Kalimi i migrantëve përmes Maqedonisë për në Serbi ka vazhduar pas trazirave në kufirin jugor të vendit, ku qindra thyen postblloqet e policisë për të hyrë në vend.
Maqedonia të dielën ndihmoi mijëra imigrantë të vazhdojnë udhëtimin e tyre në vend dhe në Serbi pasi autoritetet u përpoqën të mbyllnin kufirin e tyre jugor të enjten e shkuar dhe deklaruan një gjendje krize, që rezultoi në skena kaotike dhe përplasje me policinë.
Grupe të mëdha migrantësh – shumë prej tyre refugjatë nga lufta në Siri – vazhduan të kalojnë të dielën kufirin jugor të Maqedonisë me Greqinë.
Autoritetet thanë se ofruan transport për rreth 4000 migrantë të mbërritur vetëm të dielën. Shumica prej tyre duan të udhëtojnë përgjatë Maqedonisë dhe më pas në Serbi e Hungari për të mbërritur në BE.
“Autobusë dhe trena u ofruan për t’i transportuar ata në veri në kufi me Serbinë,” tha zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë ngritur një tjetër kamp të përkohshëm pranë kufirit me Maqedoninë për të akomoduar numrin e madh të migrantëve. Kampi i ri u ngrit Miratoçi, pranë qytetit jugor të Preshevës.
UNHCR, Kryqi i Kuq dhe organizata të tjera humanitare që po punojnë në terren kanë paralajmëruar se më tepër ndihmë është e nevojshme.
Normalizimi gradual i itinerarit tranzit të migrantëve përgjatë Maqedonisë vjen pas dy ditëve tensione në kufirin jugor me Greqinë. Të premten dhe të shtunën policia maqedonase qëlloi me gaz lotsjellës ndaj shumë migrantëve që kapërcyen kufijtë e vënë nga policia për të hyrë në vend.
Kjo ndodhi pasi autoritetet u përpoqën të kufizojnë numrin e hyrjeve në kufi.
Organizata e të drejtave Amnesty International dënoi atë që e quajti përdorim të masave paraushtarake për të larguar refugjatët.
Zyrtarët maqedonas kanë thënë se rreth 45,000 refugjatë nga Lindja e Mesme dhe vendet Afrikane e kanë përdorur vendin si tranzit për në udhëtimin në Bashkimin Europian vetëm këto dy muajt e fundit.
Në përgjigje të situatës në Maqedoni, ministri i jashtëm francez Laurent Fabius tha të dielën se kriza duhet të zgjidhet pa vonesë si pjesë e një përpjekje më të gjerë.
“Çfarë nënkupton solidaritet? Nënkupton që secili të bëjë pjesën e vet në lidhje me azilin politik pasi është e vështirë të imagjinohet se një vend mund të përballet i vetëm me këtë,” tha ai, sipas raportimeve të agjencive të lajmeve.
Agjencia e OKB për refugjatët, UNHCR, ka paralajmëruar të dielën se Greqia, Maqedonia dhe Serbia do të përballen me një tjetër fluks refugjatësh në ditët në vijim. Ajo i ka nxitur autoritetet greke dhe maqedonase të bëjnë përpjekje shtesë për të organizuar më mirë akomodimin e refugjatëve.
UNHCR tha se BE-ja duhet të rrisë ndihmën për Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë.