Kosova mirëpriti lajmin se Komisioni Europian ka miratuar një MSA për vendin – megjithëse mbetet e paqartë se si dhe kur do të ratifikohet marrëveshja përfundimtare.
Bekim Çollaku, Ministri i Kosovës për Integrimin, tha se Komisioni Europian ka miratuar një propozim Marrëveshjeje Stabilizim Asociimi, MSA, me Kosovën të enjten dhe e ka dërguar atë për aprovim në Këshillin e Bashkimit Europian.
“Ne mirëpresim një vendim të tillë, që e sjell Kosovën më pranë nënshkrimit të një MSA-je dhe më pranë integrimit në BE,” tha Çollaku për BIRN.
Ulrike Lunacek, raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, bëri thirrje te Këshilli që të miratojë MSA-në sa më shpejt që të ishte e mundur dhe jo më vonë se mesi i vitit 2015.
Ajo tha se ratifikimi i MSA-së nga Parlamenti Europian do të ishte më pas i mundur në vjeshtë dhe se MSA mund të hyjë në fuqi në vitin 2016.
“Është lajm shumë i mirë dhe një tjetër hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE. Për herë të parë BE-ja dhe Kosova do të hyjnë në një marrëveshje kontraktore,” tha ajo.
“Po kërkoj një proces të shpejtë sepse MSA do të ofrojë një stimul të fuqishëm për zbatimin dhe institucionalizimin e reformave dhe mundësive të reja për Kosovën në forcimin e marrëdhënieve me fqinjët e saj dhe në kontributin për stabilizimin e rajonit”, shkroi Lunacek në një deklaratë.
Reagimet për lajmin ishin pozitive në Kosovë, megjithëse mbetet e paqartë se kur do të nënshkrohet dhe ratifikohet marrëveshja.
Miratimi i MSA-së nga Komisioni Europian dhe rekomandimi i tij për Këshillin përfaqëson vetëm një aspekt teknik. Aspekti politik i MSA-së do të vendoset në Këshill dhe është më kompleks.
Ministrat e jashtëm të Këshillit Europian duhet të arrijnë një vendim unanim për pranimin e MSA për Kosovën – gjë që do të jetë e vështirë duke marrë parasysh se pesë shtete të BE nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk e njohën pavarësinë e Kosovës nga Serbia, deklaruar në 2008.
“Kosova do të marrë një marrëveshje që është e ndryshme nga MSA-të e tjera të nënshkruara me shtetet fqinje dhe do të përfshijë vetëm zonat dhe kompetencat që janë ekskluzivisht të transferuara te BE-ja,” shpjegoi Dren Doli, kreu i Grupit për Studimet Ligjore dhe Politike.
Doli i tha BIRN se nëse Këshilli konfirmon MSA-në me Kosovën, palët kontraktuese do të jenë vetëm BE-ja dhe Kosova, ndryshe nga rastet me shtetet e tjera të rajonit ku palët ishin anëtarët e BE-së dhe shteti nënshkrues i MSA.
MSA-ja e Kosovës pritet gjithashtu të jetë më e kufizuar sesa MSA-të e tjera të nënshkruara më parë.
Avni Mazreku, një ekspert i integrimit në BE, tha se MSA-ja me Kosovën reflekton një kompromis brenda BE-së, që është projektuar të lejojë proceset e reformimit të fillojnë.
Megjitha, marrëveshja nuk do t’i sjellë Kosovës përfitimet e zakonshme që MSA-të i sjellin shteteve të tjera në rajon, tha ai.
“Pa pesë njohje, procesi i MSA nuk do të arrihet plotësisht. Është e pamundur për Kosovën të mos e ketë të ratifikuar MSA-në n parlamente të ndara të shteteve të BE. Pa këtë, nuk do të ishte një marrëveshje MSA,” shtoi ai.
Eksperti parashikon se ratifikimi i MSA-së do të shkojë në parlamentet respektove të anëtarëve të BE të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, dorë për dore me rezolutat që pranojnë pavarësinë e saj.
Kosova është i vetmi vend në rajon pa një marrëveshje MSA.
Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha gjatë një vizite në Prishtinë më herët këtë vit se një MSA me Kosovën do të nënshkruhej brenda këtij viti.