Megjithëse zyrtarët serbë dhe kroatë kanë shprehur shpresat që mosmarrëveshja në kufi të marrë fund, të dy vendet vazhduan të bllokonin transportin e mallrave dhe të disa pasagjerëve të premten.
Pasi mosmarrëveshja mbi valën e refugjatëve përshkallëzoi në një mosmarrëveshje kufiri mes dy shteteve, Kroacia të premten vazhdoi bllokadën e mallrave dhe disa pasagjerëve nga Serbia ndërsa Beogradi ende nuk lejon kalimin e mallrave nga Kroacia.
Të dyja vendet thonë se ata janë gati të bëjnë kompromis, por nuk ka shenja se bllokada në pikat e kalimit të kufirit do të marrë fund së shpejti.
Lidhja e Automobilëve dhe Motorçikletave të Serbisë, AMSS, tha se policia kroate të premten hapi pikën e kufirit Sid për të kaluar pasagjerët por ruajti ndalimin e makinave me targa serbe.
Ajo tha gjithashtu se pika e kufirit Bajakovo qëndroi e mbyllur nga transporti i mallrave përveç kamionëve që transportonin mallra që prishen.
Pasi Serbia protestoi të enjten mbi ndalimin kroat të kufirit për njerëzit me pasaporta serbe, zyrtarët kroatë e kanë rimarrë në konsideratë masën, por me disa kufizime.
Shtetasit serbë të premten mund të kalonin për në Kroaci por vetëm në këmbë ose në makina që nuk kishin targa serbe.
Zyrtarët serbë thanë se ata nuk po i ndalonin shtetasit kroatë të hynin në Serbi por do ta mbanin bllokadën e mallrave nga Kroacia derisa kjo të rihapë kufirin.
Nikola Selakoviç, Ministri serb i Drejtësisë, të premten tha se BE-ja duhet të thotë qartë se Kroacia penguar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të Serbisë me BE-në duke mbyllur kufirin.
Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, gjatë vizitës në Serbi shkoi në kampin e pritjes në Sid me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç dhe tha se BE-ja i ishte mirënjohëse Serbisë për atë që ka bërë për refugjatët, duke premtuar ndihmë financiare dhe politike.
“Ju nuk jeni vetëm, ju jeni europianë dhe ne duhet të punojmë bashkë. Nuk ka nevojë për kufij të rinj,” citoi agjencia e lajmeve Tanjug të ketë thënë Hahn.
Në Kroaci, Vesna Pusiç, ministrja e jashtme kroate, tha të premten se të dyja vendet duhet të ulin tensionet.
“Ne e dimë se Serbia nuk di çfarë të bëjë me refugjatët veçse t’i sjellë në kufirin kroat, por kjo është diçka që nuk është e lehtë për ne, të kujdesemi për 10,000 deri në 12,000 njerëz që vijnë në kufi brenda natës,” u citua Pusiç nga një agjencia lajmesh vendase.
Nga ana tjetër, zyrtarët serbë e kanë mohuar se po i çojnë me qëllim refugjatët në kufi me Kroacinë, duke u shprehur se askush nuk ndikon në itinerarin e tyre që kur Hungaria mbylli kufirin në mes të shtatorit.
Aleksandër Vuçiç, kryeministri serb, tha të enjten se ishte optimist se mosmarrëveshja e kufirit do të zgjidhej brenda disa ditësh.