështje gjyqësore në Afrikën e Jugut për dyshime se kishte furnizuar me armë të cilësisë së dobët.
Ortaku i tij në biznes, Petar Crnogorac, tha për BIRN se para se të arrestohej në Mal të Zi, ai ishte marrë në pyetje nga Agjencia e Antidrogës e SHBA-ve dhe policia belge.
“Avokatët e tij na thanë se z. Muller ishte marrë në pyetje nga policia belge në shtëpinë e tij në Zvicër në gusht të vitit 2012 kur ai dha informacione të detajuara rreth të gjitha aktiviteteve të tij profesionale”, tha ai.
“Gjithashtu, me dëshirën e tij, ai shkoi në ShBA për t’u marrë në pyetje nga agjenti special Michael Menzer i Agjencisë së Antidrogës”.
Dokumentet e gjykatës nga Belgjika, të siguruara nga Salvatore di Rosa, tregojnë se firma e Muller, “Rex Mining”, ishte lidhur me një çështje të madhe të dyshimtë për kontrabandë kokaine.
Trafikantët e dyshuar u liruan në apel, por Muller u listua si një “palë e interesuar” dhe rezultoi që policia gjeti një diamant rozë 10 karatësh me vlerë rreth 500 mijë euro në një kasafortë që kishte lidhje me grupin.
Gjithashtu rezultoi se Muller i kishte dhënë hua drejtuesit të grupit, i quajtur Bruno M., një shumë prej 1 milion eurosh.
Muller ishte gjithashtu i njohur për sponsorizimin e “Diamond Bullet”, një çmim letrar flamand për romanin më të mirë kriminal në gjuhën holandeze.
Historia e tij mund të jetë temë për një nga shumë shkrimtarët që ai ka ndihmur duke i promovuar gjatë dekadës së fundit.
Fundi i kësaj ‘përralle’ mbetet ende i pashkruar. [/fact]
Serbi ishte dashur të zbriste në aeroportin e vogël malazez të Tivatit ndërsa Muller po drejtohej kah kufiri me Shqipërinë për të shkuar në Tiranë ku do ta merrte aeroplanin për Izrael, që gjatë viteve të fundit është selia e tij.
Muller, 59 vjeç nuk mundi ta realizojë fluturimin pasi policia malazeze e arrestoi atë mbi bazën e një Kartele të Kuqe të Interpolit të lëshuar nga Brukseli një ditë më parë.
Një shtyllë e dikurshme në komunitetin e tregtarëve të diamantit të në Belgjikë, Muller më parë kishte shkaktuar kundërthënie rreth përfshirjes së tij në fushat e minierave të lyera me gjak të diamantit në Sierra Leone dhe marrëveshjeve të diskutueshme të armëve. [shih profilin].
Ai tani është në paraburgim në Podgoricë duke pritur rezultatin e një seance për ekstradim nga e cili ai mund t’u dorëzohet hetuesve belgë për t’u përballur me akuzat e pjesëmarrjes në një rreth trafikantësh të kokainës, duke pasur lidhje me nivele të larta të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
“Urdhër arresti kundër Muller thoshte se ai dyshohej për vepra penale të pjesëmarrjes në një organizatë kriminale, trafikim ilegal narkotikësh dhe pastrim të parave, të dënueshme sipas Kodit Penal të Mbretërisë së Belgjikës”, tha Gjykata e Lartë e Podgoricës për BIRN.
Një gjykatë në Antverpen e cila është në dijeni për çështjen, tha për BIRN se akuza u përqendrua në ngarkesat e dyshuara të kokainës nga Amerika Jugore në Antverpen dhe në pastrim parash.
Sipas burimit, gjykatësi Bruno De Hous “është duke hetuar të gjitha aktivitetet e Muller në të cilat ai ka fituar, ose ka mundur të fitojë dhe ka pastruar para të pista, diamante, armë dhe narkotikë”.
Muller gjithashtu akuzohet se ka qenë pjesë e një takimi në Kili mes anëtarëve të karteleve të drogës dhe një anëtari të organizatës terroriste kolumbiane FARK, thotë i njëjti burim.
Muller, i cili po i mohon të gjitha akuzat, mund të mbahet deri në gjashtë muaj në Mal të Zi por avokati i tij tha për BIRN se provat e paraqitura nga Belgjika ishin “të dobëta” dhe se ai shpreson që klienti i tij do të lirohet shpejt. Data e seancës së dëgjimit për ekstradim pritet të caktohet këtë javë.
Muller: ‘Njeriu prapa ATL’
ATL Atlantic Technologies është një kompani e madhe e armëve me seli në Tel Aviv e themeluar në vitin 2009.
Pronari i saj i vetëm dhe shefi ekzekutiv është izraeliti Agmon Shaked, sipas dokumentacionit zyrtar nga Izraeli, por investigimi i BIRN zbuloi se firma është e lidhur ngushtë me figurën e fuqishme të Muller, i cili thuhet se ka bërë udhëtime të shpeshta në emër të kësaj firme në vitin e fundit.
Dihet shumë pak për Shaked përveç detajeve të një çështje të vogël në gjykatë në Tel Aviv. 40-vjeçari qe zbuluar se ka lëshuar një banesë me qira- shtëpinë e tij sipas letrave zyrtare të ATL Atlantic Technology- pa i paguar faturat dhe qe urdhëruar nga gjykata ta kthente borxhin.
Por burime të shumta dhe dokumente zyrtare thonë se Muller, i cili ka qenë i përfshirë në tregti armësh për të paktën 15 vjet, është minimumi një bashkëpunëtor i ngushtë i Shaked dhe ATL.
Muller ishte zyrtarisht pronar i degës së ATL-së në Bullgari, ATL Bulgaria, për më shumë se një vit deri në qershor të vitit 2014 kur i shiti aksionet, sipas të dhënave nga regjistri i kompanisë bullgare.
Uebsajti i ATL-së gjithashtu shënon një zyrë në Diamond Exchange Building në Antverpen, adresa e disa kompanive të Mullerit, sipas një hetimi nga një gazetar belg në vitin 2012. Adresa më vonë u hoq.
Dhe një ekspert ushtarak serb, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha për BIRN se Muller ishte i njohur në qarqet e armëve si ‘financues’ i ATL-së.
Përkundër zhdukjes së tij nga letrat e punës dhe uebsajti i ATL, BIRN ka mësuar se ai ishte në zyrat e MDI-së tri herë në emër të firmës izraelite me pronarin e CPR Impex, Crnogorac.
Në një intervistë për BIRN, Crnogorac së pari pranoi se Muller ishte “njeriu prapa ATL-së”. Megjithatë, gjatë takimit ai pranoi një telefonatë pas së cilës insistoi që Muller ishte thjesht një mik i firmës.
“Zotëri Serge Muller është në të njëjtën punë sikur edhe ne, ai ka një biznes të rëndësishëm, është shumë me ndikim dhe si i tillë është një anëtar i respektueshëm i komunitetit hebre”, tha më pas Crnogorac në një deklaratë. “ATL Atlantic është tërësisht e drejtuar nga Agmon Shaked i cili ishte i përfshirë në negociata rreth blerjes së MDI dhe i cili eventualisht bleu këtë kompani së bashku me mua”.
Megjithatë një burim i lartë i mirë-informuar në MDI tha për BIRN se Muller ishte prezantuar si ‘bosi’ i ATL gjatë atyre tri vizitave në MDI vitin e kaluar.
Crnogorac refuzoi të thotë cilën se kompani përfaqësoi Muller në këto takime dhe hodhi poshtë deklaratat se ai ishte paraqitur si ‘bosi’.
“Si mund ta dijë dikush se çfarë kemi folur?”, tha ai. “Ishim vetëm tre nga ne në zyrë- Muller, (drejtori i MDI) Zoran Damjanoviç dhe unë. Askush tjetër nuk e di se për çka kemi folur”.
Damjanoviç, drejtor i MDI, fillimisht konfirmoi se Muller vizitoi zyrat e MDI-së në Podgoricë si përfaqësues i ATL Atlantic por më vonë tha se Muller ishte i pranishëm aty si “një mik i kompanisë së Tel Avivit”.
Djali i Mullerit, Benjamin Muller, i cili u takua me BIRN në zyrat e CPR Impex në Beograd, refuzoi të komentojë.
ATL dhe Shaked nuk iu përgjigjen kërkesave tona për të komentuar përderisa BIRN nuk mundi ta pyesë Mullerin drejtpërdrejt rreth përfshirjes së tij me firmën e Tel Avivit.
Lidhja libiane
Pronari serb i MDI-së, CPR Impex po përballet me vështirësi ligjore.
Firma e tregtisë së armëve me seli në Beograd e themeluar në vitin 2005 ka eksportuar armë në të gjitha anët e botës.
Pronari dhe shefi ekzekutiv i saj, Petar Crnogorac, 35-vjeçar, është djali i drejtorit të marketingut të Zastava Arms, fabrikës shtetërore të armatimit e cila prodhon versionin jugosllav të kallashnikovit.
Crnogorac ishte arrestuar në qershor të vitit 2014 nga policia serbe me akuzat e abuzimit të detyrës rreth një serie të tenderëve ndërmjet viteve 2011 dhe 2013 për të blerë pajisje shtesë të armatimit gjatë të cilëve, dyshohet se mori informata konfidenciale për ofertuesit tjerë.
Ai është liruar nga paraburgimi, por rasti ndaj tij mbetet nën hetim.
“Akuzat ndaj meje janë të pakuptimta dhe kjo është dëshmuar qartë nga dëshmitarët”, tha Crnogorac.
Biznesmeni serb mund të përballet me akuza më të rënda këtë muaj pasi duket se OKB po hetonte nëse Tehnoremont, një nëndegë e CPR Impex, ka furnizuar me armë islamikët në Libi. Marrëveshja thuhet të jetë arritur në dhjetor të vitit 2014, para se të bëhej privatizimi.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Paneli i Ekspertëve të OKB-së për Libinë filloi një hetim pasi siguroi një “end user certificate” të dyshimtë, një nga dokumentet kryesore të kërkuara për të marrë një licencë eksporti.
Mbiemri i referuar si Sherif besohet se është i mirënjohuri Khalid al-Sharif, një ish zëvendës ministër i mbrojtjes i cili e vizitoi Serbinë në vitin 2013 dhe që ishte i afërt me luftëtarët islamikë.
Sharif është një ish-anëtar i Grupit të Luftëtarëve Islamikë të Libisë, është i njohur pasi ishte arrestuar nga CIA, dhe, sipas OKB-së, “ka lidhje të qartë me Operacionin Fajr”, gjithashtu i njohur si Agimi Islamik i Libisë i cili ka vendosur një qeveri paralele në Tripoli.
OKB vendosi embargo armësh ndaj Libisë në vitin 2011 në mënyrë që të parandalojë shkeljet e mëtejshme të të drejtave të njeriut, megjithëse shitjet për qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Tobruk janë të lejueshme nëse ato miratohen paraprakisht nga OKB-ja.
Kreu i panelit të ekspertëve, Simon Dilloway, ka kërkuar kopjet e kontratave, nëse ato ekzistojnë, nga Serbia deri në fund të muajit në mënyrë që të konkludojë nëse embargo është shkelur.
Në Mal të Zi, prokurori i shtetit i tha BIRN-it se ka hapur një hetim për këto dyshime.
MDI dhe Crnogorac kanë mohuar akuzat, duke thënë se ata nuk kanë bërë eksport armësh.
Crnogorac tha për BIRN pavarësisht se janë bërë diskutime për shitjet në Libi, asnjë marrëveshje nuk është arritur dhe si rezultat i kësaj nuk ka pasur nevojë për të kërkuar leje nga OKB.
Një nga pak kushtet në shitjen e MDI ishte edhe ai se ofertuesit nuk duhet të ishin në shkelje të sanksioneve të OKB-së.
Nxitimi i Lindjes së Mesme në armatim
Shitja e MDI-së hap stoqet e pajisjeve të ish-Jugosllavisë për konsumatorët e rinj, sipas një burimi nga trafikantët e armëve.
Me lidhjet e veta në nivelet më të larta politike në Mal të Zi, aksesi në armatimin e epokës së Jugosllavisë dhe lidhjet direkte në portin e Tivarit në Mal të Zi, MDI ka luajtur rol të madh në industrinë e armëve në Ballkan që nga koha kur ajo u nda nga Yugoimport SDPR e epokës së Jugosllavisë.
[fact title=” Kërkesa e Rabinit”] Kreu i komunitetit hebre në Mal të Zi pa dashur është përfshirë në historinë që fshihet pas shitjes së MDI-së dhe lidhjeve të saj me Serge Muller.
Jasa Alfandari mori pjesë në nënshkrimin e kontratës së shitjes më 4 mars pasi Ambasada e Izraelit refuzoi të dërgojë një përfaqësues për të shënuar investimin e kompanisë nga Tel Avivi, “ATL Atlantic Technology”, në Mal të Zi.
“Pyeta se pse duhej të merrja pjesë në ceremoni dhe ata (MDI-ja) më thanë se kompania izraelite kishte këmbëngulur”, tha kreu i komunitetit hebre në Mal të Zi, i cili i numëron rreth 100 anëtarë.
Ngjarja kaloi pa incidente dhe vetëm pas dy javësh Alfandari zbuloi se Muller, të cilin nuk e kishte takuar kurrë para kësaj ngjarjeje, ishte arrestuar vetëm pak orë pas ceremonisë.
Lajmin ai e mori në një letër nga shefi i rabinëve të qytetit izraelit Eliat, rabini Yosef Hecht, i cili i kërkoi Alfandarit që ta ndihmojë Mullerin të vëzhgojë festivalin hebre të Pashkëve që filloi të premten e 3 prillit dhe mbaroi më 11 prill të këtij viti.[/fact]
Por firma po luftonte për të mbajtur stafin e vet të ekspertëve pasi financat ishin zvogëluar nga pronari: qeveria malazeze.
MDI u paraqit për privatizim te kryeministri Milo Djukanoviç, i cili u pajtua që ta hedhë firmën në treg.
Drejtori Zoran Damjanoviç u lidh drejtpërdrejt me CPR Impex, një partner i ngushtë tregtie për disa vjet, i cili solli ATL-në në garë në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tenderit për të ardhura së paku deri në 5 milionë euro, në vitin 2013.
Partneriteti ishte, në fund, ofertuesi i vetëm, duke ofruar 680 mijë euro me një premtim për t’i investuar edhe 400 mijë të tjera.
Një burim i lartë në MDI tha për BIRN se firma malazeze është “një lojtar i vogël në biznesin e madh global të armëve të ATL-së”.
“MDI dhe CPR (Impex) janë të dobishëm pasi kanë ende akses në sasinë e madhe të tepricës jugosllave të armëve në Bosnjë, Mal të Zi dhe Serbi dhe… në Shqipëri – dhjetëra mijëra tonë municioni dhe armë të cilat mund të shiten në vendet e botës së tretë”, tha ky burim.
MDI më parë ka shkaktuar polemika për lidhet e dyshuara me zonat e konflikteve.
Dokumentet e publikuara nga OJQ-ja belge ‘International Peace Information Service’ në vitin 2010 detajojnë importin ilegal të armëve nga Zimbabve në Mal të Zi përderisa raportimet në shtypin malazez në vitin 2012 flisnin se marrëveshje të dyshimta mund të jenë arritur nga MDI për të shitur armë në Siri dhe Libi.
Firma ka mohuar fuqishëm këto akuza, duke thënë se dokumentet janë të falsifikuara. Por me konfliktet që po shpërthejnë në Lindje të Mesme- përfshirë Libinë, Jemenin, Sirinë dhe Irakun- është koha e lulëzimit për trafikantët e armëve, sidomos atyre në Ballkan dhe Europën Lindore.
Eksperti i armëve Aleksandar Radiç tha për BIRN se këto firma kishin akses në llojet e pajisjeve të nevojshme në zona të tilla të luftimeve.
“Shtetet e Lindjes së Mesme shpesh kanë nevojë për burime të lira të sasive të mëdha të armëve të dobishme për të pajisur njësitet me aftësi të kufizuara. Këto lloje të armëve vijnë nga Ballkani dhe Europa Lindore”, tha ai.
Trafikantët e armëve thanë për BIRN se firmat perëndimore u larguan nga furnizimi me armë të vogla për këto konflikte kontraversale, duke lënë bizneset nga Ballkani dhe shtetet ish-sovjetike t’i mbajnë linjat e furnizimit.
Deputeti opozitar malazez, Velizar Kaludjerovic, bëri thirrje që zbulimet e BIRN-it të hetohen nga komisioni parlamentar i sigurisë dhe mbrojtjes, anëtar i të cilit është ai vetë.
“Çështja e kontrabandës me armë nga Mali i Zi duhet të hetohet thellësisht sepse afera e fundit është vetëm njëra nga shumë të tilla në 10 vitet e fundit”, tha ai.
“Është koha të largohen ose të konfirmohen dyshimet rreth veprimit ilegal”, u shpreh ai.
Për t’i lexuar të gjitha dokumentet e përdorura nga BIRN në këtë hetim vizitoni librarinë online BIRN Source këtu: http://birnsource.com/en/folder/191
Ky hulumtim është prodhuar nga BIRN si pjesë e projektit ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’.