Gruevski kërcënon kritikët: “Mund të keni fatin e terroristëve”, tha ai në një deklaratë për shtyp, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik e konsideron ngjarjen si të sajuar nga vetë Gruevski.
Banorët e lagjes së Trimave në Kumanovë u rikthyen në shtëpitë e tyre pas dy ditësh luftimesh të përgjakshme të cilat lanë një numër të konsiderueshëm të vrarësh, ndërkohë që qeveria maqedonase vijon të kontrollojë informacionin sipas interesit të saj.
Banorët gjetën shtëpi të rrënuara dhe pellgje gjaku në zonën e luftimit ndërsa ka raportime se një numër shqiptarësh të zonës së Kumanovës janë nisur për t’u larguar nga vendi në drejtim të Preshevës.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi mbrëmjen e së dielës se i kërkon autoriteteve të Maqedonisë të hetojnë ngjarjen me transparencë si dhe të sqarojnë nëse ka apo jo viktima civile.
“Qeveria e Shqipërisë i bën thirrje qeverisë dhe autoriteteve ligj zbatuese në Maqedoni që të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vet stabilitetit të Maqedonisë e rajonit,” deklaroi Rama.
Ndërkohë, policia e Maqedonisë deklaroi se sipas saj, organizatorët e ngjarjes qenë Sami Ukshini, Beg Rizaj, Dem Shehu, Muhamet Krasniqi dhe Mirsad Ndrecaj. Sipas saj, rreth 30 shqiptarë, disa nga Maqedonia dhe disa nga Kosova, u dorëzuan në polici dhe do të gjykohen në Maqedoni. Ministria e Brendshme e Maqedonisë foli edhe për një nënshtetas të Shqipërisë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski mbajti fjalimin e tij të parë që nga fillimi i ngjarjeve në të cilin deklaroi se ngjarja nuk duhet të shihet si një konflikt mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Ai u shpreh i lumtur që grupi sulmues nuk gjeti mbështetje te popullsia.
Por Gruevski shkoi më tutje duke kërcënuar hapur opozitën dhe gazetarët. Ai tha se po i jepte një mesazh “disa politikanëve të opozitës dhe disa të ashtuquajturve gazetarë që synojnë të mbledhin pikë në kurriz të të vrarëve dhe të plagosurve”. Ai shtoi: “të gjithë ata që duan t’i bëjnë keq vendit, i them se do të përfundojnë si ky grup terrorist.”
Gazeta zvicerane Tages Anzeiger e konsideroi Gruevskin si një “diktator i vogël”.
Në qytetin e Kumanovës u shfaqën skena solidariteti mes maqedonasve dhe shqiptarëve, të cilët njëzëri konsideruan Gruevskin si përgjegjës për ngjarjen. Një video që paraqet një shqiptar duke folur në maqedonisht dhe duke i kërkuar qeverisë së Gruevskit përgjegjësinë për sulmin u shpërnda nga mbi 15 mijë përdorues në Facebook. “Duhet të pyesni Qeverinë se çfarë ka ndodhur. Nuk kam asnjë qëllim të keq, kemi një bashkëjetesë të mirë me maqedonasit”, deklaroi fillimisht ky qytetar, raporton Koha.net.
“Thërrisni Gruevskin e Jankulovskan, çfarë është fjala terrorist? Ata duhet të përballen me drejtësinë”, shtoi ai.
Banorët e Kumanovës, si maqedonas ashtu edhe shqiptarë, janë veçanërisht të çuditur nga ngjarja, e cila ndodhi në një kohë kur marrëdhëniet mes komuniteteve të ndryshme konsideroheshin si të mira dhe të qeta dhe pa ndonjë tension paraprak.