Pas pezullimit të shfaqjes së shkrimtarit francez të botuar në ditën e sulmit nga Charlie Hebdo, Festivali Veror i Dubrovnikut kërkon ta rikthejë në program pavarësisht rrezikut të sigurisë.
Festivali Veror i Dubrovnikut duket se po tërhiqet me shpejtësi nga vendimi i mëparshëm për të anuluar një shfaqje nga shkrimtari francez kontraversal Mishel Huelbek (Michel Houellebecq) – me justifikimin se mund të ofendonte myslimanët.
“Grimcat elementare”, një shfaqje e mbështetur në një nga romanet e tij, papritur u hoq nga programi javën e shkuar pasi organizuesit morën një letër nga ministria e brendshme, që e quante shfaqjen një rrezik sigurie.
Drejtorja e festivalit Ivana Medo Bogdanoviç, tha se ata kishin marrë konfirmimin nga ministria se kushtet e sigurisë do të ofroheshin që shfaqja të vazhdonte.
Bordi drejtues i festivalit tha se një vendim do të merrej përfundimisht të premten.
Drejtori i dramës nga festivali i Dubrovnikut, Mani Gotovaç, deklaroi se ministri i brendshëm Ranko Ostojiç i kishte thënë atyre se policia do të sigurojë kushtet për performancën.
“Ministri i brendshëm Ranko Ostojiç dhe presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç… ndajnë mendimin e shumicës së anëtarëve të këshillit të festivalit që miratuan programin e festivalit”, tha Gotovaç.
Ministria e brendshme i bëri vlerësimet e para të sigurisë pasi prefekti i Kontesë Dubrovnik-Neretva, Nikola Dobroviç, tha se shfaqja ishte me gjasa ofenduese ‘për shkak të marrëdhënieve të këqija të shkrimtarit me myslimanët dhe fenë e tyre’, ndonëse vetë shfaqja nuk përmban referenca ndaj islamit.
“Grimcat elementare” ka në qendër jetën e dy gjysmë-vëllezërve me jetë të vetmuara, të cilët trajtojnë çështjen e klonimit.
Romani më i ri i Huelbek “Nënshtrimi” – i vendosur në një Francë të së ardhmes që është dominuar nga myslimanët – ka shkaktuar një stuhi edhe më të madhe.
Ai u botua në të njëjtën ditë në janar kur islamikët në Paris qëlluan hebrenjtë në një supermarket si dhe stafin e të përjavshmes satirike franceze, Charlie Hebdo.
Në ditën e masakrës në Paris, Charlie Hebdo publikoi një botim me një karikaturë të Huelbek , me diciturën “Parashikimet e magjistarit Huelbek”.