Që nga hyrja e policisë shqiptare në parajsën e hashashit në Lazarat, furnizimi është pakësuar dhe çmimet janë rritur nëpër rajon.
Një trafikant droge me bazë në Beograd i cili ka punuar në rrugët e kryeqytetit për më shumë se shtatë vjet i tha BIRN se ai ishte detyruar të shiste më pak me një çmim më të shtrenjtë, për shkak se marijuana është kaq e kufizuar.
“Është më e vështirë për mua të gjej një sasi të mirë dhe mund të kapem më lehtësisht. Policia është brutale,” tha ai.
“Kam humbur disa klientë, por çdo herë i shkruaj, duke i thënë se ka ‘filma’ të rinj në qytet, ata kthehen”, shtoi ai.
Trafikantët serbë nuk janë të vetmit që kanë telashe me furnizimin. Ata që e shesin dhe ata që e përdorin hashashin në rajon janë prekur nga një goditje e rëndë e marijuanës në Shqipërinë jugore në qershor 2014, që ka pakësuar furnizimin në tregun e zi dhe ka rritur çmimet.
“Dikur mund të merrje katër cigare hashashi për rreth 10 euro. Sot mund të marrësh vetëm një për atë çmim”, tha për BIRN një përdorues nga kryeqyteti maqedonas, Shkup. “Dhe cilësia? Epo, nuk ta garanton njeri më,” shtoi ai.
Në qershor 2014, qeveria shqiptare më në fund hyri në fshatin e marijuanës, Lazarat për të kapur fermerët që e kthyen qytetin jugor në një vend kryesor të drogës.
Më shumë se 1,000 oficerë policie, përfshirë forcat speciale të ministrisë së brendshme, shkëmbyen zjarr me fshatarët e armatosur dhe trafikatët e drogës.
Dhjetëra të dyshuar janë arrestuar, përfshirë baronin famëkeq të drogës, Rezip Mahmutaj. Në vilën e tij 3-katëshe me pamje nga fshati, policia zbuloi një laborator droge që përdorej për të përpunuar marijuanën.
Më shumë se 130,000 rrënjë kanabis u shkatërruan dhe 80 ton marijuanë u sekuestrua.
Vlera e rrugës për drogën e prodhuar në Lazarat vlerësohej me 4.5 miliard në vit, ekuivalente me rreth gjysmën e PBB të Shqipërisë.
Më e kushtueshme të përdorësh
I ashtuquajturi “kryeqyteti i marijuanës” Lazarati ishte një nga furnizuesit më kryesorë të hashashit për pjesën tjetër të rajonit.
Ndërhyja në vitin e shkuar preku çmimin e hashashit në të gjithë rajonin ku trafikantët dhe përdoruesit thonë se çmimet thuajse janë dyfishuar, duke e kthyer marijuanën nga një zakon i përditshëm i përballueshëm në një artikull luksi.
Përpara ndërhyjes në Lazarat, përdoruesit në Kosovë thonë se merrnin tre ose katër cigare hashash, ose 1.5 gramë ose më tepër për rreth 5 euro.
Këto ditë, për pesë euro mund të marrësh një cigare, për më pak se gjysmë grami.
“Tymosja pesë deri në 10 gramë në ditë. Ishte e lirë. Tani tymos një cigare ose asnjë gjatë gjithë javës,” tha Agroni, një përdorues nga Prishtina. “Tani është një bezdi. Kushton shumë të ta përdorësh drogën, veçse nëse e shet”.
Disa trafikantë të hashashit e justifikojnë rritjen e çmimit, duke thënë se ndërmarrin më shumë rreziqe për të marrë furnizime. Kjo për shkak se që nga ndërhyrja në Lazarat, mësymjet e policisë në vendet e tjera janë intensifikuar gjithashtu.
“Çmimet do të qëndrojnë të larta për sa kohë të jetë kaq e vështirë të marrësh furnizim, ndaj 10 euro është një çmim realist për rreziqet që ndërmarr dhe karburantin që shpenzoj duke u endur nëpër qytet. Jam gjithnjë në ruajtje,” tha një trafikant me bazë në Beograd.
Është e njëjta gjë në Shqipëri, ku përpara mësymjes në Lazarat një kilogramë marijuanë shitej për rreth 200 euro. Tani çmimi mesatar për të njëjtën sasi është 1000 euro, pesë herë më shumë.
Klientët dhe trafikantët në Maqedoni janë përballur gjithashtu me një rritje konstante të çmimit për disa vite, që lidhet me ardhjen në pushtet të partisë konservative socialiste VMRO DPMNE në 2006.
Përdoruesit thonë se autoritetet maqedonase janë përqendruar në kapjen e trafikantëve dhe përdoruesve të marijuanës, duke e bërë një sy qorr te drogat e tjera, gjë që ka rritur çmimet në treg.
Policia maqedonase e kundërshtoi këtë pretendim duke thënë se ka luftuar njëlloj kundër të gjithë llojeve të drogave.
“Të detyruar të tymosin temjan”
Një mungesë e marijuanës dhe rritja e çmimeve nuk janë të vetmet pasoja të ndërhyrjes së vitit 2014 në Shqipëri.
Ashpërsimi i masave mbi fermerët e hashashit dhe shitësit ka detyruar disa klientë të tymosin më pak, ose t’i kthehen produkteve sintetike e të ngjashme.
Dardani, një pronar dyqani në Mitrovicë, Kosovë, i tha BIRN se ai tymoste katër cigare në ditë, por e ka ndalur përdorimin plotësisht.
Përveç rritjes së çmimit, ai u zemërua nga telefonatat e shumta që duhet t’i bënte një trafikanti vendas. Në vend të kësaj, ai shkon në farmaci dhe blen një anti-depresant të quajtur bromazepam, të cilin e merr pa recetë.
“E di rrezikun e varësisë por shpresoj se do të kaloj këtë periudhë pa probleme,” tha ai. “Shumë të rinj po bëjnë të njëjtën gjë – duke përdorur pilula të tjera që janë të dëmshme”.
Përdorues të tjerë të pasionuar pas hashashit i thanë BIRN se ata kanë filluar të thithin tymin e temjanit që digjet, të cilit shpesh i referohen si “marijuana sintetike”.
Nikola, 25 vjeç nga Beogradi, është një prej tyre. Ai e ka provuar tymosjen e temjanit, por thotë se asgjë nuk mund ta konkurrojë hashashin.
“U detyrova ta ble këtë ndryrësi. Një mik ma rekomandoi dhe më tha se ishte si marijuana,” tha ai për BIRN.
“Por nuk ishte. Nuk u ndjeva shumë mirë, shikimi m’u err dhe u çorientova,” kujton ai.