Policia e Maqedonisë deklaroi se njerëz të armatosur që flisnin shqip sulmuan një pikë kufitare të largët pranë Kosovës, ngjarje që po konsiderohet si e fabrikuar nga analistët.
Policia e Maqedonisë deklaroi të martën se një grup prej 40 njerëzish të armatosur dhe të maskuar me shenja dalluese të një njësie paraushtarake shqiptare të njohur si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, UÇK, sulmoi një pikë kufitare të Maqedonisë pranë Kosovës në orën 2.30 të mëngjesit.
Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski tha në një konferencë për shtyp në Shkup se “një sulm terrorist” ka ndodhur.
Zëdhënësi tha se sulmuesit, që dukej sikur qenë nga Kosova, flisnin shqip dhe morën peng katër policë të pikës kufitare.
Ata i lidhën tre prej tyre dhe i rrahën ndërsa filmonin gjithçka me kamera.
“Udhëheqësi i grupit, duke folur në shqip… i tha policëve të rrëmbyer këto fjalë: “Ne jemi nga UÇK dhe ju duhet t’i thoni çdokujt se askush nuk mund t’ju shpëtojë ju, as [kryeministri] Nikola Gruevski dhe as [kreu i partisë shqiptare në qeverisje Demokratike për Integrim] Ali Ahmeti. Ne duam shtetin tonë”.
Sipas Kotevskit, policëve iu tha se ata rrezikonin të ekzekutoheshin.
Pasi pengmarrësit u larguan, zëdhënësi tha se oficeri i katërt, i cili nuk qe lidhur, ndihmoi të rrëmbyerit për të ikur në këmbë. Ndërsa po largoheshin, oficerët dëgjuan të shtëna me armë automatike.
Policia tha se po merrte masa për të zbardhur ngjarjen por nuk kishte më shumë informacion për shkak të kompleksitetit të situatës.
Skena e vendit ku supozohet se u krye sulmi, fshati Gushnicë është pjesë e komunës shqiptare të Likovës, rreth 25 kilometra në veri të kryeqytetit të Maqedonisë Shkup, pranë kufirit me Kosovën.
Ky rajon ka qenë në vijën e frontit gjatë luftimeve të konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni.
Sekretari i Përgjithshëm i komunës së Likovës Nexhadi Osmani i tha BIRN se ai nuk kishte vënë re ndonjë prani të shtuar policore apo prani të njerëzve të armatosur.
“Gjithçka që dimë e kemi dëgjuar nga policia dhe shumë njerëz as nuk e kanë marrë vesh fare. Por mund të them se njerëzit këtu nuk kanë asnjë armiqësi etnike kundër askujt,” tha ai. “Ne kemi jetuar përgjatë luftës dhe e dimë mirë se si është ajo. Ne nuk duam luftë sërish,” shtoi ai.
Në vitin 2001, një konflikt shpërtheu mes kryegritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë. Konflikti përfundoi me marrëveshjen e paqes të Ohrit, e cila premtoi më shumë të drejta për shqiptarët.
Në këmbim të marrëveshjes, kryengritësit nga UÇK u shpërndanë dhe krijuan partinë Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila është pjesë e qeverisë.
Raportimi i policisë për incidentin vjen në një kohë që Maqedonia është e zënë në një krizë politike. Opozita maqedonase ka akuzuar kryeministrin se ka mbajtur nën përgjim përgjatë viteve të fundit rreth 20 mijë maqedonas.
Kritikët e qeverisë e kanë akuzuar atë se e ka sajuar ngjarjen për të shkaktuar rritje të tensionit etnik me synimin për të hequr vëmendjen nga kriza e saj.
“Sa më shumë presim [për një zgjidhje të krizës] aq më i lartë është rreziku që dikush të punësojë ndonjë grup kriminal shqiptarësh në përpjekje për të organizuar një konflikt. Kriminelët shqiptarë mund të përdoren për të sulmuar fshatrat maqedonas ose anasjelltas,” komentoi për BIRN pak kohë më parë Mersel Biljali, një ish deputet.
Ndërkohë, ish komandanti i UÇK-së për rajonin e Likovës u citua nga agjencia e lajmeve Zhurnal duke deklaruar se incidenti në Gocinc është sajuar nga shërbimet sekrete të Maqedonisë me synimin për të mobilizuar maqedonasit kundër shqiptarëve dhe për të fuqizuar mbështetjen përreth qeverisë e lodhur të vendit.
“Këto raste po fabrikohen nga qeveria në mënyrë profesionale… synimi është për të bashkuar maqedonasit kundër shqiptarëve. Qeveria ka paguar disa njerëz për të krijuar një problem dhe për të manipuluar opinionin publik,” tha Abedin Zymberi.