Autoritetet hungareze kanë deklaruar gjendjen e emergjencës në dy qarqe në kufi me Serbinë pasi prezantoi edhe një legjislacion më të ashpër për të pakësuar fluksin e refugjatëve.
Hungaria deklaroi gjendjen e emergjencës të martën në dy qarqe pranë kufirit me Serbinë duke cituar një numër të madh refugjatësh që po përpiqen të hyjnë në vend nga Serbia.
Lajmi erdhi pasi hyri në zbatim një legjislacion i ri më i fortë të martën që lejon policinë të burgosë dhe ndjekë penalisht refugjatët që kalojnë kufirin e rrethuar me tela me gjemba në kufi me Serbinë dhe që hyjnë ilegalisht në vend.
Policia hungareze të hënën në mbrëmje rrethoi një linjë hekurudhore mes Hungarisë dhe Serbisë, që ka qenë pika kryesore e kalimit të refugjatëve mes dy shteteve për dhjetëra mijëra refugjatë dhe migrantë që e kanë përdorur si një tranzit për udhëtimin drejt BE.
Agjencia e lajmeve serbe Tanjug raportoi të martën se një sasi e madhe refugjatësh janë mbledhur në anën serbe të kufirit pasi Hungaria e mbylli kalimin gjysmë ore pas mesnate.
Tanjug gjithashtu raportoi se policia hungareze arrestoi 16 refugjatë pasi ata prenë telat me gjemba dhe hynë ilegalisht në vend.
Refugjatëve u lejohet tani të përdorin vetëm pikën zyrtare të kufirit mes Serbisë dhe Hungarisë.
Policët hungarezë janë tra pranishëm në kufi, disa me kuaj, të tjerë me mjete ushtarake dhe helikopterë.
Ata kanë lajmëruar se një total prej 7437 refugjatësh dhe migrantësh hynë në vend nga Serbia të hënën, një numër rekord.
Legjislacioni i ri i kufirit hungarez që hyri në efekt të martën shton mundësinë e dërgimit të ushtrisë në kufi dhe thotë se imigracioni i paligjshëm do të dënohet deri më tre vjet burg.
Autobusë policie do të çojnë tani azilkërkuesit në qendrat e regjistrimit, por aplikimet e atyre që janë refuzuar do të kthehen tani në Serbi dhe nuk do të kalojnë në Hungari, raportoi BBC.
Në Serbi, Nenad Ivaniseviç, një zyrtar i lartë në Ministrinë Serbe të Punës, tha të hënën se Serbia nuk do të pranojë kthimin e refugjatëve nga Hungaria.
“Nëse ata duan t’i kthejnë refugjatët, le t’i kthejnë në Greqi, që është vendi i parë i BE ku kanë hyrë. Ne nuk do t’i pranojmë edhe sikur të na duhet të çojmë ushtrinë në kufi,” raportoi agjencia e lajmeve Beta se tha Ivaniseviç.
Ivan Miskoviç, zëdhënës i Komisariatit Serb për Refugjatët, tha se nuk kishte mbërritje masive të refugjatëve në qendrat e pritjes në Serbi të martën.
Ai tha për agjencinë e lajmeve Beta se në mëngjesin e të martës rreth 1000 refugjatë u lokalizuan në komunën jugore të Preshevës, ndërsa rreth 600 persona në qytetin verior Kanjizi duke lëvizur për në kufirin hungarez.
EurActive.com ka raportuar se një gazetar hungarez ka zbuluar plane edhe më të ashpra nga qeveria e Budapestit për të ndaluar refugjatët të hyjnë në vend.
Autoritetet hungareze do të dërgojnë në Serbi çdo refugjat pa një vizë Shengen sepse KE e ka deklaruar Serbinë një vend të sigurt, ndërsa çdo refugjat që hyn në Hungari pa një viza do të çohet në gjykatën e gjendjes emergjente, është raportuar.
Ministri serb i punës Aleksandar Vulin tha të hënën se qeveria po priste më tepër migrantë të qëndronin në Serbi pas lajmërimit për mbylljen e kufirit gjerman por shtoi se Beogradi do të respektojë detyrimet ndërkombëtare.
Në një intervistë për RTS, Vulin refuzoi çdo mundësi të ngritjes së mureve në kufirin serb për të ndaluar fluksin e refugjatëve.
Ai shtoi se Serbia po ndërton kampe pritjeje në kufirin verior, pranë Hungarisë.
“Serbia nuk do të shpenzojë para për këtë gjë. Ne do të përdorim fondet europiane,” tha Vulin, që nxiti BE-në të ndihmojë më tepër Serbinë sepse vendi mezi po përballej me situatën.
Serbia është një shtet tranzit për refugjatët në rrugën drejt BE-së. Më tepër se 130,000 refugjatë kanë kaluar përmes Serbisë që nga fillimi i viti, tha ministri i brendshëm Nebojsa Stefanoviç javën e shkuar.
Shumica e tyre qëndrojnë për dy ose tre ditë dhe drejtohen në Hungari, por pasi Budapesti prezantoi masa të ashpra në kufi, zyrtarët serbë besojnë se refugjatët do të qëndrojnë për pesë deri në dhjetë ditë.